Orikumi (Jeriko-Pashalimani) pavarësisht se nuk ka të dhëna arkeologjike të periudhës së lashtësisë, mendohet se mund të ketë qenë një nga qendrat më të vjetra të banuara në trojet para-ilire, ilire dhe shqiptare. Orikumi mendohet që të jetë banuar që në periudhën e bronzit dhe të hekurit, në mijëvjeçarin e II-I para erës sonë. Në letërsinë historike të antikitetit, në bregdetin ilir të Ballkanit përmenden disa koloni greke, si dhe kontaktet e tyre me hinterlandin ilir. Kolonizimi helen i bregdetit tonë, është pjesë e rëndësishme e ngulimeve perëndimore të grekëve, rolin kryesor të të cilit e ka luajtur qyteti i Korintit.
Ai ka filluar nga gjysma e dytë e shekullit VIII p.e.s, me themelimin e kolonisë së Korkyrës në vitin 737 p.e.s në ishullin e Korfuzit. Pas kësaj, në fund të shekullit VII pasi u kolonizua Buthroti (Butrinti i sotëm), në vitin 627 p.e.s u themelua kolonia e Dyrrahut (Durrësit) dhe në vitin 588 p.e.s pranë kodrës së fshatit Pojan, u themelua Apolonia. Në literaturën antike, për koloninë helene të Orikumit si datë e përafërt e themelimit jepet nga Stefan Bizantini në veprën “De urbibus et populis” (Qytetet dhe Popujt), i cili përveçse thekson se koha e themelimit është e njëjtë me atë të Apolonisë, thotë gjithashtu se të dy këto koloni u ndërtuan pranë qendrave të banuara më parë nga ilirët.
Mbas kësaj date Oriku (Oriku-Jeriko– Eriko-Pashalimani- Orikumi) do të vazhdojë të banohet pa ndërprerje jo më nga kolonët, por nga popullsia vendase e krahinave për rreth Gjirit të Vlorës. Në këtë shkrim, objekt është fiksimi paraprak dhe kronologjik i dokumenteve që kemi studiuar për Orikumin dhe jetën plot dramacitet të tij. Në autorët e parë antikë që përmendin ekzistencën e Orikut jo si vendbanim fushor i thjeshtë, por si qytet (polis), është Hekateu i Miletit në veprën e tij “Europa”, shkruar rreth viteve 514- 510 p.e.s.
Sipas dëshmive të Tit Livit, në verë të vitit 214 p.e.s, kur Filipi V i Maqedonisë sulmoi Orikumin, ai e pushtoi atë me lehtësi, “mbasi qyteti nuk kishte as ledhe dhe as mure të forta”. Por kur Çezari zbarkoi në Iliri, Orikumi ishte plotësisht i fortifikuar. Koha e ndërtimit të mureve rrethuese mbrojtëse të Orikumit mendohet të jetë realizuar gjatë shekullit II p.e.s deri në mesin e shekullit I p.e.s. Gjatë veprimeve luftarake kundër Pompeit në hapësirat Ilirike, Çezari la për mbrojtjen e mureve të Orikut 3 kohorta. Përshkrimin më të saktë të fortifikimit të Orikut e kemi nga arkeologu Francez L.Heyzey në veprën “Mission arkeologique de Macedoine” botuar një shekull më parë.
Ai thotë se qyteti ishte ndërtuar dhe fortifikuar me shumë shije dhe se traseja e rrethimit kishte një formë ovale, ku muri helenik më i vjetër ishte ndërtuar më vonë me tulla e llaç. Një rrethim të veçantë krijonte gjithashtu akropoli, i cili ndodhej në majë të kodrës dhe ndahej në dy pjesë nga një mur i brendshëm. Siç del nga përshkrimi i Heyzeyt, Oriku ka qenë i mbrojtur nga një mur rrethues me tulla të vendosura mbi një xokol gurësh të punuar si në Apolloni dhe Lis. Oriku nuk i ka shpëtuar as vëmendjes së babait të historisë Herodotit të Halikarnasit, i cili e përmend atë në Librin IX, 93 të “Historisë”.
Oriku është qyteti i parë, që haset nga e djathta kur hyhet në Adriatik. Banorët e tij, orikët, vijnë nga krahina e Amantias. Në pjesën e brendshme (të gjirit-ÇF) fqinjë me orikët janë kaonët, që jetojnë deri në Dodonë së bashku me antitanët. Gryka e gjirit Jon (Kanali i Otrantos- ÇF) shkon që nga malet Akrokeraune deri në Kepin e Japygise (Itali). Adriatiku dhe Joni janë e njëjta gjë. Në veprën e tij prof. Shaban Demiraj e përmend disa herë Orikun, duke e konsideruar atë dhe Apoloninë më shumë si enklava tregtare se sa si koloni greke. Oriku i formuar rreth shekullit VI p.e.s. lulëzon deri në shek. II të e.s., kur në Gjirin e Vlorës u themelua (shfaq) Aulona.