A mund të fitohet një leje pune në Zvicër, ku edhe puna në fshat paguhet 3000 euro. Cilat janë kushtet varësisht nga origjina e personit ? Çfarë praktikash ekzistojnë për pranim në tregun e punës?
Shumica prej nesh jemi në dijeni se për personat shtetas të Bashkësisë Evropiane (në përjashtim të anëtarëve që kalojnë një fazë tranzitore, siç është për shembull Kroacia), çështja e lejes së punës dhe e qëndrimit është një formalitet jashtëzakonisht i thjeshtë.
Për shtetasit që vijnë nga vendet jashtë Bashkësisë Evropiane, procedura për fitimin e një lejeje të punës është drastike dhe tejet e ashpër.
Refuzimet ndodhin shpesh. Aplikohet sistemi i kontingjenteve vjetore (caktimi i një numri të kufizuar të lejeve). Kërkohet nga kandidati që bën kërkesën të posedojë kualifikime shumë të larta profesionale.
Në mes tjerash, autorizimi i punës kushtëzohet edhe me vendin e punës që i propozohet atij, dhe duhet dëshmuar edhe ajo se për punën e propozuar është vështirë të gjenden kandidatë të mjaftueshëm në tregun e brendshëm të punës në Zvicër.
Martesa
Secili njeri ka të drejtë të martohet. Në jetën e përditshme kjo për njerëzit pa letra nuk është e lehtë, pasi që u mungon leja e qëndrimit. Në disa Kantone mund të martohesh në vend. Në tjera Kantone kërkohet të kthehesh në vendlindje dhe të hyjsh legalisht me një vizë. Nëse dyshohet se martesa është martesë e rrejshme (gjoja se martesë), atëherë ofiqari mund të refuzoj lidhjen e martesës.
Kërkesa
Njerëzit pa letra, së bashku me grupet përkrahëse, luftojnë me vite për një rregullim kolektiv në Zvicër. Disa suksese janë arritur: mbi një mijë leje të qëndrimit dhe e drejta për sigurim shëndetësorë.
Në regjionet në të cilët «Sans Papiers» janë të organizuar mirë mund të hapen rrugë të reja. Si shembull: një fushatë e madhe në Gjenevë ka sjellë deri te ajo, që ky kanton në janar 2005 të kërkojë nga Berna 5000 leje qëndrimi për të punësuarit nëpër amvisni.
Për këtë arsye, angazhohu në njërin nga kolektivët e shumtë për njerëz pa letra.
Puna
Nëse ti me ndonjë person merresh vesh, që të punosh për të dhe ai ty të premton një rrogë, atëherë kjo vlen si kontratë pune, edhe nëse marrëveshja është bërë gojarisht.
Kontrata të garanton kushte minimale të punës: Të drejtë për rrogë të zakonshme të profesionit dhe vendit. Të drejtë për pushime të paguara (në të shumtën e rasteve 4 javë në vit). Afate të arsyeshme të prishjes së kontratës. Punëdhënësi duhet të informoj herët, se nuk do të punësoj më tutje.
Vazhdimësia e pagesës së rrogës gjatë një kohë të caktuar në rast sëmurje apo fatkeqësie. Sigurimi i pleqërisë dhe i të mbeturve AHV dhe sigurimi në rast të invaliditetit IV (shiko kapitullin sigurimet sociale). Te të miturit: Ndalim pune për moshën më të ulët se 15 vjeç.
Nën 18 vjeç ndalim pune natën dhe të dielën. Më së shumti 9 orë punë në ditë. Nëse punon si punëtore e amvisërisë (shtëpiake) dhe banon te punëdhënësi yt, atëherë ata duhet të të japin hapësirë banimi, e cila e mbron sferën tënde private. Shkollimi i obligueshëm: Ti ke të drejtë shkollimi gjatë nëntë viteve, edhe pa leje qëndrimi.
Njerëzit pa letra shpesh marrin rroga të ulëta apo nuk marrin fare. Nëse biseda e drejtpërdrejtë me punëdhënësin nuk sjellë rezultate, atëherë në disa kantone ke të drejtë padie pranë gjyqit të punës. Informohu!
Padinë para gjyqit mund ta bëj një person i autorizuar nga ti. Kështu që ti mundesh, edhe në rast kthimi në vendlindje, deri pesë vite më vonë të kërkosh të drejtat tua nëpërmjet gjyqit.
