Gadishulli i Karaburunit është ajo pjesë e bregdetit vlonjat, ku turizmi mund të gjejë terrenin më të përshtatshëm për t’u zhvilluar. 25 km larg qytetit të Vlorës, në rrugë tokësore, Gadishulli i Karaburunit ofron surpriza në çdo stinë për këdo që e viziton atë. Agjenci turistike aplikojnë jo vetëm udhëtime përgjatë këtij masivi, por edhe pushime njëditore, në plazhet që ndodhen aty. Udhëtime të tilla organizohen kryesisht gjatë stinës së verës, ndërsa synohet që ato të shtrihen gjatë gjithë vitit.
Peizazhi natyror, i gërshetuar me atë historik, e bënë atë një reliev ku vizitori mund të befasohet pafundësisht. Bregdeti tepër i thyer, lëndinat e vogla që zbresin deri poshtë, afër vijës së ujit, gjiret e shumta dhe të fshehura, plazhet e virgjëra, janë disa prej elementëve, që pothuajse nuk i gjen askund tjetër në bregdetin shqiptar. Gadishulli formon një hark të madh e të butë, që i përgjason gishtit të madh të dorës, të shtrirë. Ai ndan gjirin detar të Vlorës nga Kanali i Otrantos dhe ka një gjatësi prej rreth 15 km, me një gjerësi që shkon deri në 4.5 km. Në skajin veriperëndimor të Karaburunit (në turqisht gjuha e zezë), ndodhet Kepi i Gjuhëzës, pika më perëndimore e Shqipërisë. Në pjesën më të lartë të këtij masivi, ndodhen tre maja, ajo e Kores 826 metra mbi nivelin e detit, si dhe e Dafinës dhe Ilqes, respektivisht 732 dhe 687 metra. Pjesa perëndimore është shkëmbore dhe e copëzuar vertikalisht, me shpella, të çara, gjire e plazhe të vegjël. Këtu gjenden plazhi i vogël i Dafinës, bregu i Bitrit, shpella e Panaisë. Përkundër kësaj, në pjesën lindore të gadishullit që shikon nga gjiri i Vlorës, bregdeti është më i formuar dhe më pak i thyer. Masivi i Karaburunit, në tërësi është i varfër në bimësi, por i pasur në kullota. Në pjesën më të ulët dhe më të ngushtë të tij, ndodhet pllaja e Ravenës, një qendër blegtorale e njohur në jug të vendit, që shfrytëzohet nga banorët e fshatit Dukat për mbarështimin e të imtave. Nga pikëpamja gjeologjike, masivi i Karaburunit është i përbërë nga gëlqerorë të periudhës së paleogjenit, të cilët janë shfrytëzuar që në lashtësi për prodhimin e mermerit. Cilësia e këtij produkti dallon nga ai i zonave të tjera të Shqipërisë. Mungesa e bimësisë dhe e ujërave sipërfaqësore e kanë bërë gadishullin të pabanueshëm.
Në skajin veriperëndimor të gadishullit, në kepin e Gjuhëzës, ndodhet shpella e Haxhi Alisë, një emër i njohur në historinë e piraterisë detare. Ky objekt natyror, sipas gjeografëve vlonjatë, është shpella më e madhe detare e vendit, me xhepa të shumtë brenda saj. Kjo, sepse, në pjesën perëndimore të gadishullit, gjendet dhe shpella e Gramës, brenda të cilës janë zbuluar mbishkrime të shumta, që përkojnë me periudha të ndryshme të historisë. Gjiri i vogël i Gramës, që ndodhet në pjesën perëndimore të Karaburunit, është një nga surprizat më të veçanta të gadishullit, në pikëpamjen historike. Sipas historianëve, ky vend ka shërbyer që në lashtësi si vendpushimi për anijet. Në muret e shumta të gjirit, konstatohen fare lehtë shumë shkrime të gdhendura nga marinarët, ku shprehet mirënjohja ndaj Poseidonit. Shkrimet e para i përkasin shekullit IV para Krishtit. Në shkrimet latine, që përkojnë me shekullin I pas Krishtit, gjenden emrat e Mark Antonit e të Pompeut, si dhe vizatime të ndryshme, mes të cilave anije, kryqe, spiranca, mburoja etj. Në këtë gji, ndodhet dhe shpella që mban të njëjtin emër, në muret shkëmbore të së cilës dallohen vizatime e shkrime, ku shprehen falenderime për bujarinë e mikpritjen. Me këta elementë dhe mjaft të tjerë, gadishulli i Karaburunit përbën një nga zonat më atraktive, në funksion të zhvillimit të turizmit. Në këtë drejtim, kanë nisur përpjekjet e para. Në stinën e verës, shoqëri të ndryshme turistike, ofrojnë udhëtime ditore, deri në Kepin e Gjuhëzës, ku është një plazh i virgjër. Pushuesit, kalojnë nw rërën e pastër orë mjaft të kendshme.