Nga Ylli Manjani
Krim shtetëror! Nezir Seiti u arrestua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafik droge! E ka ekzekutuar Policia e Shtetit këtë urdhër! E di këtë gjë çdo qytetar i Republikës!
Por, nuk e di këtë gjë as Prokuroria e Përgjithshme, as Ministria e Drejtësisë, as Drejtoritë përkatëse, as Policia e Shtetit që ka zbatuar urdhërat e arrestit e as Drejtoria e Burgjeve! Besojeni ose jo por NUK E DININ!!!! Ky është kulmi i mashtrimit publik!
Është kryer një krim i rëndë kundër drejtësisë. Është larguar nga paraburgimi një i pandehur i arrestuar nga Drejtësia Shqiptare, pa dijeninë e saj! Shefat e drejtësisë nuk mbajnë asnjë përgjegjësi! Prokuroria që e ka arrestuar, policia që e ka ekzekutuar urdhërin, burgjet që mbajnë dosjet për çdo të burgosur, NUK e DININ!
Nuk po i hyj arësyeve, por kjo që ka ndodhur nuk mund të mbaronte me procedime disiplinore. Kjo duhet të mbaronte me mandate arresti. Sot duhet të kishim arrestime e jo njoftime të papërgjegjshme për shtyp!
Për fat të keq ato mandate i bie ti presin për veten e tyre! Kjo ska si të ndodhë. Ndaj drejtësia përfundimisht është nën hyqmin e interesit politik të atyre që sundojnë!
Trafiku i drogës nuk mund ta hetojnë ata që e bëjnë!
Prokurorja e Përkohshme thjesht kontribuon në këtë interes të pa ligjshëm me përkohshmërinë anti kushtetuese të saj!
Drejtësi ku shteti komploton kundër saj nuk ka! Besim te kjo drejtësi , jo e jo!
P.S. Ndjesë për këtë komunikim intensiv, por kjo ngjarje ishte i tillë! Duhej pak durim për ta dëgjuar deri në fund se çdo thonin bashkëpunëtorët në këtë krim shtetëror kundër drejtësisë.