Këshillë: Nëse prezantohesh për herë të parë te punëdhënësi, atëherë parashtro pyetje mbi punën: sa do të fitosh? Sa orë duhet të punosh? Cilat punë duhet t’i bësh e cilat jo? Sipas mundësisë, merru vesh për orar të caktuar.
Kjo është sidomos me rëndësi nëse banon te punëdhënësi (të punësuarit në amvisni). Gjithashtu merru vesh, se cilat ditë i ke të lira. Pyet, se a mundë t’i kesh me shkrim këto marrëveshje (kontratë pune).
Këshillë: Shkruaj çdo ditë sa dhe çka ke punuar. Ruaji fletët që përmbajnë udhëzime pune. Nëse e ke dokumentuar punën e bërë, atëherë do ta kesh më lehtë t’i nxjerrësh të drejtat e tua, nëse ke probleme me punëdhënësin.
Këshillë: Ti si «Pa Letra» mund të anëtarësohesh pa vështirësi në ndonjë Sindikatë. Kjo p.sh. mund të të përfaqësoj në proceset gjyqësore.
Ç’mund të thuhet për sistemin e emigrimit?
Sistemi i tillë nënkupton se, për çdo vit, caktohet numri i personave që do të kenë të drejtë të fitojnë lejen e punës në Zvicër. Kjo praktikë e llogaritjes aplikohet pra vetëm për personat që i nënshtrohen ligjit për të huaj.
Sipas një vendimi të muajit të kaluar, Këshilli federal vendosi që në vitin 2017 të risë numrin e kontingjenteve për lejet B dhe L (leje me afate të shkurtra). Kjo ishte një rezultat i një presioni që bënin aktorët ekonomik, të cilët, tepër e më tepër, konsideronin se Zvicra ka nevojë më të madhe për krahun punëtor të kualifikuar që vjen nga shtetet jashtë Bashkësisë evropiane. Por, një vendim i tillë natyrisht se nuk besohet se ka ndonjë ndikim të madh për ndryshimin e situatës për vendet tona.
Në fakt, me rritjen e numrit të kontingjenteve, rritet vetëm numri i personave që do të kenë mundësi të gjejnë punë, por jo edhe kushtet që aplikohen për hyrje në punë sipas rregullave tejet të ashpra të sistemit të kontingjenteve. Siç e cekëm më lartë, vetëm personat me kualifikime tejet të larta mund të përfitojnë nga ky sistem i pranimit.
Personat që përfitojnë më së tepërmi nga kjo janë si zakonisht ekspertë të lëmive të ndryshme që vijnë nga SHBA, Kanada dhe disa shtete aziatike. Një numër jashtëzakonisht simbolik vjen nga shtetet ballkanike.
Ç’pritet në të ardhmen ?
Nuk ka vend për një optimizëm të tepruar në këtë drejtim. Së pari, sipas një iniciative të së djathtës ekstreme në Zvicër, kërkohet që deri në fillim të vitit të ardhshëm të definohet çështja e kontingjenteve edhe për shtetet e Bashkësisë Evropiane, edhe atë në përputhje me rezultatet e votimit për kufizimin e numrit të të huajve. Gjithë kjo mbetet të qartësohet gjatë muajve që vijnë dhe sipas të gjitha gjasave situata e tashme do të pësojë ndryshime, duke filluar me aplikimin e njëfarë kufizimi të numrit të personave që vijnë nga shtetet përkatëse. Nënkuptohet se kjo perspektivë do t’i prekë edhe interesat e bashkatdhetarëve tanë që posedojnë pasaportat e vendeve të Bashkësisë evropiane dhe që dëshirojnë të gjejnë punë në Zvicër.
Së dyti, sipas shumë vlerësimeve, nuk pritet aspak që ligji për të huaj të pësojë ndonjë ndryshim rrënjësor. Kjo domethënë se edhe në të ardhmen (së paku të afërt), nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim në praktikën e pranimit të personave që vijnë nga shtetet jashtë Bashkësisë evropiane. Ndoshta do të zmadhohet gradualisht numri i kontingjenteve vjetore, por do të vazhdojë me qenë edhe më tutje jo aq i përshtatshëm për vendet tona