Objektivi numër një i paktit është alternimi në pushtet, mbrojtja nga drejtësia, pasurimi dhe heqja e qafe e dyshes Berisha-Meta
Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë qenë dhe janë në një aleancë të nëndheshme për katër arsye shumë të thjeshta, por jetike: Për t’u alternuar në pushtet, për t’u pasuruar, për t’u mbrojtur nga drejtësia dhe për të hequr qafe dyshen e rrezikshme Berisha-Meta. Gjithçka ka nisur në 6 dhjetor të 2014, kur George Soros zbarkoi në Tiranë dhe u fryu në vesh Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Që pas asaj dite, Lulzim Basha dhe Edi Rama janë në një aleancë të palëkundur, besnike, të përzemërt dhe okulte. Për këtë ka një mori provash të dukshme dhe të padukshme. Me bashkimin e këtyre fakteve, edhe militantët më të verbër dhe syleshë do të kuptojnë se gjithçka ndodh publikisht, nuk është gjë tjetër veçse pluhur për të mbuluar marrëveshjen e fortë mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.
Pikësëpari marrëveshja Rama-Basha ka si synim pasurimin e përbashkët. Shumëkush është habitur se pse Lulzim Basha e mbështeti në prapaskenë ligjin për arsimin e lartë, i cili çon paratë publike në duart e privatit, më konkretisht të Henri Çilit. Basha çirrej ditën kundër ligjit, ndërsa natën nuk lejonte deputetët që ta çonin në Gjykatën Kushtetuese. Rama dhe Basha kanë përfituar që të dy nga ligji i arsimit të lartë, me anë të njerëzve të tyre dhe aksioneve të kamufluara në universitetet private. Ata kanë 4 vjet që kanë bllokuar doktoraturat në universitetet publike, vetëm për t’i dhënë monopolin e doktoraturave Henri Çilit. Por, Henri Çili është thjeshtë perdja, pasi pas tij janë Rama dhe Basha.
Nga ana tjetër, Edi Rama i prishi pallatin vjehrrit të Lulzim Bashës, duke i dhënë 14 milionë euro në dorë, nga paratë publike. Me 14 milionë euro, vjehrri i Bashës dhe Basha mund të bëjnë 5 pallate të tjerë. Pse nuk flet Lulzim Basha për lejet e nderimit në Tiranë? Pse nuk flet më për kullën tek stadiumi? Sepse Edi Rama dhe Lulzim Basha po bëjnë së bashku kullat më të larta në kryeqytet. Edi Rama urdhëroi vijimin e zbatimit të projektit për zgjatimin e bulevardit, aty ku Basha dhe njerëzit e tij, kanë blerë më parë tokë, për bërë pallate apo për ta shitur 50 herë më shtrenjtë. Edi Rama dhe Lulzim Basha vijojnë të mbrojnë koncesionet e përbashkëta në Bashkinë e Tiranës. Pak rëndësi ka se cili është kryeministër. E rëndësishme është vijimi i pasurimit dhe dominimi i vendit. Edi Rama dhe Lulzim Basha lidhen edhe nga shumë fije të tjera interesash të padukshme. Këta fije, nga ana e Bashës i lëviz kuanti i tij, ndërsa nga ana e Ramës, i lëviz vëllai Olsi.
Edi Rama nuk lejon që të hapen të gjitha skandalet ku është implikuar Lulzim Basha. Askush nuk flet më për 21 Janarin. Madje, qeveria Rama shkoi në gjyq në Strasburg, kundër familjarëve të 21 Janarit, duke mbrojtur qëndrimin e atëhershëm të gardës së Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Askush nuk flet për vjedhjen e 250 milionë eurove me Rrugën Durrës-Kukës. Askush nuk flet për shitjen e detit Greqisë. Deri dje Rama justifikohej se kryeprokurori kontrollohej nga Meta dhe Berisha. Po tani që e ka emëruar vetë kryeprokuroren? Pse nuk i hap dosjet? Ja pra, nuk është kryeprokurorja, por është marrëveshja.
