Gazetarja dhe moderatorja e njohur shqiptare Sonila Meço ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë për të shpallur “Vitin e Skëndërbeut”, me rastin e 550 vjetori të vdekjes së tij.
Ja postimi i plotë i gazetares:
Nuk ka gjetje më spektakolare për propagandën dhe mjeshtrat e hutimit të vëmendjes së popullit se të shpallin vitin e Skënderbeut atë ku llogaritë për përditshmërinë e shqiptarëve nuk dalin.
Pasi u përdhos Akadamia e Shkencave gjer në ekzistencë, pasi u la studimi të çapitej i pambështetur aulave të universiteteve, pasi u tretën fondet për zbardhjen e denjë të historisë, pasi nuk iu la mundësi instituteve studimorë e të pavarur të bëjnë një punë të paqme e mirfilli profesionale në zbardhjen e historisë me pasurim gjetjesh e jo opinionesh, pasi u varfëruan akademikët dhe u denigruan intelektualët për t’u bjerrur besueshmërinë dhe dinjitetin, pasi iu dha e drejta kujtdo e sido të bëjë opinion pa verifikuar fakte, nëpërmjet shkatërrimit me vetëdije të autoritetit shoqëror, iu la qeverisë dhe emocionit të masës të mbushë vitin me bëmat e Skënderbeut.
Mundësisht apelim ditor patriotizmit për të shmangur temat ekzistenciale të shqiptarëve, mundësisht provokime të çdo pene të 2018-ës për Skënderbeun e shekullit të XV, duke tallavazuar sipas modës së kohës edhe Dominus Albaniae si lajm portalesh pa din e iman.
Mundësisht debate dhe krekosje mediatike për ‘zbulimin’ e kulisave të ‘armiqve’ të Shqipërisë ndaj Zotit të Arbërisë për të shmangur kaosin dhe dështimin në projektin absurd ‘0 probleme me fqinjët’. Mundësisht persekutim, denigrim, linçim publik, turrje masash ndaj kujtdo që guxon të konsiderojë të padenjë Shqipërinë e sotme të pasardhësve të Skënderbeut duke e konsideruar përpjekje tinzare e sponsorizuar nga grupe armiqësore për të çmitizuar heroin dhe atdheun e tij. Pavarësisht se atdheu ka ndërtuar ‘heronj’ të rinj që iu përulen edhe bandat e grupet më të frikshme kriminale në botë.
Mundësisht të vritet kapaciteti logjik dhe arsyetues i popullit mbi historinë e vet, duke i prekur çdo emocion e ndjenjë që e bën ende të ndihet krenar pavarësisht pjatës bosh, jetës së varfër dhe avullit të hashashit në vend të oksigjenit.
Ja pra një duartrokitje për kë shpall vite heronjsh, për të vetmin që kemi, që na e njeh, respekton, studion, veneron edhe bota. Asgjë kundra shpalljes së viteve për ngjarje a figura historike, por krejt kundra përdorimit të kësaj të drejte për të vrarë qellimin e mirë e për të justifikuar çdo mjet drejt qëllimit më të keq: gjithçka për të larguar vëmendjen nga kapja e shtetit, ekonomia drejt rrënimit, skandalet qeveritare, ngjizja e një revolte popullore pa parti, ngritja e rrokaqiejve mbi shpinën e kërrusur të shqiptarit që as kokën nuk ka fuqi të ngrejë më për të parë monumentin e heroit të vetëm kombëtar.
Le që ku do duket më edhe në mundshim ai monument i rezistencës ndaj pushtimit dhe zgjerimit osman pas kullave të larta e të bëshme të historisë në kohën e telenovelave turke.