Rrjeti i njohur i supermarkteve falsifikon datën e skadencës së produkteve ushqimore, AKU i vendos gjobë, por fsheh skandalin, pazar i madh për të mbyllur operacionin kriminal
Shëndeti i qindra mijërave shqiptarëve, sidomos i fëmijëve, është në rrezik. Rrjeti i njohur i shitjeve me pakicë i produkteve ushqimore, Big Market, është përfshirë në një veprimtari me natyrë kriminale, duke u shitur qytetarëve ushqime të skaduara si të ishin të rregullta. Me anë të një makinerie të posaçme, rrjeti i marketeve Big Market, ka falsifikuar dhe po falsifikon masivisht data e skadencës të produkteve ushqimore, për të maksimalizuar fitimet, në dëm të shëndetit të popullatës. Skema ka kohë që po zbatohet. Pamfleti është vënë në dije nga tre burime: Nga ankesat e shumta të qytetarëve për ushqimet e prishura, nga punonjës të Big Market që kanë rrëfyer mekanizimin kriminal si dhe nga burime pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Në shkrimet pasuese do të listojmë edhe produktet ushqimore të skaduara, por që shiten si të rregullta si dhe mënyrat mashtruese për të tërhequr blerësit.
Shumë qytetarëve po u dalin produktet ushqimore të prishura, që data e skadencës figuron përtej vitit 2018. Qytetarët që i kthenin dhe i denonconin ushqimet e prishura pikat e Big Market ku i kishin blerë, ata shpërbleheshin me ushqime falas, në këmbim të heshtjes. Nga ana tjetër, kandidatët për të punësuar në pikat e Big Market, para se të fillonin punë, bënin një trajnim se si të falsifikonin datat e skadencës në ambalazhet e produkteve ushqimore. Përdorimi i pajisjes dhe mësimi i modaliteteve të tjera të falsifikimit të datave është bërë kushti kryesor për ata që duan të punojnë në pikat e Big Market. Sigurisht, skema, me aq sa është e mundur, është mbajtur e fshehtë. Në ditët në vijim, do të sjellim detaje rreth trajnimit të punonjësve dhe mënyrës së falsifikimit të datës së skadencës.
Pamfleti ka mësuar se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, me ndryshimet që ka pësuar muajt e fundit, ka gjobitur disa pika të shitjes me pakicë të Big Marketit në Tiranë. Pas konstatimit të falsifikimit të datave të skadencës në ambalazhet e produkteve ushqimore, AKU ka marrë masa ndëshkimore me gjobë. AKU, në shumë pika të Big Market në Tiranë, ka konstatuar se produktet ushqimore mbaheshin në kushte higjenore skandaloze. Por, Big Market ka ndërhyrë me shpejtësi për ta mbajtur të fshehtë skandalin. Pas ndërhyrjes, AKU nuk e ka denoncuar skandalin publikisht dhe as nuk ka vënë në lëvizje prokurorinë. Ka dyshime të forta se pas heshtjes së AKU fshihen pazare të mëdha, por edhe lidhjet e forta me pushtetin.
Gjithsesi, gjatë vitit të kaluar, AKU ka konstatuar se produktet e kosit mbaheshin jashtë frigoriferit, nëpër korridoret e supermarketit”, Big Market me nipt. L41617022M, në adresën ish Stacioni i Trenit në Unazë. AKU i vendosi Big Market një gjobë 300.000 lekë, gjobë e cila është si inkurajim dhe shpërblim. Po kjo është maja e ajsbergut.