Si pasojë e reshjeve të shumta të shiut që kanë rënë në orët e fundit, Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke përmbytyr disa banesa.
Problemet më të mëdha derimë tani janë në zonën e Fushë-Krujës ku disa fshatra si: Murqinë, Mallkuç, Bilaj, Gjurice janë përmbytur. Nën ujë deri më tani gjenden 80 banesa dhe qindra hektarë tokë bujqësore.
Një nga banorët e zonës shprehet për ‘’Fax News” se kjo është e pesta herë që nga muaji dhjetor që ata përmbyten ndërsa nuk është marrë asnjë masë për parandalimin. Po ashtu banori shprehet se e vetmja ndihmë që ata kanë marrë nga shteti janë ushqime.
Sot probleme me reshjet janë hasur dhe në qytetin e Vlorës, ndërsa në Gjirokastër nga rrëshkitja e dherave rrezikon që të shembet një pallat disa katësh, si dhe disa banesa private, duke lënë në ankth rreth 40 familje.