Ende pa mbushur 25 vjeç, Sabriu, një djalë nga Durrësi, në qershor të 2017-s mori telefonatën që ndryshoi jetën përgjithmonë. Kompania austriake Bluforce ka studiuar profilin e tij në rrjetin profesional LinkedIn dhe i ka bërë ofertë për punë, duke i siguruar një pagesë mujore të lartë bashkë me strehimin në Salsburg të Austrisë. Emigrimi nuk ishte në planet e tij të afërta, pasi sapo kishte përfunduar studimet për shkenca kompjuterike në Universitetin Epoka dhe ishte në marrëdhënie pune me një nga kompanitë më të mëdha në vend të telekomunikacioneve. Që prej shtatorit 2017 jeton në Salsburg bashkë me të fejuarën.
Historia e Sabriut është e shumë të rinjve shqiptarë, të cilët po zgjedhin masivisht emigracionin për të jetuar dhe për të punuar. Pas vitit 2008, ekonomia shqiptare ofron më pak mundësi për punësim me vlerë të shtuar. Kompanitë e mëdha të telekomunikacionit dhe bankat që kanë punësuar në masë të rinjtë në vitet 2000, tashmë janë maturuar dhe po shkurtojnë vendet e punës për shkak të avancimit të teknologjisë.
Oferta për punë më së shumti është për sektorë që kërkojnë kualifikim të ulët si fasoni, tregtia dhe bujqësia, teksa vendi nuk po mund të zhvillojë sektorin e prodhimit me cikël të mbyllur, për të rritur më tej përfitimet nga pagat. Nga ana tjetër, teknologjia dhe interneti kanë rritur mundësitë dhe shanset e të rinjve për të aplikuar për punë dhe studime jashtë vendit, shumë më lehtë se një dekadë më parë. Për shkak të këtyre zhvillimeve është rikthyer emigracioni masiv dhe sidomos ikja e trurit, duke e zhveshur vendin nga forca e kualifikuar e punës dhe mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm.
Lorenc Goga, administrator i Facile.it, një kompani që ofron shërbime në web marketing, pohon se, gjetja e punonjësve shpeshherë është kthyer në një sfidë për aktivitetin. Mungesa e punonjësve të kualifikuar në shërbimet e TIK e kanë penguar atë të nënshkruajë një kontratë të re shërbimi, me një kompani të huaj.
Kontrata ishte për shërbime të një niveli më të lartë se web marketing dhe pagesat ishin premtuese, por mungesa e punonjësve të kualifikuar për këto shërbime po bëhet pengesë për nënshkrimin e saj. Goga më shumë se emigracionin, bën me faj sistemin arsimor në vend që, në dekadën e tretë të tranzicionit, nuk po mund të përmbushë nevojat e tregut të punës.
Emigracioni i trurit është duke dëmtuar rëndë edhe shërbimin shëndetësor në vend. Sipas të dhënave nga Urdhri i Mjekut, në tre vitet e fundit, e kanë lënë vendin më shumë se 600 mjekë, ku vetëm gjatë 2017 kanë kërkuar referencë largimi rreth 167 të tillë, kryesisht kardiologë, ortopedë, pediatër etj. Përgatitja e një mjeku kërkon së paku 20 vjet vetëm arsimim, ndaj zëvendësimi i tyre është i vështirë. Ndërkohë spitalet e Sarandës, Përmetit dhe Dibrës janë pothuajse pa stafe mjekësore.
Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë viteve 2015-2017 kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian 132 mijë shqiptarë, por nga ana tjetër, mijëra të tjerë janë laruar nga vendi me kontrata pune, studime, me Lotarinë Amerikane, me aplikime për në Kanada ose po bashkohen me të afërmit e tyre, teksa emigracioni i paligjshëm po lulëzon deri në Australinë e largët.
Më e keqja është se gjysma e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri po planifikojnë të ikin nga vendi. Sipas anketimit që ka bërë Barometri i Ballkanit, 50% e të anketuarve më 2017 janë përgjigjur se po planifikojnë të largohen nga vendi. Kjo tendencë po vjen në rritje, pasi më 2016 kishin pohuar se po merrnin në konsideratë të largoheshin nga vendi 48% e të anketuarve.
