Dy persona janë arrestuar nga efektivë të policisë së Tiranës, të akuzuar se kanë përdhunuar një grua 35-vjeçare.
Zyrtarisht, policia njoftoi se këtë të martë, në pranga janë vënë J.V. e G.H., përkatësisht 36 e 46 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ata akuzohen për veprën penale: “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, kryer në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në dëm të gruas 35 vjeçe.
Ngjarja
Hetimi nisi pas kallëzimit të gruas me banim në Tiranë në komisariatin numër 3 të policisë më datë 26 Janar. L.B. tha se hipi me dëshirë në një makinë me dy persona që nuk i njihte.
Më pas, sipas dëshmisë së 35-vjeçares, ajo udhëtoi me të dy jashtë Tirane dhe “të panjohurit” përfituan prej saj, duke e përdhunuar.
Hetimet e policisë çuan në arrestimin e dy të rinjve ditën e djeshme. Burime thanë se ata janë treguar tejet të rezervuar në dëshminë e tyre. Por shtojnë se njëri prej tyre deklaroi se gruaja hipi me dëshirë në makinën dhe se gjithçka që ka ndodhur ka pasur konsensus nga palët.
Ngjarja mbetet ende për tu zbardhur, dhe detaje të reja pritet të dalin në dritë, teksa dy të arrestuarit pritet të paraqiten në gjykatë, për masën e sigurisë.