Edhe pse koha kalon vdekja e Ardit Gjoklaj nuk mund të kalojë lehtë, sepse ishte një krim.
I gjetur pa jetë në landfillin e mbetjeve në Sharrë me 7 gusht të vitit 2016, askush nuk mbajti përgjegjësi për vdekjen e 17-vjeçarit, i cili punonte për të siguruar lekë që të shkollohej.
Këtë herë ka vendosur të flasë mamaja e Arditit, mes lotëve dhe dhimbjes që ende nuk është shuar ajo pohoi se i biri kishte shkuar për të punuar.
Nëna e Arditit, Drita, u shpreh për “FaxNews”:
Kërkoj vetëm që të vihet drejtësia në vend për djalin tim. Ka kaluar një vit e gjysmë dhe asgjë nuk është bërë. Nuk kishin asnjë kusht te puna, as kominoshe as dorashka.
Punoi vetëm një muaj e gjashtë ditë, ditën e shtatë nuk erdhi më. Ata po tentojnë që ta mbyllin duke thënë që Arditi nuk ka qenë në punë.
Kur e kanë aksidentuar të paktën të vijnë të thonin të vërtetën, ata janë munduar me e shmang, duke e fshehur dhe kufomën e djalit.”
Por, për vrasjen e 17-vjeçarit ka folur edhe xhaxhai i Arditit, Lush Gjoklaj tha:
Erion Veliaj na shkeli me këmbë. E kanë zvarrit, të gjithë e dimë. Askush nga shteti nuk ka ardhur në banesë. Bashkia është fajtori nipi shkoi për të punuar për të nxjerrë bukën e gojës.
Veliaj po na shkel po pengon drejtësinë dhe as nuk ka ardhur as për të na ngushëlluar. Ne duam drejtësi. Arditi nuk ka pasur kontratë pune.
Ne nëse nuk bëhet drejtësia, do të zbatojmë Kanunin. Ne vetë do të bëjmë vetëgjyqësi. Ne jemi mbledhur dhe e kemi vendosur këtë, nuk kemi mundësi me e çu në Hagë, vdekja ka qenë aksidentale, po pse duhej që të mbulonin trupin e tij.”
Xhaxhai tjetër i tij duke iu referuar banderolës që u hoq me shpejtësi nga sheshi tha se kjo ishte një vrasje për herë të dytë nga ana e Bashkisë.
Ai u shpreh se edhe pse prej kohësh është në kërkim të një takimi me Veliajn, Tahirin apo Ramën është ndeshur me një refuzim të vazhdueshëm nga ana e tyre.
Xhaxhai i Arditit u shpreh:
Atë ditë kur e kam parë është njësoj sikur ma vranë për herë të dytë. Bashkia ma ka vrarë edhe njëherë, të kapin atë që ka vënë posterin po jo të heqin fytyrën e djalit në atë mënyrë. Është një çështje që po zvarritet nga ana e drejtësisë për arsye politike.
Kanë qenë 280 punëtorë, ka dëshmitar që kanë qenë tu hëngër bukë në tre të natës, kjo është çështje partiake. Kam kërkuar takim me Saimir Tahirin, me kryeministrin dhe me ministrin e drejtësisë, me shkresa zyrtare skam dit me e çuar.
Doja me u taku me e dit arsyen se pse ai djalë 17 vjeç, që donte të arrinte lekët e librave, në një vend të legalizuar nga shtetit. Askush nuk ka ardhur të më takojë, as nga firma. Atë ditë që kisha varrimin e nipit erdhi administratori, të cilin se kam takuar pasi kërkesa ishte e vonuar. Kam ndejt 6-orë me kërku fëmijën në Sharrë. As sot e kësaj dite Erion Veliaj nuk ka pasur me ne asnjë takim. U bëj thirrje kryetarit të Bashkisë, ministrit të drejtësisë dhe të rendit, kryeministrit që të takohem me ta si burri-burrit.”