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, tha se problemi i papunësisë dhe i krijimit të vendeve të punës dhe me paga të pëlqyeshme do të jetë një sfidë për të cilën nuk ka ndonjë adresim të posaçëm nga autoritetet publike edhe për 2018-n. Për këtë arsye, problematika sociale dhe ekonomike do të vazhdojë të mbetet e mprehtë dhe serioze dhe shqiptarët do të dëshirojnë të largohen gjithnjë e më shumë në kërkim të mundësive më të mira. FMN llogariti në një studim të fundit mbi efektet e emigracionit në ekonominë e Ballkanit se, PBB-ja e Shqipërisë ka humbur 18% në dy dekadat e fundit, si rezultat i largimit masiv të “trurit”.
Shifrat e udhëtimeve zbulojnë emigracionin galopant pas 2014-s
Me gjithë të dhënat indirekte mbi emigracionin që vijnë kryesisht nga vendet e Bashkimit Europian, ku ikin më së shumti shqiptarët, statistikat e sakta mbi efektin në popullsi gjatë kësaj dekade do t’i mësojmë në Censusin e vitit 2021. Por megjithatë, të dhënat nga INSTAT mbi hyrje-daljet e shqiptarëve jashtë vendit, tregojnë se gjatë viteve 2014-2016, tendencë që ka vijuar edhe për 2017, numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë vendit nga pikat e kalimit kufitar është shumë më i lartë se kthimet e tyre në këto pika.
Diferenca ndërmjet hyrje-daljeve tregon se një numër i madh shtetasish shqiptarë janë larguar nga vendi dhe nuk janë kthyer më. Gjatë vitit 2014, udhëtuan jashtë vendit më shumë se 4 milionë shqiptarë, teksa për të njëjtin vit janë kthyer në vendin tonë 3 milionë e 872 mijë shtetas shqiptarë.
Diferenca e shqiptarëve të pakthyer është 273 mijë persona dhe ka vijuar të thellohet gjatë vitit 2015, kur vendi u përball me një fluks jo të zakontë ikjesh të shqiptarëve jashtë vendit kryesisht për azil ekonomik. Diferenca mes hyrjeve dhe daljeve u thellua në vitin 2015, me mbi 405 mijë persona. Flukset e emigracionit u zbutën disi më 2016, teksa diferenca mes hyrje-daljeve ishte 259 mijë persona, por në 2017-n u rrit sërish në 373 mijë persona.
Tendencën e shqiptarëve për të udhëtuar jashtë vendit me qëllim për të mos u kthyer më e pohojnë edhe agjencitë e udhëtimit dhe konsulencës për viza.
Berlin Travels and Tours, një agjenci në Rrugën e Durrësit që asiston qytetarët për viza dhe udhëtime, kishte ditët e fundit një fluks kërkesash për aplikime dhe orientim për kontrata pune jashtë vendit. Punonjëset e saj thanë se vitet e fundit është rritur shumë interesi i shqiptarëve për të ikur jashtë vendit, sidomos nëpërmjet kontratave të punës dhe për studime.
Gjatë bisedës sonë, Ariani, një burrë 45 vjeç nga Tirana, me profesion montator, është në procedurat e fundit për t’u larguar nga vendi drejt Gjermanisë, pasi më herët gjatë dhjetorit kishte siguruar një kontratë pune në Gjermani. Ai pohoi se në Tiranë nuk pati kurrë një punë fikse, edhe pse me kualifikim në çështjet e mekanikës.
Punonjëset pohojnë se, nga viti në vit, ka një rritje të madhe të interesit për t’u larguar nga vendi sidomos për moshat 16-45 vjeç, kryesisht për punë dhe studime. Të interesuarit kërkojnë konsulenca për të ikur në mënyrë të ligjshme, duke studiuar opsionet e vizave dhe llojet e punësimit. Por ndërkohë janë shfaqur tendenca të reja emigracioni ku, përveç Gjermanisë, shumë të rinj po ikin nga vendi nëpërmjet vizave turistike në Australi dhe në Zelandën e Re.
Rikthehet ikja e “trurit”, shërbimi shëndetësor në alarm
Gjatë vitit të kaluar, në Pavijonin e Pediatrisë, në Qendrën Shëndetësore “Nëna Tereza” u desh shumë për të mbuluar vendin vakant nga jashtë vendit e një mjeku të ri.
Kjo ishte e pazakontë për spitalin më të madh në vend, pasi kërkesa për punësim në këtë qendër është gjithmonë e lartë. Teksa edhe QSUT po vuan pasojat e emigracionit të mjekëve, spitalet e rretheve paraqiten me mungesa të mëdha.
