Ish-polici i forcave speciale greke, Efthymiou Efthymious, i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit nuk ka pranuar asgjë para policisë.
Greku mohon të ketë lidhje me atentatin e 29 janarit në rrugën “Petro Cani”, duke thënë se në Shqipëri ka ardhur për qejf.
41-vjeçari u qëllua disa ditë më parë me 4 plumba ku humbi jetën, pas një prite të bërë përpara shtëpisë së tij.
Gjatë dëshmisë në policinë e Tiranës, ish-polici i forcave speciale greke tha se nuk ka lidhje me ngjarjen. Ai ka pranuar para hetuesve se prej disa kohësh ndodhej në vendin tonë, por jo për arsye kriminale po për disa ditë pushime.
I pyetur për pjesëtarët e tjerë të grupet të arrestuar për të njëjtën akuzë greku tha se njeh vetëm njërin prej tyre.
Akuzat janë mohuar edhe nga të arrestuarit e tjerë, Elton Halipaj, Malvin Dinellari Elton Hoxhallari dhe Mario Meshini, të cilët vijojnë të mbahen në ambientet e drejtorisë së policisë së kryeqytetit. Ata pritet që të dalin ditën e sotme për masë sigurie në Gjykatën e Tiranës.
Ndërkohë policia dhe prokuroria thonë se ekzekutimi i Devi Kasmit mund të ketë ndo-dhur ose për përplasje të grupeve të drogës ose për të marrë hak për një krim të 2011 në Tiranë.
Dhe Aurel Hoxhallari dyshohet si personi që ka organizuar këtë krim duke aktivizuar ish-policin grek Eftimiu, që ka hyrë në mënyrë klandestine në Shqipëri, pasi nuk është i regjistruar në asnjë pikë kufitare.