Loading...

Fevziu komenton lëvizjet e fundit në media: Si e shoh rikthimin e Ben Blushit në gazetari, s’do thyhet kollaj

Ka patur lëvizje interesante këto kohë në tregun e moderatorëve më të rëndësishëm të programeve politike, ndërkohë që superlajmi është rikthimi i Blushit në gazetari. Si i sheh këto ndryshime moderatori i “Opinion”, Blendi Fevziu dhe si e sheh veten në raport me këtë konfigurim të ri të konkurrencës. Lexoni intervistën e realizuar për “Panorama Plus”.

Këto kohë po flitet se Ben Blushi, miku juaj i hershëm, do i rikthehet gazetarisë si Drejtor i Përgjithshëm në Top Channel. Si ju duket kjo zgjedhje e tij për të këmbyer politikën me gazetarinë si prioritet?

Për mua ishte i papritur dhe e përjetova me dy ndjesi kontradiktore. Me keqardhjen që politika humbi edhe një tjetër ndër personazhet e saj cilësorë; me trishtimin që një ide e re si LIBRA nuk rezultoi fituese, por, për mua, rezultoi padyshim e suksesshme. Pak kush ka triumfuar me tentativën e parë, por me gjasë, Blushi vendosi të ndalojë. Jam munduar të flas me të, por ndihej që ai s’donte të vazhdonte më. Keqardhja në këtë rast është edhe përtej Blushit. Veç tij, ky vit, largoi nga vendimmarrja politike edhe emra të tjerë me personalitet e histori në politikë. Për shumë prej tyre, unë besoja se mund të jepnin ende kontribut, por kjo s’ka më rëndësi. Rëndësi ka fakti që prurjet e reja, në të gjitha partitë, ngjajnë më shumë si prodhime skarco dhe pak ose aspak të krahasueshme me emrat dhe personalitet që zëvendë- suan. Që ndryshimi të jetë i suksesshëm, ai duhet të vijë në një përfaqësim më cilësor. Për fat të keq, në prurjet e reja, shumica janë njerëz pa identitet ideologjik; pa personalitet të fortë; pa imponim publik dhe pa asnjë lloj karizme. Janë më shumë burokratë, që e shohin politikën si çështje numrash dhe jo fryme. Kjo ka sjellë trishtimin dhe mungesën e besimit që ekziston sot. Kjo ishte pjesa e trishtuar e lajmit. Ndjesia e mirë që pata, ishte lajmi për kthimin e tij në media.

Ju ka kërkuar ndonjë mendim, nëse po, çfarë këshille i keni dhënë?

Nuk kemi folur konkretisht, sepse, mesa di, nuk është ende një çështje e mbyllur, por në parim unë mendoj që vajtja e tij në krye të Top Channel, është një lajm i mirë për të gjithë. Për Topin në rradhë të parë, për gazetarinë serioze dhe për ne që punojmë në Klan apo televizione të tjera. Unë e njoh Ben Blushin që fëmijë. Ai është ndër njerëzit që merret me thelbin e gjërave, që lexon, ndjek zhvillimet në botë dhe del tej vizionit provincial që dominon shpesh mediat tona. Unë nuk e di se si do të jetë ai si drejtor, por jam i bindur që Blushi do investohet në gazetarinë serioze, në gjërat me thelb dhe nuk do ndjekë trendin fatkeq të 3-4 viteve të fundit që e ka reduktuar gazetarinë në nivele karnavaleske. Kudo në botë, gjërat janë bërë më fun. Mediat on line e kanë detyruar televizionin të lehtë- sojë formatet e tij. Nuk ka emisione shumë të rënda dhe shumë serioze. Por nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës, që çështjet serioze të injorohen, që thelbi të anashkalohet. Këtu po ngatërrohen padashje rrjetet sociale me televizionin. Po bëhen njësh. Edhe pse janë dy gjëra kaq të ndryshme. Për fat të keq, kjo po ndodh vetëm në Shqipëri. As në vendet fqinjë, si Kosova. E dyta, Blushi ka një staturë të fortë dhe nuk do thyhet kollaj nga presionet në media. As nuk besoj që do të reflektojë aty ndjesitë e tij personale ndaj qeverisë. E treta, shpresoj shumë që ai të krijojë një traditë ndryshe nga ajo e gazetarisë së pazareve dhe gazetarëve pazarxhinj, që po gëlojnë në media dhe që po i shohin hapësirat e tyre mediatike si mundësi për gjobvënie dhe shantazh financiar. Së fundmi, ardhja e tij në Top Channel shpresoj se do ndikojë në rritjen e konkurencës me Klan-in dhe si e tillë do të reflektohet edhe te ne. Kjo është padyshim pozitive. Ka vetëm një formulë magjike për ta çuar përpara një media dhe kjo është konkurrenca.