Kryetari i Urdhrit të Mjekut, Fatmir Ibrahimi, tha se edhe në Shqipëri, si në të gjitha vendet e Europës Lindore, ka një tendencë të largimit të mjekëve drejt Perëndimit, si një e drejtë themelore e individëve për lëvizje të lirë dhe kushte më të mira jetese. Zoti Ibrahimi thotë se, ikja e mjekëve po shihet me shqetësim, pasi përgatitja e tyre është me kosto, kërkon kohë dhe zëvendësimi nuk është i lehtë.
Të dhënat konfidenciale nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se tre vitet e fundit kanë ikur nga vendi më shumë se 600 mjekë. Deri në fund të vitit 2016, Urdhri i Mjekut referoi se ishin tërhequr rreth 400 referenca nga mjekët për të ikur jashtë vendit, ndërsa në vitin 2017 janë tërhequr rreth 170 referenca të tjera.
Sipas të dhënave kanë ikur më shumë se dy breza të mjekësisë, pasi në një vit diplomohen mesatarisht rreth 250 studentë. Pjesa më e madhe e tyre aplikojnë direkt për të ikur jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, pa u ofruar më parë në tregun vendas të punës. Situata po shndërrohet në alarmante, teksa spitalet në rrethe janë pothuajse pa staf. Në spitalet e Sarandës, Përmetit, Dibrës etj., mungojnë të gjitha specialitetet.
Zoti Ibrahimi tha se në Shqipëri ka paragjykim të theksuar ndaj mjekëve, sidomos për korrupsionin dhe, nga ana tjetër, nuk ekzistojnë ligjet për mbrojtjen e tyre. Trajtimi i dobët financiar, mungesa e mbështetjes morale, po i shtyjnë mjekët të largohen nga vendi për të kërkuar një standard të mirë ndaj vetes dhe profesionit ndaj tyre. Ibrahimi thotë se të jesh mjek nuk është profesion i lehtë, por gjithashtu të bëhesh mjek ka kosto. Prandaj gjermanët kërkojnë mjekë nga Lindja, pasi nuk preferojnë ta ushtrojnë këtë profesion.
E njëjta situatë, edhe për infermierët. Vitin e kaluar kanë kërkuar referencë më shumë se 600 infermierë, tha Sabri Skënderi, Kryetar i Urdhrit të Infermierit. Jo i gjithë ky kontingjent ka ikur nga vendi, por gjithsesi janë në procedura për t’u larguar ose në përpjekje për të siguruar kontratat e punës. Në aspektin ekonomik, ky është një investim i humbur i shtetit shqiptar pasi, ata janë arsimuar me kontributin e taksapaguesve shqiptarë, thotë zoti Skënderi.
Mirëpo në Shqipëri, tregu ka aktualisht mbifurnizim me infermierë dhe jo të gjithë ata që mbarojnë studimet në këtë degë integrohen në tregun vendas të punës. Sektori publik nuk po zgjerohet dhe privati gjithashtu shihet së është maturuar disi, prandaj shumica shohin si zgjidhje largimin nga vendi. Në aspektin social dhe individual, kjo është një zgjidhje e drejtë e tyre në drejtim të përmirësimit të standardit të jetesës dhe rritjes profesionale.
“Në këtë aspekt, ne duhet të bashkëpunojmë më shumë me vendet pritëse të infermierëve tanë, si p.sh. Gjermania, me qëllim që ata të investojnë që në procesin arsimor shqiptare në mënyrë që të marrin një trupë të kualifikuar”, tha ai.
Profesor Kosto Bajraba, në një studim të posaçëm për emigracionin e “trurit”, ka gjetur se gjatë periudhës 1990-2003, rreth 45% e profesorëve dhe kërkuesve në universitete dhe institucione emigruan, ashtu si dhe më shumë se 65% e dijetarëve që morën doktoraturë në Perëndim në periudhën 1980-1990. Edhe mijëra të diplomuar në universitet u larguan. Shumica morën anëtarë të familjes së tyre, referon më tej Bajraba.
Sipas studimit të tij, arsyeja për këtë migrim është mungesa e mundësive për punësim në Shqipëri. Nëse gjendja ekonomike dhe sociale e vendit nuk përmirësohet, ikja e trurit në Shqipëri do të vazhdojë të jetë një shqetësim, pasi legjislacioni shqiptar aktualisht nuk paraqet pengesa për migracionin dhe faktorët ndikues duket se do të vazhdojnë të tërheqin të arsimuarit.
