Kompanitë e naftës në Shqipëri janë kthyer në një gropë e zezë për ekonominë shqiptare, duke thithur miliona e miliona euro ndër vite. Njëherësh janë pasuruar zyrtarë të lartë, që nga kryeministra, zv.kryeministra, ministra dhe zv.ministra. Të gjithë nga PD dhe LSI. Pa përjashtuar dhe Koço Kokëdhimën si “Pashai i Jugut” dhe që kishte deri para disa ditësh njeriun e vet në krye të Alpetrol, Endri Pukën. Por që ende nuk kanë dalë rezultatet e abuzimeve në këtë periudhë ose janë gjëra të thjeshta krahasuar me vjedhjet dhe pastrimin e parave që janë bërë gjatë qeverisjes së PD dhe të LSI.
Vjedhja e ARMO filloi në vitin 2008 me privatizimin e kësaj kompanie, ku përfitoi biznesmeni i familjes Rezar Taçi. I cili ndonëse u deklarua se do të derdhte të arkën e shtetit 128 milionë dollarë, ai nuk derdhi asnjë lek, vetëm kaparin. Megjithëse në një komunikim si “rastësisht” me publikun përmes emisionit të Fevziut ai deklaroi se kishte derdhur 162 milionë dollarë për arkën e shtetit pas privatizimit. I fshehur pas një kompanie amerikane, në vitin 2008 mori në kontroll 85% të aksioneve të ARMO nëpërmjet kompanisë Anika Mercuria Rafinery Associated Oil, AMRA Oil, për 128 milionë euro, Taçi e vodhi ARMO-n kompaninë shtetërore të naftës në Shqipëri.
AMRA Oil ishte 80% në pronësi të Anika Enterprises –një kompani e regjistruar nga Taçi në Zvicër – e 20% në pronësi të Referinery of Texas. Ndërkohë gjithçka filloi pasi e privatizoi kompaninë duke marrë një kredi të dyshimtë nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit që është direkt në duart e presidentit azer Ilham Aliyev, drejtuesit e së cilës janë nën arrest për mashtrim financiar në kryeqytetin e Azerbajxhanit.
Nga 2009 deri në 2013, nën drejtimin e biznesmenit Rezar Taçi që kishte lidhje të ngushta me familjen e ish kryeminsitrit Sali Berisha, financonte aktivitetin privat të Liri Berishës, ARMO u rrënua dhe u shndërrua nga një kompani e shëndoshë financiarisht në një shoqëri aksionere të mbytur në borxhe ndaj bankave, tatimeve dhe furnitorëve. Përmes të gjitha manipulimeve të mundshme biznesmeni i familjes kryeministrore Berisha të asaj kohe, Rezar Taçi i zhvati shtetit shqiptar një shumë përmbi 270 milionë dollarë.
Ndërkohë që kompania rrënohej, vetëm ai që bëri tenderin, ish Ministri Genc Ruli saktëson se fitimi vjetor i kësaj kompania kur administrohej nga shteti shkonte mbi 3 milionë dollarë, ndërkohë që vitet e fundit kishte mbërritur afër 10 milionë dollarë në vit. Dhe si gjithnjë kompanitë lobuese të Berishës, merren dhe me analizën dhe konsulencën e këtij privatizimi. Dhe ajo ishte “Patton Boggs”.
Tenderi për privatizimin e ARMO-s u organizua nga ministria e Ekonomisë në maj 2008 dhe vlerësimi i ofertave u asistua nga kompania amerikane e konsulencës “Patton Boggs”. Patton Boggs nuk kishte bërë një vlerësim të thelluar të kompanisë, por konsulenti amerikan i kishte dhënë qeverisë shqiptare një çmim që ato mund të prisnin nga privatizimi që shkonte deri në 65 milionë USD.
Ndërkohë që komisioni i kryesuar nga ish zv.ministri Neritan Alibali shqyrtoi oferat dhe pranoi atë të kompanisë pas të cilës fshihej Rezar Taçi për 128 milionë euro. Duke e privatizuar këtë kompani të familjes. Historia tashmë dihet, është shkruar shpesh, ndërsa përfaqësuesit Azerbajxhanit kërkuan paratë e tyre që Taçi nuk i kthente duke çuar në sekuestro bankën që kishte dalë garant. Nga ku dhe një nga pistat e hetimit për vrasjen e ish kreut të kësaj banke Artan Santo është dhe ajo azere.
