Nga: Robert Goro/
Të burgosurit shqiptarë në Greqi, Arbër Bako dhe Olti Dulçe kanë braktisur sallën e gjyqit, pasi më parë janë përplasur verbalisht me gjykatësit.
Ata po gjykoheshin për vrasjen në tentativë të një avokati grek në vitin 2014.
Përplasja nisi në momentin që personi, i cili sillet si porositës i atentatit ndaj avokatit, i mohoi akuzat.
Bako e Dulçe iu drejtuan trupit gjykues duke thënë se i njëjti kishte porositur që t’i vrisnin në burg.
Kryetari i trupit gjykues iu tha që ato duhej t’i depononin te prokurori përkatës.
Atëherë të dy ata shpërthyen:
“Po largohemi, është e drejta jonë… Kur merrni para t’i futni në b… Nuk duam të jemi prezentë. Çfarë gjyqi është ky? Gjykoni ju si të doni… Vjen një person të na vrasë brenda në burg, të na helmojë dhe ju nuk e vini ujin në zjarr?… Palo shkër… I keni marrë paratë tuaja!”.
Kryetari i trupit gjykues është munduar t’i qetësojë duke u thënë që “Duhet të jeni prezentë në gjyq”.
Po ata janë kanosur “Të gjithë jeni të vdekur”, dhe kanë braktisur sallën, të shoqëruar nga gardianët.
Procesi do të vazhdojë më 24 janar.
Bako e Dulçe do të duhet t’i drejtohen përsëri gjykatës, të akuzuar për një vrasje tjetër, atë të avokatit të njohur Mihalis Zafiropulos që u ekzekutua në Athinë, në tetor të vitit të kaluar. Arbër Bako e Olti Dulçe akuzohen si porositësit e vrasjes që në fakt ndodhi aksidentalisht. Autorët e krimit, gjithashtu shtetas shqiptarë kishin porosi që vetëm ta frikësonin avokatin, po plumbi e kapi në zonën e Barkut dhe ai vdiq në vend nga hemorragjia.