Musli Zulbehari nga Tetova ka humbur pesë anëtarët e tij me të dashur.
Katër fëmijet dhe gruaja i kanë vdekur atij, shkruan Gazeta NewBorn.
Këtë lajm të dhimbshëm e ka dhënë Halil Kastrati në Facebook.
Një familje pesë anëtarëshe është shuar nga flakët të cilët në ora katër të mëngjesit kanë kapluar katin e dytë të shtëpisë ku qëndronte nëna me katër fëmijët e saj. Nga mosha 5 deri në 14 vjet të katër fëmijët bashkë me nënën e tyre e cila mësohet të ketë qenë e moshës rreth 40 vjeçare kanë gjetur vdekjen në vendngjarje.
Ekipet e zjarrfikësve kanë arritur brenda 15 minutave, por e vetmja gjë që kanë mundur të bëjnë ka qenë të parandalojnë shpërndarjen e flakëve të cilat për një kohë shumë të shkurtër kanë përfshirë tre shtëpi.
Musli Zulbehari, babi i katër fëmijëve në momentin e tragjedisë ka qenë në turnin e tretë në punë ndërsa dy gjyshërit kanë fjetur në katin e parë dhe kanë arritur t’i shpëtojnë tragjedisë. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi tha se do të hetohen të gjitha rrethanat e tragjedisë, ndërsa numri një i brigadës së zjarrfikësve tha se kanë bërë gjithçka që kanë mundur dhe se shprehin keqardhje për tragjedinë.
Gjatë vizitës që i bëri familjes Zulbehari, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, u ballafaqua me mllefin e qytetarëve dhe familjarëve të cilët ishin mirënjohës për shpejtësinë dhe angazhimin e zjarrfikësve, por e kritikuan Arifin për rrugët e ngushta dhe mungesën e pajisjeve për shuarjen e zjarrit.
Ekipe të hetuesisë dhe prokurorisë dolën në vendngjarje për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat të cilat sollën deri te tragjedia e sotme, ndërsa trupat e pajetë të pesë anëtarëve të kësaj familje janë marrë për obduksion.