Pas shpalljes mbret të Ahmet Zogut në 1928, vendi filloi të merrte një tjetër zhvillim, për shkak edhe të fondeve dhe huave italiane si dhe lidhjes së ngushtë me këtë shtet.
Me fillimin e viteve ’30 filloi të zhvillohej ekonomia, dhe një ndër qytetet që po merrte hov në këtë fushë ishte Durrësi. Qyteti bregdetar përveçse u pajis me hotele, restorante, kinema me filma të huaj etj., do të kishte edhe shtëpi publike legale dhe ilegale.
Profesor Xhevdet Beja ose Xhoda sot 85 vjec, durrsak i hershëm, ka rrëfyer me hollësi Durrësin e atyre e viteve.
Sipas tij, në ato vite edhe mentaliteti i durrsakëve u europianizua dhe kjo falë shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore me vendet e huaja kryesisht me Italinë.
Të rinjtë që studionin në Itali por edhe filmat e huaj ndikonin në mënyrën e sjelljes së rinisë të asaj kohe.
Xhevdet Beja ka treguar për Shqiptarja.com:
Unë në atë kohë kam qenë fare i ri, djalë 15 apo 16 vjeç, por i ruaj të freskëta kujtimet e kohës së Italisë që solli një zhvillim të madh ekonomik ,social dhe kulturor. Shkoja pothuajse çdo pas dite në kinema dhe shikoja me shokët e mij jo vetëm yjet e kinematografisë italiane, por edhe ato të Hollivudit. Të rinjtë e Durrësit nisën të visheshin e të kriheshin sipas modës së asaj kohe. Me kostume dopio pet me shami ne xhep dhe me borsalino në kokë.Të tjerë nisën të mbanin mustaqe spic dhe të lyenin flokët me brilantinë që sot rinia e quan xhel.
Shtëpitë publike të hapura në këto vite ishin padyshim një civilizim të madh për kohën. Imagjinoni ndryshimin, nga gratë me perce te shtëpitë publike që kishin një frekuentim të madh. Ligji i Zogut i lejonte.. U ngritën tri bordello apo shtëpi publike me dokumenta të rregullta, pronarët e të cilave paguanin detyrimet tatimore dhe respektonin të gjitha rregullat higjeno-sanitare ku padyshim më i rëndësishëm ishte vizita mjekësore e vajzave që shërbenin në këtë sektor. Ndërkohë në Durrës funksiononin edhe katër shtëpi të tjera ilegale. Pronarët e tyre kishin marrë licencat për hotele dhe restorante dhe fshehtazi kishin punësuar edhe vajza. Në fillim kishte paragjykime. .
Prindërit mundoheshin që të pengonin djemtë e tyre që të mos i frekuentonin shtëpitë publike se ky ishte turp. Ndërsa gratë që kishin burra sarhoshë apo qeflinj, që pinin raki,luanin bixhoz dhe ju pëlqente një jetë e tillë, përpiqeshin që ti bindnin ata që të mos hynin në gjynah e të shkonin me ato zuskat.
Por kjo zgjati për pak kohë pasi shtëpitë publike funksionuan jo vetëm në vitet ’30 por edhe gjatë luftës. Frekuentimi ishte i padiskutueshëm. Vetëm pas përfundimit të luftës dhe pushtetin e morën komunistët,shtëpitë publike pushuan së ekzistuari pasi nuk përputheshin gjoja me moralin e tyre.
Njëra prej shtëpive publike u krijua nga Flora Samuel. Ajo ishte një zonjë hijerëndë që erdhi në Durrës nga jashtë vendit. Në vitin 1934, Flora hapi një pension- tavernë e që pas pak vitesh mori edhe licencë për shtëpi publike.
Flora Samuel kishte në dispozicion të shtëpisë publike pesë vajza me kombësi italiane dhe greke. Kishte edhe një shqiptare që ishte më e bukura .Atë e quanin Lefteri. Ajo kur ecte rrugës ishte e veshur shumë bukur dhe përdridhej dhe bënte naze. Djemtë e rinj çmendeshin pas saj. I patën bërë edhe një këngë që edhe sot interpretohet nëpër dasma,kryesisht në Shqipërinë e Mesme.
Lefteria kishte edhe cmimin më të lartë ndër të gjitha vajzat. Për të vinin nga Tirana dhe Kavaja pasi bukuria e saj kishte marrë nam. Gjithashtu në Durrës funksiononte shtëpia publike “Flora”.
Ajo ishte një ndërtesë 2 katëshe që ndodhej në krahun e djathtë të rrugës që të shpie në Spitallë. Kjo shtëpi publike ishte në pronësi të Dik Cërloit, qytetar durrsak. Shtëpinë e mbaj mend si një vend të qetë, pa zhurmë dhe pa muzikë. Ajo frekuentohej kryesisht pas dite.
Tjetër shtëpi publike ishte ajo në që ndodhej në Rrugën “ Monun”. Ajo ishte në pronësi të italianit Augusto Canova. Menaxhere e kësaj shtëpie ishte malazezja Zoica. Ajo kishte një trup të madh dhe ishte tepër e rreptë. Vajzat që ushtronin profesionin në këto shtëpi kontrolloheshin në mënyrë sistematike nga mjekët.
Ndërkohë biznesmenë të tjerë,ndërtuan hotele dhe restorante në zonën e plazhit dhe morën masa dhe futën në punë edhe vajzat. Plazhi nisi të frekuentohej shumë në ato vite.
Shtëpitë publike njohën frekuentim të madh në atë kohë. Ishin kryesisht djem të rinj, jo vetëm nga Durrësi, por edhe nga Tirana,Kavaja etj.qytete si dhe shtetas të huaj me punë në vendin tonë,ata që frekuentonin shtëpitë publike.