Ish-ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto ka reaguar sot për verifikimet që ka nisur nga ana e prokurorisë në adresë të tij dhe për arrestimin e ish-drejtorit të Rrugëve, Dashamir Xhika.
Në një prononcim për “Top Channel”, Haxhinasto thotë se koha e gjyqeve politike ka marrë fund. Ndërsa bën një paralajmërim, se nëse hetimi do të “degjenerojë në goditje politike unë do t’i përgjigjem politikisht shumë rreptë”.
Lidhur me procesin e prokurorisë, ish-ministri i LSI thotë se ai ka bërë drejtimin politik të Ministrisë së Transporteve, duke nënkuptuar se nuk ka asnjë përfshije në projekte apo investime me firmën e tij. “Unë kam bërë drejtimin politik të ministrisë. Gjithkush është i lire të verifikojë. Gjithë veprimtaria ime është bërë mbi bazën e dokumenteve që janë atje. Të verifikohen, unë jam i gatshëm”,- u shpreh Edmond Haxhinasto.
Të premten e kaluar Prokuroria e Elbasanit arrestoi ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptare, Dashamir Xhika, i cili është dhe kryetar i LSI në Elbasan. Akuzat e arrestimit të Xhikës ishte për një projekt rruge të firmosur në vitin 2009, ndërkohë që ai u emërua drejtor në vitin 2013. LSI e ka cilësuar këtë arrestim si politik dhe ka akuzuar Edi Ramën, si njeriun që ka urdhëruar burgosjen e kreut të LSI në Elbasan.
Z. Haxhinasto ju shqetësojnë hetimet e Prokurorisë për rrugën Tirane-Elbasan?
S’më shqetësojnë fare as hetimet as verifikimet. Unë kam bërë drejtimin politik të ministrisë. Gjithkush është i lirë të verifikojë. Gjithë veprimtaria ime është bërë mbi bazën e dokumenteve që janë atje. Të verifikohen, unë jam i gatshëm.
Por gjithashtu duhet t’ju them se koha e drejtësisë popullore, kur ngriheshin thashethemnaja dhe njerëzit goditeshin qoftë moralisht, qoftë fizikisht ka përfunduar bashkë me sistemin e kaluar. Unë jam këtu, do të jem këtu. Nëqoftë se kjo do te degjenerojë në goditje politike unë do t’i përgjigjem politikisht shumë rreptë.
Pse zgjodhët ta ndiqnit në Elbasan procesin ndaj zotit Xhika? Ka qënë vartësi juaj dhe akuzohet për abuzime?
Unë jam një qytetar i lirë dhe besoj një qytetar i lirë është i lirë të shkojë e të ndjek një çështje gjyqësore, apo jo? Ka ndonjë problem mendoni ju?