Një nga pikat më të rëndësishme të paktit Rama-Basha është beteja për jetë a vdekje kundër dy peshkaqenëve të vjetër dhe të rrezikshëm të politikës shqiptare. Kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës. Gjatë viteve të fundit Rama dhe Basha kanë arritur fitore të mëdha. Fillimisht, Rama dhe Basha tentuan ta eliminonin politikisht bajlozin e korrupsionit Ilir Metën në 2014, me plasjen e skandalit CEZ-DIA, por Meta mbijetoi. Ndërsa Lulzim Basha arriti një fitore të madhe kundër Sali Berishës në zgjedhjet e 2017, pasi largoi të gjithë njerëzit e tij nga grupi i ri parlamentar demokrat, duke futur të besuarit e vet. Nga ana tjetër, Rama e hoqi qafe Metën për pak kohë, duke e bërë president dhe duke ia nxjerrë partinë e tij në opozitë. Tashmë plani konsiston në shpërbërjen e LSI dhe futjen e Metës në burg. Nga ana tjetër, Berisha do të goditet ose duke e futur atë në burg ose duke i futur Shkëlzenin.
Askush të mos ketë iluzione se Arta Marku do të prekë Bashën, kunatin dhe njerëzit e tij. Arta Marku do të shënjestrojnë Shkëlzenin, Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe të gjithë ata figura që i kanë dalë kundër Bashës në Partinë Demokratike. Arta Marku është zgjedhur me miratimin e Ramës dhe Bashës. Lufta e Bashës kundër kryeprokurores është teatër për të vijuar sundimin e PD. Lufta e vërtetë kundër kryeprokurores është ajo e Berishës dhe Metës, të cilët rrezikojnë burgun. Edhe protestat e paralajmëruara nga Lulzim Basha janë pjesë e lojës. Rama dhe Basha, në të njëjtën kohë, po kujdesen që të vendosin njerëzit e tyre në krye të organeve të drejtësisë. Prioritet janë Byroja e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat Speciale, me anë të të cilave synojnë të nënshtrojnë apo të fundin në burg Metën dhe Berishën.
Një tjetër pikë e marrëveshjes Rama-Basha ka të bëjë me sistemin elektoral. Që të dy kanë interes që të mbajnë këtë sistem elektoral, i cili favorizon PD-PS, ndërsa nga ana tjetër ndëshkon LSI dhe partitë e tjera të vogla. Pavarësisht mashtrimit të u bëjë që të dy aleatëve të tyre falsë, Rama dhe Basha do të mbajnë sërish këtë sistem zgjedhor edhe në 2021 dhe sa të jenë në krye të politikës së vendit.
Një tjetër pikë e paktit Rama-Basha është përdhosja sa të jetë e mundur e reformës në drejtësi dhe pengimi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Të dy këto procese janë vdekjeprurës për pushtetin e tyre. Reformën në drejtësi po mundohen që ta kapin dhe po ia arrijnë qëllimit. Po ashtu, edhe çeljen e negociatave po e sabotojnë. Rama bën sikur po punon për çeljen e negociatave, ndërsa Basha po organizon protesta, me qëllim për t’i sabotuar. Nuk është çudi që Rama të udhëzojë Bashën për mënyrën e përgatitjes. Çelja e negociatave do të thotë më shumë afër BE. Por, më shumë afër BE është një rrezik i madh për kokat e korrupsionit, pasi rritet monitorimi dhe rritet presioni për arrestime në nivelet më të larta.
Në këtë kuadër, pakti i 18 majit, i pasuar me bashkëqeverisjen e vendit, ishte thjeshtë një testim i marrëveshjes së fshehtë mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, e cila ka nisur që në 6 dhjetor të 2014.
Po çfarë fiton tjetër Edi Rama nga Lulzim Basha? Është shumë e thjeshtë. Edi Rama fiton stabilitetin. Vjedh dhe sundon qetësisht. Opozita e vërtetë është një problem i madh për një qeveri të korruptuar, aq më tepër e lidhur me drogën dhe krimin. Në këmbim të interesave të tij, të kunatit dhe vjehrrit, Lulzim Basha i garanton stabilitet Ramës, duke mbajtur nën kontroll opozitën.