[sgmb id=”1″]
Ceremoni e çertifikimit të 287 kursantëve që përfunduan Programin e Shkollimit “Kolegji i Policisë”, kursi i X-të.
Gjatë ditës së sotme në ambientet e Akademisë së Sigurisë është zhvilluar ceremonia e betimit dhe çertifikimit të kursantëve që përfunduan Programin e Shkollimit “Kolegji i Policisë”, kursi i X-të.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako, përfaqësues të Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, përfaqësues të misioneve policore që asistojnë Policinë e Shtetit, si dhe familjarë të kursantëve.
Në fjalën e tij Drejtori i Policisë së Shtetit Z.Çako, ka përgëzuar kursantët për përfundimin me sukses të programit të shkollimit të Kolegjit të Policisë, program i cili synon pajisjen me njohuri dhe aftësitë e nevojshme, për tu bërë punonjës Policie të denjë dhe të aftë, për t’iu përgjigjur në kohë nevojave për sigurinë e komunitetit.
Kjo në kuadër të reformave të ndërmara vitet e fundit, ku reformimi arsimor policor ka qenë dhe mbetet një nga pikat më të rëndësishme të kësaj reforme.
“Të gjithë reformat që Policia e Shtetit ka ndërmarrë këto vitet e fundit nën kujdesin e veçantë të Qeverisë dhe të Ministrit të Punëve të Brendshme, kanë synuar jo vetëm demokratizimin e këtij shërbimi, por mbi të gjitha formimin e një punonjësi Policie të aftë, për t’iu përgjigjur në kohë nevojave për sigurinë e komunitetit dhe mbi të gjitha një punonjësi me integritet të lartë dhe të pacënuar.
Gjatë këtyre viteve u bë e mundur hapja e Akademisë së Sigurisë që synon krijimin e liderëve të ardhshëm të Policisë, por edhe një rimodelim i trajnimit bazë policor me qëllim krijimin e bazave të qëndrueshme dhe në përshtatje me kërkesat e kohës, për një Polici të re, për një Polici të gjeneratës tjetër.
Të nderuar kolegë!
E ndjej shumë të nevojshme dhe të domosdoshme t’ju quaj që të gjithëve kolegë dhe kjo është sa në kënaqësinë time, por edhe në besueshmërinë time se jemi të gjithë të barabartë.
Virtytet mbi të cilat ju do të betoheni sot si besnikëria ndaj ligjit, ndershmëria dhe paanshmëria janë dhe duhet t’ju shoqërojnë gjatë gjithë karrierës suaj në Policinë e Shtetit.
Përpara keni një karrierë të gjatë ndaj dhe ju inkurajoj që asnjëherë të mos dorëzoheni para vështirësive apo pengesave, mbajeni gjithmonë këtë pasion që keni sot për këtë profesion, luftoni dhe kërkoni gjithmonë më të mirën nga vetja nga shoku nga kolegët dhe nga gjithë shoqëria”
Drejtori i Kolegjit të Policisë, Drejtues Ylli Vasili, ka theksuar rëndësinë e procesit mësimor të Kolegjit të Lartë profesional, në përvetësimin e programit teorik dhe trajnimit praktik, koncepteve të reja të policimit, duke synuar arritjen e prioriteteve dhe standarteve bashkëkohore që kërkojnë më shumë përgjegjësi, përkushtim, profesionalizëm, angazhim maksimal dhe rezultate konkrete.
“Shkollimi policor është një ndër kriteret bazë më të domosdoshme të organizatës së Policisë, për të formuar dhe trajnuar strukturat Policore të nivelit operues e më tej për të patur sukses në misionin e saj.
Në Policinë e Shtetit trajnimi bazë për Patrullën e Përgjithshme ka marrë nismën e shkollimit që prej vitit 2006, falë suportit dhe mbështetjes se misioneve ICITAP dhe PAMECA të cilat asistojnë arsimimin policor në vendin tonë dhe më pas si rezultat i punës së palodhur dhe përpjekjeve të lavdërueshme profesionale dhe arsimore të stafit të Akademisë së Sigurisë, të realizuara vitet e fundit, duke përfituar kemi arritur këtë kolegj policor që kemi sot, të aftë për përgatitjen e një produkti profesional e ligjor.