Ky zhvillim ka kosto sociale dhe ekonomike për Shqipërinë. Emigrantë me kualifikim të lartë në SHBA dhe Kanada po marrin me vete një sasi të konsiderueshme parash, që përfaqëson një eksport neto të kapitalit.
Për më tepër, studimet tregojnë se jashtë vendit, shumë emigrantë me arsim të lartë nuk punojnë në fushat e tyre të specializimit, duke përfshirë 74% në Greqi, 67% në Itali, 58% në Austri dhe 70% në Shtetet e Bashkuara.
Emigracioni vë në vështirësi bizneset
Forca e aftë e punës ka qenë një problem i hershëm që ka shoqëruar sipërmarrjet shqiptare por, së fundmi, bizneset e sektorit call center, shërbimeve teknologjike dhe teknologjisë së informacionit kanë nisur të ndiejnë mungesën e interesit për të punësuar edhe operatorë të thjeshtë. Lorenc Goga, administrator i Facile.it, që ofron shërbime në web marketing pohon se, në momente të caktuara, gjetja e disa profesioneve specifike ka qenë shumë e vështirë, jo vetëm për IT, por edhe për ekonomistë të profilit, menaxherë etj.
Goga tha se, Shqipëria është një vend mjaft interesant për eksportin e shërbimeve, për shkak të aftësive që të rinjtë kanë në zotërimin e gjuhëve të huaja, por sistemi arsimor dhe emigracioni i vazhdueshëm po krijojnë probleme për të plotësuar nevojat që ka tregu i punës. Përgjithësisht, shkollat tona kanë “prodhuar” një forcë pune ku dominojnë profilet me formim shoqëror si shkencat sociale, ligjet, teksa e ardhmja është nga teknologjia dhe profesionet e lidhura me të.
Në Shqipëri, edhe ata që studiojnë në teknologjinë e informacionit, nuk marrin njohuritë e mjaftueshme për standardet e shërbimeve të TIK që kërkojnë kompanitë e huaja. Goga thotë se kanë në plan të zgjerohet, duke ofruar disa shërbime TIK që kërkojnë aftësi më të larta, por gjetja e punonjësve e ka bërë të vështirë zgjerimin. Goga thotë se për disa shërbime janë duke kërkuar punonjës IT nga jashtë, edhe pse kjo mënyrë ka kosto të larta.
Nga ana tjetër, të rinjtë IT po joshen të ikin nga vendi për shkak të mundësive të mira të punësimit kundrejt pagesave më të larta. “Aplikimin e kam bërë në rrjetin social profesional, LinkedIn, si dhe disa aplikime të tjera që kam bërë më parë nëpërmjet disa faqesh punësimi ndërkombëtare”, tha Sabri Nuzi, i cili sapo ka përfunduar studimet e larta në Shqipëri për shkenca kompjuterike dhe tashmë ka siguruar një kontratë pune në Austri.
Ai tha se ka shumë arsye që e kanë bërë të largohet nga vendi, por kryesore janë ekonomia me tendencë rënie (që ndikon drejtpërdrejt investimin në fushën tonë të teknologjisë), arsimi dhe mjekësia në nivele të ulëta, si dhe mentaliteti për të parazituar tek politika etj.
Ai tha se shumica e shokëve të tij në Shqipëri duan të largohen nga vendi dhe po bëjnë përpjekje që t’ia arrijnë, ndërsa nuk ka ndër mend të rikthehet nëse gjërat nuk ndryshojnë për më mirë.
Kompania I.N.C.A. Nord Fish, që ushtron aktivitetin në Lezhë, në përpunimin e peshkut, i ka shpëtuar për pak falimentit, kur rreth 60% e fuqisë punëtore emigroi në vitin 2015. Alban Zusi, administrator i saj, thotë se sot e kësaj dite ende po ndihen pasojat e ikjes masive të punonjësve.
Prodhimi nën kapacitete vuri në rrezik zbatimin e kontratave në fuqi me partnerët e huaj. Dy kontrata të reja që ishin duke u negociuar, dështuan. “M’u desh një kohë shumë e gjatë që të rikuperoj fuqinë punëtore dhe humbjet e krijuara”, pohon Zusi. Të larguarit ishin punonjës të kualifikuar, kishin vite që punonin dhe disa prej tyre ishin edhe në pozicione drejtuese.