Mbi 20 vite të programit tuaj “Opinion”, ajo që i bie në sy audiencës, është një opozitë e fortë ndaj qeverisë në emisionet e muajve të fundit. Pse kjo zgjedhje? Si janë marrëdhëniet tuaja me Ramën, pasi ka kohë që nuk është parë në emisionin tuaj?

Emisionet e mia të fundit kanë reflektuar zhvillimet që kanë ndodhur. Nëse ato kanë qenë problematike për qeverinë, ky nuk është problemi im, por i qeverisë. Nëse çështja e hashashit, çështja Tahiri, ngjarjet e Elbasanit apo ARMO kanë qenë temat më të mprehta të këtyre 5 muajve, unë i kam trajtuar ato. Marrëdhëniet me Ramën s’kanë qenë as mirë, as keq, thjesh të korrekte. Aq sa marrëdhënie ka pasur. Sa për praninë në emision, ardhja e Ramës në “Opinion” nuk ka qenë kurrë e lehtë dhe këtë mund t’jua shpjegojë ai më mirë.

Ky vit ka filluar me lëvizje të bujshme në tregun e moderatorëve të rëndësishëm të emisioneve politike. Si e shihni këtë proces në të tërën e tij?

Nuk ka qenë një proces ristrukturimi i emisioneve, as produkt i analizave të audiencës, por lëvizje të imponuara nga largimi i papritur i Sokol Ballës prej Top Channel.

Thuhet se Sokol Balla hyri në konflikt me drejtuesit e “Top Channel” pas emisionit me Saimir Tahirin në shtëpinë në tij. Si ju duket Balla tani në Vizion plus? A është më pak konkurrent për ju?

Nuk i di detajet e konfliktit të Ballës me Top Channel dhe as e kam pyetur për këtë. Me emisionin në Vizion është një konkurrent më shumë. Po secili ka shikuesit e tij. Ju besoj e keni vënë re që unë jam nga të paktët që nuk postoj audiencat krahasuese. Ato janë thjesht orientuese për mua, në raport me vetveten, pra, nga një temë në tjetrën. Ndërkohë, në tregun e përgjithshëm mediatik shqiptar, “Opinion” është emisioni më i konkurruar. Unë kam nisur ditën e enjte, 20 vjet më parë dhe që nga ajo kohë kanë ardhur të enjten, edhe 5 emisione të tjera. Apo më shumë. Asnjë emision tjetër, i çdo dite të javës, në mëngjes apo në mbrëmje, i çdo zhanri, nuk ka një konkurrencë të tillë. Madje, as telenovelat. As lajmet. As muzika e as humori. Çdo televizion që nis, ose që do të rritet, tenton të sfidojë audiencën e “Opinion”, duke e konsideruar emision influent. Për fat, kjo i ka dhënë më shumë fuqi emisionit. Është pak a shumë si ato kampionatet e futbollit, që janë më të ndjekur, aty ku ka më shumë skuadra që garojnë. Ndërkohë, unë mbush 21 vite në ekran këtë vit.

Po Ylli Rakipi si ju duket tani në Top Channel, pasi është në të njëjtën orë me programin tuaj më të rëndësishëm të ditës së enjte. Do të preferonit Sokol Ballën apo Ylli Rakipin për çështje audience?

Unë kam konkurrencë nga e hëna të mërkurën 22:00 me 23:15 dhe të enjten 21:00 me 23:00. Çdo lloj emisioni, çdo emër moderatori, e madje edhe çdo film apo telenovelë janë konkurrentë. Të enjteve ajo që më shqetëson është një telenovelë turke e Klan Plus.

Ndërkohë, ka marrë mjaft kohë televizive edhe Eni Vasili, në ekranin më të ndjekur informativ, në News 24, duke u shfaqur tri herë në javë, por mund të jetë dhe të enjten në një kohë me “Opinion”. Si e shihni këtë ndryshim?

Ylli Rakipi, Sokol Balla, Eni Vasili, Zheji tek Ora News apo Roland Qafoku, janë të gjithë konkurrentë. Secili ka pjesën e tij të shikueshmërisë dhe merr një pjesë të shikuesve të tu. E thashë, asnjë mbrëmje tjetër televizive nuk krahasohet me të enjten në 21:00. Dhe kjo është për t’u krenuar.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com