Synimi ynë është dhe mbetet formimi dhe kualifikimi i një brezi të ri të shërbimeve të Policisë së Shtetit, për të konsoliduar një trupë policore të qëndrueshme me integritet të lartë për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike dhe për të fituar besimin e qytetarëve duke përballuar çdo sfidë me paligjshmërinë”
Vilma Imeraj, një prej kurasanteve që përfunduan me sukses kolegjin për Patrullë të Përgjithshme, ka vlerësuar si shumë të domosdoshme nismën e ndërmarrë kohët e fundit për futjen e femrave në Polici, duke falënderuar Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, që kanë suportuar përfshirjen e grave dhe vajzave në Policinë e Shtetit.
“Unë jam Vilma dhe deri para pak çastesh kursante e Kolegjit të Lartë Profesional, dhe tani pjesë e strukturës së Policisë së Shtetit. Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë ditë kaq të rëndësishme për ne, prania juaj sot në këtë ceremoni që simbolizon hapat e para të misionit tonë si punonjës policie, na motivon dhe na jep një pasqyrë të qartë se si ne, me dinjitet dhe me kokën lart, mund t’ia dalim mbanë.
Sot, përfaqësoj zërin e të gjithë kolegëve dhe e them me plot bindje që e gjej veten shumë të përfaqësuar dhe te barabartë, aspak në dallim vajza dhe djem.
A është kjo një risi? Sigurisht që po. Një risi dhe një hap i madh që ka ndodhur sidomos vitet e fundit si një kërkesë e domosdoshme për krijimin e një organizate siç është Policia.
Policia nuk duhet parë si puna e të fortëve kundër të tjerëve, Policia është për zbatimin e ligjit, ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, zgjidhjen e konflikteve, krijimin e një mjedisi të sigurt për njerëzit, dhe së fundmi arritjen e një bashkëpunimi të suskseshëm me vetë komunitetin për çdo lloj problemi që u del përpara.
Policia është humanitet mbi të gjitha, dhe kush me shumë se femra është një qënie humane, një jetë për jetë. Nëse më përpara në organizatën e Policisë përfshiheshin vetëm meshkujt, sot mendoj se kemi bërë një hap akoma më të madh, duke reformuar të gjithë sistemin në përfshirjen e figurës së femrës në atë botë të quajtur ekskluzivisht të meshkujve.
Unë jam një vajzë, por ama nuk jam ekstremisht feministe, që do të thotë respektoj dhe vlerësoj rolin e rëndësishëm dhe të padiskutueshëm të burrave në organizatën e Policisë, si edhe në jetë, por nga ana tjetër dua të theksoj, se dhe gruaja luan një rol të rëndësishëm në bërjen e këtij profesioni sa të denjë dhe fisnik.
Përfshirja e grave dhe vajzave në Polici po mbështetet fuqishëm si nga institucionet shtetërore ashtu edhe nga shoqëria dhe familja. Rritja e numrit të vajzave dhe grave vit për vit në organizatën e Policisë, tregon për suksesin e kësaj nisme, por nga ana tjetër na ngarkon ne me një përgjegjësi shumë të madhe, që jo vetëm të luftojmë steriotipin gjinor, por edhe të ndërtojmë një rrugë më sigurtë për vajzat dhe gratë e tjera që e shohin veten në këtë profesion.
Së fundmi dua të them se ne jemi të përgatitur, dhe të gatshëm që ta kryejmë detyrën tonë sa më mirë, të jemi të vëmendshëm dhe kritikues ndaj çdo vendimi që do të marrim, mund të jemi bashkëpunues me njëri tjetrin për të arritur qëllimin e përbashkët “të qënit Policia që të gjithë duam”.
Gjëja më e rëndësishme që Kolegji na mësoi ishte se Policia është si një familje e madhe, ne jemi një familje dhe si e tillë duhet të përkrahim njëri tjetrin, të falim ndjenjën e sigurisë, të kuptojmë shpirtin e sakrificës dhe ta përcjellim atë edhe tek komuniteti.
Ne jemi punonjës policie, ne jemi humanë, ne japim jetë dhe mbrojmë jetë.
Një falenderim i veçantë shkon dhe për familjarët tanë, të cilët na mbështëtën në këtë nismë duke na inkurajuar dhe motivuar që të japim më të mirën e mundshme, dhe ta vlersojmë ashtu siç duhet këtë profesion.
