Dita e sotme shënon 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Skënderbeu.
Pavarësisht se kanë kaluar 550 vite, e falë tij shqiptarët përjetojnë krenarinë më të madhe, origjina, jeta dhe veprat e tij janë akoma të pazbuluara plotësisht, shkruan albeu.com.
Rreth figurës heroike të Skënderbeut akoma vërviten teza dhe debate nëse ishte apo jo sllav.
Rreth kësaj teme të nxehtë ka komentuar kohë më parë edhe analisti i njohur, Mustafa Nano.
Ai ka deklaruar se Skënderbeu ishte me origjinë sllave pasi sipas tij, Vojsava, nëna e tij ka qënë sllave.
“Atëherë, në shekullin XIV, etnia apo identiteti kombëtar nuk ka qenë shumë i rëndësishëm.
Ne sot themi që Skënderbeu ka qenë shqiptar dhe ka qenë i joni, ndërkohë që ai ka qenë më shumë i krishterë se shqiptar kur u bë i famshëm, madje ai nënën e ka pasur sllave.
Etnia nuk ka qenë shumë e rëndësishme atëherë dhe martesat mes shqiptarëve dhe serbeve bëheshin pa problem.
Një pjesë e historianëve në Shqipëri i kanë mëshuar idesë se shqiptarët dhe sllavët janë armiq të përjetshëm, se ka një kimi të munguar dhe këtu thonë një gënjeshtër të madhe.
Në 150 vitet e fundit po, raporti është i vështirë midis shqiptarëve dhe sllavëve apo shqiptarëve dhe grekëve.
Por kjo sepse lindën nacionalizmat ballkanike, lindën këto ndjenjat kombëtare. Më përpara nuk kanë pasur gjëra të tilla, kanë bashkëjetuar për bukuri me njëri-tjetrin”- deklaroi ai kohë më parë.
Kjo tezë shkaktoi reagime të ashpra dhe sulme ndaj analistit i cili jo vetëm që su zbraps por bëri edhe një tjetër deklaratë të bujshme.
Sipas Nanos, jo vetëm Vojsava ishte sllave, por edhe fëmijët e Skënderbeut janë martuar me serbë, si vajza edhe djali.
“Madje – në këtë pikë, mbahuni burra! – edhe i biri i Skënderbeut, me emrin Gjon, mori për grua Jerina Paleologen (Erina Paliologa në origjinal), që ish bijë e Llazarit, despotit të Serbisë (shih faqen 432 te përkthimi i Xhufit apo faqen 28 te libri i Charles Hopf-it). Doni më?
Edhe e motra e Skënderbeut, Maria (siç e quan Gjon Muzaka) apo Mara (siç e quan Marin Barleti), u martua me Stefan Cernojeviqin (shih faqen 447 te libri i Xhufit “Nga paleologët te Muzakajt”, dhe faqen 295 te libri i Charles hopf-it “Chroniques greco-romanés”).
Siç shihet, Kastriotët i kanë pasur shumë për zemër martesat me serbë e sllavë”- ka përfunduar Nano.
Tezat rreth kësaj çështje të nxehtë vazhdojnë të diskutohen në studio të ndryshme televizive por pavarësisht hipotezave, Skënderbeu mbetet heroi i shqiptarëve dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim.