Për deputetin demokrat, Enkelejd Alibeaj, opozita e mori fidbekun që kërkonte nga populli shqiptar në protestën e djeshme.
Duke e konsideruar një test të kaluar, Alibeaj në intervistën e mbrëmjes në Ora News tha se pjesmarrja masive e qytetarëve provoi se shumica e shqiptarëve refuzojnë të mbështesin dhe votojnë këtë qeveri.
Alibeaj: Ajo e djeshmja është një mjet por jo i fundit dhe jo i vetmi. Thelbi nëse një qeveri rri në këmbë apo nuk është fakti nëse ka marrë në një moment të caktuar, apo ka vjedhur në një moment të caktuar mbi 70 mandate në parlament. Jo. Thelbi është a ekziston mbështetja e shumicës së shqiptarëve për një qeveri që ka zgjedhur në një moment të caktuar, shumicë që do duhet të vazhdojë për katër vite. Në një moment të caktuar nëse testohet, provokohet kjo lloj mbështetje dhe rezulton se kjo mbështetje është shumë më pak se shumica e shqiptarëve siç rezultoi dje.Jo vetëm ata që u derdhën në bulevardin e Tiranës por edhe ata që nuk erdhën dot dje, e më tepër të gjithë ata që janë degdisur me dhunë nga kjo mazhorancë janë të gjithë qytetarë shqiptarë që refuzojnë këtë qeveri dhe që përbëjnë shumicën dërmuese të shqiptarëve, jo domosdoshmërisht të gjithë ata na votojnë ne, por nuk mbështesin dhe nuk votojnë këtë qeveri. Ky është testi.
Po cila janë mjetet që do të përdorë opozita?
Alibeaj: Ne kemi motivin, mbështetjen, legjitimitetin të përdorim çfarëdo mjeti, teknike, për të rrëzuar edhe formalisht këtë qeveri. Kemi fatin e mirë dhe përgjegjësinë e madhe që në gjitha përgjegjësitë që do marrim kemi shqiptarët me vete. Teknikat janë vetëm për tu gjetur, artikuluar, për tu pleqëruar midis opozitës në nivel politik.Kjo është sfida që do të duhet të kenë palët politike. Do të duhet ti përgjigjemi me të njëjtën gjatësi vale që shqiptarët kërkojnë.
E ndërsa ka pasur skepticizëm mbi mesazhet politike që u përcollën, Alibeaj ndan këtë opinion.
Alibeaj: Publiku shqiptar kërkon shumë më tepër sesa artikulim politik. Ju thoni se ka pasur skepticizëm mbi deklaratat nuk më rezulton e tillë. Ne thirrëm shqiptarët dje të shprehin protestën e tyre për ekonominë, varfërinë, papunësinë, depresionin social, i thirrëm të qëndrojnë në Shqipëri dhe të protestojnë dhe të mos ikin me bisht ndër shalë natën nga ky vend nga shtëpitë e tyre, nga familjet e tyre. Ne i thirrëm shqiptarët dje që demokracia e brishtë e këtij vendi të vazhdojë të qëndrojë e fortë sepse kjo e keqe fundin e ka shumë të afërt, kjo e keqe që quhet mazhorancë, kjo e keqe që e ka emrin Edi Rama që shkel Kushtetutën dhe rregullat e demokracisë që nuk janë të vetat por të publikut shqiptar. I thirrëm edhe për çështjen e drejtësisë, eleminimin e këtij mekanizimi kontrolli që bota ka shpikur për të mbajtur nën tutelë brenda ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë pushtetin. Këto u thanë dje, kanë qenë pardje dhe do thuhen dhe nesër.Ishin pikërisht këto teza që për ne ishin test që shpërndamë tek publiku shqiptar. Ishte test nëse do të rezononin tek shqiptarët dhe rezonuan. Këto janë hallet, problemet e publikut shqiptar.
Aspak spekticizëm nuk ka. Ka pasur zëra që të përdornim dhunë, ta bënim më radikale, ta bënim tym dhe flakë. Jo, kjo është një opozitë e përgjegjshme, kurrsesi nuk ka të ngjarë me opozitën e djeshme, ai që sot është kryeministër i cili për asnjë arsye dhe asnjë motiv politik që kishte të bënte me qeverisjen kalli tym dhe flakë me një trupë kaçakësh, e mbani mend 21 janarin.Jo. Forca e vërtetë e protestës janë pikërisht masiviteti.Të gjithë ata i bashkoi një hall i përbashkët, largimi një orë e më parë i mazhorancës, qeverisë, i Edi Ramës. Ne kemi detyrimin që të përdorim të gjitha mjetet demokratike në mënyrë proporcionale që shkon nga kjo protestë, nga ndërgjegjësimi, nga një angazhim cilësor i ndryshëm në parlament deri në mosbindje civile.Këto janë teknika që do të diskutohen edhe njëherë brenda përfaqësuesve të opozitës dhe jo vetëm. Kurrsesi nuk duhet ta konsiderojmë që ishte vetëm një organizim i politikës, vetëm një organizim politik.Këtu kauza e vetme politike që diskutohet është mbijetesa e shqiptarëve në këtë vend.
Deputeti demokrat thotë se pret ndonjë mrekulli që mazhoranca të reflektojë pas protestës së djeshme, sikundër thekson se opozita nuk do ta varë shpresën tek reflektimi i mazhorancës.
Alibeaj: Do shpresoja dhe pse nuk kam asnjë lloj besimi të kishte një reflektim nga mazhoranca. Elementët e frikës, panikur dhe terrorit i kam parë tek Edi Rama.I pashë dhe në seancë parlamentare, si kurrë më parë ndonjëherë përfaqësuesit e mazhorancës në të gjitha fjalimet e tyre bënin vetëm një gjë, u drejtoheshin shqiptarëve duke u thënë: Mos protestoni!E kam të vakët në mos aspak shpresë që të ketë reflektim nga ana e mazhorancës, mrekullia edhe mund të ndodhë. Por ne nuk do të varim shpresën tek reflektimi i mazhorancës por do të besojmë tek qytetarët shqiptarë, ata do të kenë prirje opozitën dhe të marrin fatet e tyre në dorë.