Në përfundim të ceremonisë Drejtuesit e Lartë të institucioneve përkatëse u kanë dorëzuar çertifikatat kursantëve të pranishëm.
Fjala e plotë e Drejtorit të Polciisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako
Dita e betimit është një ditë e veçantë për të gjithë. Një ditë që kujtohet gjatë gjithë jetës si dita e parë si punonjës Policie, si dita kur para flamurit betohesh se do t’i kryesh me besnikëri detyrat e ngarkuara nga ligji.
Me këtë akt solemn ju kurorëzoni përfundimin me sukses të programit të shkollimit të kolegjit të Policisë dhe filloni rrugëtimin tuaj në këtë profesion sa fisnik aq edhe të vështirë.
Për mëse një vit ju iu nënshtruat trajnimit teorik dhe praktik me qëllim pajisjen me njohuri dhe aftësitë e nevojshme për tu bërë punonjës Policie të denjë për t’i shërbyer nevojave të komunitetit që padyshim ka pritshmëri të larta në lidhje me rendin dhe sigurinë, e në veçanti ndaj punonjësve të Policisë të cilët duhet të reflektojnë modelin më të mirë të qytetarit të sotëm.
Të gjithë reformat që Policia e Shtetit ka ndërmarrë këto vitet e fundit nën kujdesin e veçantë të Qeverisë dhe të Ministrit të Punëve të Brendshme kanë synuar jo vetëm demokratizimin e këtij shërbimi, por mbi të gjitha formimin e një punonjësi Policie të aftë, për t’iu përgjigjur në kohë nevojave për sigurinë e komunitetit dhe mbi të gjitha një punonjësi me integritet të lartë dhe të pacënuar.
Në këtë kuadër, reformimi i sistemit arsimor policor ka qenë dhe mbetet një pikat më të rëndësishme të kësaj reforme.
Gjatë këtyre viteve u bë e mundur hapja e Akademisë së Sigurisë që synon krijimin e liderëve të ardhshëm të Policisë, por edhe një rimodelim i trajnimit bazë policor me qëllim krijimin e bazave të qëndrueshme dhe në përshtatje me kërkesat e kohës, për një Polici të re, për një Polici të gjeneratës tjetër.
Ndryshimet e përditësuara në modelet e trajnimeve të shkollimit bazë si dhe marrja e masave dhe hartimi i programeve për kalimin në kolegjin e Policisë si një kolegj profesional, sipas ligjit për arsimin e lartë do të sjellë risi të reja në akreditimin e moduleve dhe alternimin me programet Bachelor të fakulteteve të sigurisë dhe hetimit.
Të gjitha këto ndryshime dhe reformime do të krijojnë më shumë mundësi dhe alternativa për formimin e punonjësve të rinj të Policisë por edhe për drejtuesit e ardhshëm të saj.
Të nderuar kolegë.
E ndjej shumë të nevojshme dhe të domosdoshme t’ju quaj që të gjithëve kolegë dhe kjo është sa në kënaqësinë time, por edhe në besueshmërinë time se jemi të gjithë të barabartë.
Virtytet mbi të cilat ju do të betoheni sot si besnikëria ndaj ligjit, ndershmëria dhe paanshmëria janë dhe duhet t’ju shoqërojnë gjatë gjithë karrierës suaj në Policinë e Shtetit.
Të jesh punonjës Policie është një sfidë që kërkon nga secili prej jush, përkushtim devotshmëri dhe sakrificë të panumërt.
Sot ju duhet të ndiheni krenarë për përfundimin me sukses të studimeve, prindërit tuaj janë krenarë për zgjedhjen tuaj ashtu si edhe ne jemi krenarë për ju si brezi më i ri, si fryma më e re e Policisë së Shtetit.
Përpara keni një karrierë të gjatë, ndaj dhe ju inkurajoj që asnjëherë të mos dorëzoheni para vështirësive apo pengesave, mbajeni gjithmonë këtë pasion që keni sot për këtë profesion, luftoni dhe kërkoni gjithmonë më të mirën nga vetja nga shoku, nga kolegët dhe nga gjithë shoqëria.
Në fund iu uroj suksese dhe ju priftë e mbara në detyrën tuaj fisnike që do të merrni
Suksese!