Kryetarja e Forumit të gruas të PDIU, Vjollca Braho, ka reaguar pas deklaratave të Presidentit grek Prokopis Pavlopoulos që tha se Shqipëria nuk duhet të përmendi më Çështjen Çame.
“Pavarësisht këtyre kërcënimeve të ulëta, ne s’mund të heshtim dhe nuk do të heshtim! Sepse e shkuara jonë është një amanet, që është më e madhe se ne, është më e fortë se ne, është më e fortë se politika dhe është më e fortë se çdo marrëdhënie e çastit!”, shkruan Braho.
POSTIMI I PLOTE:
Sa turp që presidenti i një vendi anëtar të Bashkimit Europian të përdorë ende në vitin 2018 gjuhën e dhunës dhe të kërcënimit!
Presidenti i Greqisë, Z. Prokopis Pavlopoulos, me deklaratën që bëri dje tregoi se një pjesë e fqinjëve tanë nuk dëshiron ta lexojë të vërtetën historike, e aq më pak ta korrigjojë atë! Në mënyrë të trishtueshme, Z. Pavlopoulos, kërkoi që shqiptarët të jenë europianë duke gënjyer, duke harruar, duke mos kërkuar që të zbardhen krimet dhe genocidi ndaj popullsisë shqiptare çame që u dëbua mbi 70 vite më parë nga shtëpitë dhe tokat e tyre, që ua kishin lënë trashëgim gjyshërit e stërgjyshërit.
Po unë them jo! Pavarësisht këtyre kërcënimeve të ulëta, ne s’mund të heshtim dhe nuk do të heshtim! Sepse e shkuara jonë është një amanet, që është më e madhe se ne, është më e fortë se ne, është më e fortë se politika dhe është më e fortë se çdo marrëdhënie e çastit!
Ne jemi krenarë për origjinën tonë! Për të shkuarën tonë! Askush nga ne nuk është krenuar për askënd që mund të ketë patur bashkëpunim me nazistët, por askush nga ne nuk mund të heshtë për krimet dhe tragjeditë, dhe për fyerjen që vijon të mbetet në fuqi nga mendje të tilla, që e shohin europianizimin mbi baza të gënjeshtrës dhe nënshtrimit! Nuk arrij akoma të bësoj dot sesi një njeri, për më tepër President i Republikës, mund të quajë bashkëpunëtor të fashizmit me mijra gra dhe fëmijë që u torturuan dhe u masakruan pa asnjë mëshirë për faktin e vetëm sepse ishin çamë.
Megjithatë, që zoti Pavlopoulos të jetë i qetë me ndërgjegjen e tij, meqë ka përmendur kujtimin e ditëve të Holokaustit, le të zbresë ca më poshtë në varrezat monumentale të Qafë Botës ku prehen 2771 shqiptarë të pafajshëm nga 68 fshatra të Çamërisë dhe të vendosë një tufë me lule në shenjë respekti.
Fqinjët tanë duhet të kuptojnë që nuk ka faje kolektive dhe as dënime kolektive! Ky është themeli i Kartës së Drejtave të Njeriut, por që fatkeqësisht mendjet e mykura mendojnë se zbatimi i saj është vetëm i njëanshëm! Në Shqipëri thuhet: I zoti është ai që fal! Ne ju kemi falur, por ama nuk mund të heshtim për të gjithë vuajtjet dhe dhimbjet që na keni shkaktuar sepse kemi me vete historinë dhe të drejtën. Historia kërkon që ne të flasim me zë të lartë, ndërsa ju të na kërkoni NDJESË, po me zë të lartë, sepse Çamëria është aty dhe do të vazhdojë të jetë edhe pas jush, deri sa bota të ekzistojë!.