Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, para nisjes në Vatikan, është shprehur se vizitën në këtë vend e shikon si një mundësi të rëndësishme nga pikëpamja për të tërhequr vëmendjen në vlerat e përbashkëta njerëzore dhe për dhënien e mesazheve të miqësisë dhe paqes, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan ka bërë të ditur se kjo vizitë është e para që pas vizitës së presidentit Celal Bayar në vitin 1959. Ai ka vënë në dukje se Papa Françesku që nga viti 2013 kur është zgjedhur lideri i botës së krishterë e deri tani ka ndjekur një rol goxha aktiv dhe ka marrë përshëndetjen e opinionit ndërkombëtar për të gjitha iniciativat që lidhen me çështjet në pjesë të ndryshme të botës.
“Edhe ne gjithashtu e mirëpritëm në veçanti qëndrimin e tij për Kudsin. Qëndrimet e tij pozitive me të vërtetë ishin të rëndësishme për të na treguar se çfarë mund të bëjë si udhëheqës fetar i botës së krishterë. Në bisedimet me Papa Françeskun do të diskutojmë çështjet për Palestinën, Kudsin, Sirinë, Irakun, luftën kundër terrorizmit, problemet e refugjatëve dhe ndihmat humanitare. Gjithashtu do të shkëmbejmë pikëpamjet edhe në çështjen për armiqësinë në rritje kundër Islamit në botën perëndimore dhe luftën kundër racizmit kulturor”, tha Erdoğan.
Ai ka shtuar më tej se “Nuk ka dallim në mes të sulmeve të tilla raciste nga veprimet e organizatave terroriste. Është e domosdoshme që një qëndrim vendimtar të ekspozohet në këtë proces të rrezikshëm, siç janë sulmet ndaj xhamive, vendeve të punës së muslimanëve, si dhe në Arakan, ku herë pas here, këto sulme janë në dimensionin e spastrimit etnik. Turqia është bërë një vend strehimi për të gjithë ata që kanë vuajtur për shekuj nga persekutimi për shkak të besimit të tyre. Sot, të gjithë besimtarët në vendin tonë jetojnë së bashku në paqe. Ata mund të përmbushin lirisht adhurimin e tyre pa kufizime dhe pa asnjë problem. Ne jemi të përkushtuar për të mbrojtur dhe forcuar këtë mjedis të lirisë. Unë besoj se vizita ime në Vatikan do të jetë e dobishme në këtë drejtim”.
Në lidhje me takimet që do të zhvillojë me presidentin italian, Sergio Mattarella dhe kryeministrin Paolo Gentiloni, presidenti i Turqisë ka theksuar se “Marrëdhëniet tona dypalëshe janë në një nivel të shkëlqyeshëm, ne jemi një vend miqësor ku kemi pikëpamje të përbashkëta përballë problemeve rajonale. Ne po punojmë së bashku për paqen dhe stabilitetin e pellgut të Mesdheut. Si dy aleatë të NATO-s, ne kontribuojmë në sigurinë e njëri-tjetrit. Do të diskutojmë për marrëdhëniet tona dypalëshe në fushat e ekonomisë dhe të mbrojtjes. Ne do të informojmë për veprimet e vendit tonë kundër organizatave terroriste DEASH dhe PKK-YPG. Ne gjithashtu do të shqyrtojmë zhvillimet aktuale rajonale si Siria, Iraku, Libia, luftën kundër terrorizmit dhe si dhe çështjet aktuale si Kudsi. Ne do të ndajmë me ta sukseset e arritura në operacionin “Dega e Ullirit”, të cilën e kemi nisur për të pastruar elementët e terrorit në Afrin”.
Rreth operacionit “Dega e Ullirit” Presidenti Erdoğan u shpreh se në kuadër të operacionit janë neutralizuar 935 terroristë.