Historiani Kastriot Dervishi ka bërë një përmbledhje të asaj që po ndodh me eshtrat e ushtarëve grekë në Shqipëri. Kjo është hera e parë që zhvarrimi tyre po bëhet në bazë të një komisioni të përbashkët qeveritar. Dervishi jep fillimisht detaje mbi rrethanat e luftës italo-greke në Shqipëri.
“Lufta italo-greke u zhvillua nga tetori 1940 deri në prill 1941. Nisi si agresion i Italisë ndaj shtetit grek dhe përfundoi me ndërhyrjen gjermane në Ballkan. Për një kohë jo të vogël (14 nëntor 1940-26 mars 1941) ajo u zhvillua brenda territorit shqiptar, në të cilin vepruan 15 divizione greke dhe 27 divizione italiane” – shkruan Dervishi që më pas zbulon çfarë ndodhi me eshtrat e italianëve.
“Italianët i zhvarrosën dhe më pas tërhoqën eshtrat e ushtarëve të tyre në vitet 1958-1960, pas marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Italisë të datës 22.11.1957. Pala italiane caktoi në delegacionin e vet gjeneralin në rezervë Domenico Bandini, kapitenin Giovani Sinici dhe priftërinjtë Don Bertozi dhe Don Morrezo, të cilët erdhën më 15.2.1958. Gjenerali italian, më parë kishte shërbyer në Shqipëri në vitet 1929-1938 në shkollën e artilerisë” – shkruan Dervishi. Ai sqaron më pas edhe çështjen e ushtarëve grekë.
“Çështja e ushtarëve grekë ngeli e zgjatur në kohë, për shkak të politikave jo të qarta të shtetit komunist shqiptar, i cili mund ta kishte mbyllur përfundimisht duke iu përgjigjur kërkesës së parë të Greqisë për tërheqjen e plotë të tyre. Pretendimi i Greqisë ka qenë për kërkimin e 12-13 mijë ushtarëve të vrarë ose të ngrirë në Shqipëri. Referuar identifikimit të vitit 1985, zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë Komunale raportuan ekzistencën e 2.251 varreve të ushtarëve grekë në Shqipëri. Siç edhe shihet, midis asaj që është identifikuar në terren dhe asaj që pretendohet, ka luhatje të mëdha” – shkruan Dervishi. Ish-drejtori i arkivit të ministrisë së Brendshme ka bërë edhe një koment për kërkimet në Dragot të Tepelenës. Ai thotë se aty është bërë një kërkim edhe në vitin 1985, por nuk janë gjetur ushtarë grekë.
“Sot u kryen në Dragot të Tepelenës gërmime për zhvarrimin e ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luftës Italo-Greke të viteve 1940-1941, në pjesën e territorit shqiptar. Për të vënë në dukje se ky nuk ishte gërmimi i parë, por i dyti, po rikujtoj procesin e parë, referuar nga procesverbali i 33 vjetëve më parë. Sipas këtij dokumentacioni, më 5-14 shtator 1985 u hapën 674 varre si dhe 220 gropa (në të cilat nuk u gjetën eshtra)” – shkruan Dervishi në Facebook.