Ikja e tyre ka lënë një hendek të madh në burimet e kualifikuara të fabrikës, të cilat vështirë të rikuperohen edhe për disa muaj”. Vala e emigracionit në vitin 2015 duket të ketë qenë fatale më shumë për bizneset në rrethe. Flamur Hoxha, një biznesmen me përvojë në sektorin e fasonit, tha se, bizneset e kësaj linje në rrethe po përjetojnë mjaft vështirësi nga largimi i fuqisë punëtore jashtë vendit, sidomos vitin e shkuar. Ndryshe nga Tirana, ku ka përqendrim të madh të popullsisë dhe emigracioni i 2015-s nuk ka lënë shumë pasoja, në rrethe situata ka qenë fatale. Bizneset fasone në qytetin e Lezhës, Shkodrës, Beratit e Korçës janë vënë seriozisht në vështirësi për ekzistencë.
Emigracioni dhe lindjet zhbalancojnë forcën e punës
Popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi), pohon INSTAT në një studim të posaçëm për projeksionet e popullsisë deri më 2030.
Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet një rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës. Duke ikur, lirojnë hapësirat për punësim për ata që mbeten.
Efekti pozitiv i rënies së papunësisë (në mënyrë mekanike për shkak të emigrimit) përveç të tjerash qëndron dhe në faktin se reduktohen shpenzimet buxhetore për të paguar kategorinë e të papunëve, analizon INSTAT. Megjithatë, në të njëjtën kohë që reduktohet buxheti për mbulimin e pagesës sociale për të papunët, si pasojë e uljes së numrit të papunësisë nga emigracioni, reduktohen dhe të ardhurat nga taksimi në buxhet, i ardhur për të njëjtën arsye, nga emigracioni. Në një situatë të tillë, shumë shpejt vendi do të humbë konkurrueshmërinë në rajon edhe për investimet e huaja. Aktualisht, është krahu i lirë i punës që ka sjellë në Shqipëri kompanitë e huaja. Por gjatë dekadës së ardhshme, edhe kjo mundësi duket se do të shterojë.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017, popullsia në grupmoshën nga 15-44 vjeç, që është pjesa më energjike e tregut të punës, ra me 162 mijë persona në krahasim me vitin 2001, ose me 11.6%. Rënien më të fortë shihet ta ketë grupmosha 15-19 vjeç, me më shumë se 24%. Më tej, rënie të madhe ka pësuar popullsia në moshën 35-45 vjeç, kur në vitin 2017 numërohen 330 mijë persona më pak se në vitin 2001.
Më pas, struktura e popullsisë në moshë pune shënon rritje të fortë për moshën 45-64 vjeç, duke u shtuar me 208 mijë persona ose 38% në krahasim me vitin 2001.
Struktura e popullsisë në moshë pune është përfshirë në një tranzicion të thellë, duke lajmëruar se pas dhjetë vitesh do të krijohet hendek për zëvendësimin e atyre që dalin në pension.
Popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme, me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi). Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës.
Duke ikur, lirojnë hapësirat për punësim për ata që mbeten. Efekti pozitiv i rënies së papunësisë (në mënyrë mekanike për shkak të emigrimit), përveç të tjerash qëndron dhe në faktin se reduktohen shpenzimet buxhetore për të paguar kategorinë e të papunëve. Megjithatë, në të njëjtën kohë që reduktohet buxheti për mbulimin e pagesës sociale për të papunët, si pasojë e uljes së numrit të papunësisë nga emigracioni, reduktohen dhe të ardhurat nga taksimi në buxhet, i ardhur për të njëjtën arsye, nga emigracioni. Në një situatë të tillë, shumë shpejt vendi do të humbë konkurrueshmërinë në rajon edhe për investimet e huaja. Aktualisht është krahu i lirë i punës që ka sjellë në Shqipëri kompanitë e huaja. Por në dekadën e ardhshme, edhe kjo mundësi duket se do të shterojë.
Efekti negativ në rritjen ekonomike 18%, në dy dekada
Emigracioni i forcës së kualifikuar të punës ka ndikuar shumë negativisht në rritjen e ekonomisë së vendit. Një studim i Departamentit të Europës në FMN, ka gjetur se gjatë periudhës 1995-2012, emigracioni ka pasur efekt negativ me 18% në PBB e vendit. Kjo humbje ishte më e larta se në vendet e tjera të rajonit, me shkak emigracionin. Dëmi më i madh, sipas FMN, është krijuar nga emigrimi i forcës së kualifikuar të punës.