Megjithatë, Taçi e zhvati, e kaloi dorë më dorë dhe në fund askush nuk ka mbajtur përgjegjësi deri këto ditë. Kur kjo dosje ka mbërritur në prokurori dhe pritet të shqyrtohet me përparësi. Ata që pritet të jenë në bankën e të akuzuarve përpos Rezar Taçit që është tashmë për mashtrim, do të jenë dhe ish ministri Genc Ruli, ish zv.ministri Neritan Alibali dhe kryeministri Sali Berisha. Të cilët përveç privatizimit abuziv, vjedhjes së pasurisë shtetërore pastruan dhe para përmes ARMO-s. Madje Berisha i dha miliona euro sërish Rezar Taçit, me vendim qeverie.
Meta mori “pjesën” prej 85 milionë USD për “Alpetrol”
Ndërkohë që historia e privatizimit të “Alpetrol” i ishte lënë Metës, asokohe zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm në qeverinë Berisha, që të menaxhohej. Më saktë të vileshin paratë. Përpos pastrimit të parave me fillimin e një procesi dhe pastaj me dështimin e privatizimit, e njëjta skemë thuajse me atë të privatizimit të “ARMO, Ilir Meta ia doli të marrë 85 milionë dollarë të garancisë që kompania fituese kishte derdhur.
Ministria e Ekonomisë, shpalli fituese kompaninë “Vetro Energy” për privatizimin e kompanisë më të madhe shtetërore për prodhimin e naftës “Albpetrol”. Kreu i komisionit të shqyrtimit të ofertave ish zv.ministri i Ekonomisë i LSI, Sokol Dervishaj, njëherësh dhe kamikaz i Metës që më pas u bë Ministër i Transporteve, dhe solli në “arkën” e Metës edhe 35 milionë dollarë të rrugës Tiranë-Elbasan.
Në tender ishte përcaktuar që çdo firmë duhej që të jepte një garanci prej 10% të shumës së investimit, që ishte 85 milionë euro. Por pasi u shpall fituese firma, ajo u tërhoq dhe në bazë të ligjit garancia prej 85 milionë eurosh duhej të mbahej nga qeveria. Mirëpo faktet treguan se garancia ishte tërhequr. Kandidati në atë kohë paraqiti një garanci nga American Chartered Bank e SHBA, e cila s’është në 50 bankat më të mira. Për të vërtetuar përshtatshmërinë e garancisë së ofertës, Komisioni kreu verifikimet e tij dhe, gjithashtu, i kërkoi konsulentit “Patton Boggs” kryerjen e verifikimeve përkatëse pranë Amercian Chartered Bank.
Sërish “Patton Boggs” firma lobuese e Berishës në SHBA. Deputeti socialist Erjon Braçe e akuzoi këtë kompani se kishte fituar mbi 3 milionë dollarë nga qeveria “Berisha” për lobim. Ndërkohë që kjo kompani garantoi kalimin e 85 milionë dollarëve të garancisë për “Alpetrol” të xhepat e Metës. Punët ishin të ndara në qeverinë e Berishës, jo vetëm pushteti por dhe “marzhi” i fitimit. Meta mori pjesën e tij, ndërsa shteti humbi shumë.
Pikërisht dhe këtë dosje do ta hetojë prokuroria e re, ku Arta Marku ka kërkuar me insistim një hetim të detajuar. Që do të tregojë më pas se si dyshja Meta-Berisha shkatërruan kompanitë e naftës për përfitime personale. Ndërkohë që për ta tashmë burgu është më afër se kurrë. Ndaj janë të acaruar dhe kërcënojnë herë me grusht shteti e herë me tërheqje zvarrë të qeverisë. Ndërkohë që tërë goditjen nuk e kanë ndaj qeverisë së Ramës por ndaj aleatëve tanë amerikanë dhe të BE. Që ua kanë bërë jetën “malore”, i kanë bërë “kaps” përmes zbardhjes së aferave dhe mbështetjes së Arta Markut që të përfundojnë të dy në burg.