Loading...

Berisha e Meta në panik, Prokuroria merr provat për CEZ, zbardhjen e bisedave e tabulatet e komunikimit me çekët, Kalajn, Tepshin, Matajn e Ismailajt

Zbardhja e aferës 414 milionë euroshe të privatizimit të OSSH nga kompania çeke CEZ ka hyrë tashmë në një fazë interesante. Prokuroria e Përgjithshme, pas dokumentacionit të bollshëm të administruar nga hetimi i Komisionit të Posaçëm Parlamentar, nga ambasada çeke por dhe nga mbledhja operative e informacionit, tashmë ka në dorë dhe elementë të tjerë. Prova të cilat provojmë gjithnjë dhe më shumë përfshirjen e tërë kupolës së qeverisë “Berisha 2” në këtë aferë marramendëse, me përfitime kolosale.

Burimet saktësojnë se nga Çekia kanë ardhur jo përmes ambasadës por në mënyrë zyrtare nga organet ligjzbatuese një pjesë e bisedave që janë zhvilluar për privatizimin e nga CEZ i OSSH në Pragë. Këto janë biseda të mbledhura në rrugë operative dhe të hedhura dhe nga vetë kompania, e cila në zemërim e sipër kur e përzuri Berisha nga Shqipëria i ka dërguar në organet ligjzbatuese çeke për t’i pasur si provë në hedhjen në arbitrazhin ndërkombëtar. Aty janë biseda që janë bërë për lehtësimin e procedurave, por dhe kërkesa për përfitim të dyanshëm në kurriz të pronarëve të vërtetë.

Njëherësh, bëhet fjalë dhe për faktin se Berisha nuk ka munguar që ta përdorë këtë privatizim dhe në funksion të premtimit për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat me BE. Nga ana tjetër janë të regjistruara dhe bisedat zyrtare të Berishës, por dhe të ambasadorit të Shqipërisë në Pragë asaj kohe, Qazim Tepshi që pas zbardhjes së këtyre aferave u nda nga jeta në mënyrë të papritur. Biseda e Tepshit me zyrtarët çekë por dhe me përfaqësuesit e kompanisë CEZ tregojnë tërë presionin e qeverisë shqiptare mbi të. Nga ana tjetër mësohet se janë të dokumentuara dhe kanë mbërritur në prokurori të gjitha komunikimet e ndërmjetësit të kësaj afere, Nuel Kalajt. I cili ka të zbardhura dhe telefonatat jo vetëm me Sali Berishën por në veçanti me djalin e tij Shkelzen Berisha. Njëherësh janë të administruara dhe bisedat e komunikimet përmes telefonit të ish ministrit të jashtëm, njëherësh ish zv.kryeministër i asaj kohe Ilir Meta.

Gjatë vizitës në Pragë, i shoqëruar nga ish ambasadori Tepshi ai ka zhvilluar një sërë takimesh, pjesa më e madhe e të cilave private dhe në funksion të marrjes së pjesës së tij nga privatizimi dhe mbledhja e borxheve kryesisht të kompanisë çeke CEZ. Ndonëse janë një pjesë zyrtare, në organin shqiptar të akuzës kanë mbërritur dhe tabulatet e telefonatave të herëpashershme deri në bezdi të Metës me ish ambasadorin Tepshi por dhe me Kastriot Ismailajn, pronarin zyrtar të DIA-s. Si dhe me ish kreun e LRI, drejtor te DIA Elvis Matajn që është zhdukur pas daljes në sipërfaqe të këtyre aferave, për shkak të frikës së tij nga një eliminim i mundshëm fizik prej Ilir Metës. Po ashtu janë të administruara dhe telefonatat Metës, Monikës dhe njerëzve që kanë folur me të në emër të familjes Meta-Kryemadhi me bashkëshorten e Ismailajt, Vojsava Ismailaj. Janë të dokumentuara të gjitha dhe i janë shtuar dosjes së rëndë të CEZ. Pritet që kjo dosje të sjellë dhe një tronditje në politikën shqiptare, pasi ndoshta është një nga dosjet e vetme ku të gjitha provat dhe faktet janë të qarta dhe të kopsitura që tregojnë se është vjedhur nga të gjithë në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Duhet vetëm vullnet që personat abuzues të shkojnë dhe të vuajnë dënimin e merituar për këtë aferë skandaloze.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com