Humbjet më të larta në PBB, me rreth 16%, i ka krijuar ikja nga vendi i forcës së kualifikuar të punës, në raport me emigrantët që kanë pasur aftësi të ulëta.
Nëse nuk do të kishte pasur emigracion, atëherë FMN ka llogaritur se rritja mesatare e Shqipërisë për të njëjtën periudhë do të kishte qenë rreth 9%, pra rreth 2 pikë përqindjeje më shumë. Kjo është diferenca më e madhe mes rritjes faktike dhe asaj potenciale (pa emigracion) që raporton FMN për vendet e Europës Lindore. Në shtetet e tjera, humbja nga emigracioni ka qenë më pak se një pikë përqindjeje.
Sipas raportit të FMN-së, hapja e Europës Lindore ndaj pjesës tjetër të botës në fillim të viteve ’90 solli përfitime të mëdha. Rrjedhja e kapitalit dhe inovacioni ka çuar në krijimin e institucioneve më të mira, menaxhimit më të mirë ekonomik dhe përfitueshmërisë më të lartë. Nga ana tjetër, ka çuar në daljen e vazhdueshme dhe të konsiderueshme të njerëzve.
Afërsisht 20 milionë persona, shumica prej të cilëve të rinj dhe të aftë, të barasvlershëm me popullsinë e Çekisë dhe Hungarisë, kanë lënë rajonin për të kërkuar mundësi më të mira jashtë. Pavarësisht se ata kanë kontribuar në vendet e zhvilluara ku kanë shkuar, largimi i tyre ka ngadalësuar rritjen dhe konvergjencën e vendeve të origjinës me standardet e jetesës në Europë.
Një hartë e publikuar nga OKB së fundmi tregonte se në vitin 2015, rreth 1.12 milionë shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e bashkuar 10 mijë.
Sipas Censusit të fundit të INSTAT, rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë tashmë 40% të atyre që banojnë në vend. Ritmet e rritjes së popullsisë janë shumë të ulëta, për shkak të rritjes së moshës mesatare (që ka arritur rreth 37 vjeç) dhe përshpejtimit të emigracionit, sidomos vitin e fundit.
Majko jep shkaqet e largimit: Kriteri ekonomik, arsyeja themelore
Ministria e Diasporës, një ent publik i krijuar në qeverinë “Rama 2”, ka hartuar Strategjinë Kombëtare të Diasporës dhe Migracionit 2018-2024, në të cilën evidentohen tre shkaqet kryesore pse emigrojnë shqiptarët. Qeveria shqiptare pranon se shkaku kryesor është faktori ekonomik. “Shqiptarët largohen kryesisht për arsye ekonomike, të tilla si mungesa e mundësive për punësim, kushtet e vështira të jetesës, veçanërisht në disa zona ku mungojnë kushtet elementare si energjia elektrike, uji dhe strehimi”, thuhet në dokumentin e qeverisë që është në formën e një projekti në fazën e konsultimit.
Arsyeja e dytë konsiderohet siguria publike. Shqipëria është përballur me flukse masive emigratore, si pasojë e nivelit të ulët të sigurisë publike apo trazirave në vend. Një numër i madh i personave të kualifikuar me kushte të mira ekonomike janë larguar nga vendi për një të ardhme më të sigurt për veten dhe familjen e tyre.
Arsyeja e tretë janë institucionet e dobëta, të cilat kanë krijuar mungesë besimi te qytetarët për përmirësimin e situatës në vend, ku krimi i organizuar dhe korrupsioni paralizojnë funksionimin normal të institucioneve shtetërore.
Gjithashtu dokumenti qeveritar shpjegon se institucionet e dobëta dhe vështirësitë në zbatimin e ligjit ndikojnë në përpjekjet e emigrantëve për t’u rikthyer. Dokumenti i Ministrisë së Diasporës sqaron se, në vitin 1990, 40% e arsimtarëve dhe studiuesve u larguan nga vendi. Fenomeni vijon me përmasa të mëdha, pasi largimi i trurit nuk përfshin vetëm akademikët apo personat e kualifikuar të fushave të tjera, por një numër i madh studentësh largohen jashtë vendit.