Të tjera detaje dalin në dritë nga atentati me armë zjarri që trondit mbrëmjen e sotme kryeqytetin. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Kongresi i Manastirit” rreth orës 18:44 , pranë Pediatrisë.
Mësohet se 41-vjeçari i vrarë kishte ndërruar emrin, nga Dëfrim, në Devi Kasmi. Po ashtu në vendin e ngjarjes janë gjetur dy pistoleta, por nuk dihet nëse i përkasin autorëve apo të viktimës.
Burime zyrtare për ”Ballkan Web”, bëjnë me dije se dy atentatorët, me skafandra në kokë, fill pas krimit janë larguar me një motor në drejtim të Shërbimit Informativ të Shtetit, duke përfituar nga rrugica e errët ku qëlloi me 5 plumba mbi viktimën. Aktualisht policia ka dyshime se viktima ishte i përfshirë në aktivitete kriminale.
Kasmi është një emër i njohur për policinë, pasi dyshohet të jetë autor i një vrasjeje, ndërkohë që për të vijonin hetimet. Po ashtu thuhet se njëri nga atentatorët priste në motor dhe tjetri në këmbë, duke i zënë pritë viktimës.
Zona ku ndodhi ngjarja nuk kishte kamera sigurie, pasi ishte një rrugicë pa ndriçim dhe pa biznese. Sakaq, në vendin e ngjarjes menjëherë shkuan forcat policie, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.