Ibrahim Shyti u lind më 18 maj 1879 në fshatin Tragjas të Vlorës, në një familje të njohur për veprimtarinë e saj kombëtare. Të parët e tij ishin përfshirë në lëvizjet antiosmane në fillim të shekullit të XVIII dhe sidomos në kryengritjen e vitit 1847. Në atë periudhë, gjyshi nga i ati dhe gjyshi nga nëna, bënin pjesë në parinë e Tragjasit dhe Dukatit, pasqyruar në vargjet e Spiro Dines “Valët e detit” dhe këngën “Pamporrët errinë”, ku thuhet:
Pamporrët e detit vinë,
Na kërkojnë parësinë,
Mahmud Hoxhë Tragjasin,
Në Dukat dervish Alinë,
Në Stamboll duaj t’i shpinë…”
Babai i tij ishte djali i Mahmud Hoxhës, një patriot i njohur në Shqipërinë e Jugut, mësues i familjes Vlora, rreth viteve 1845, i cili me ndihmën e familjes Vlora, ishte shkolluar në Zosimenë e Janinës dhe kishte bërë shkollë për klerik në Stamboll. Nga e ema ishte nipi i Kamber Delos, edhe ky patriot i njohur në jug të vendit. Te dy antarë të beslidhjes së Beratit më 1829 dhe udhëheqës te kryengritjeve të Reformave të Tanzimatit.
I ati i Ibrahimit, Tahir Mahmud Hoxha (Shyti), në vitet 1878-1880, u bë një nga veprimtarët e Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Ai bashkpunoi me kapedanët e Himarës si Odhise Kasnecin, Musa Bodo nga Dukati dhe sidomos me kryetarin e degës së Lidhjes së Prizrenit për Vlorën, Mustafa Pashë Vlora.
Në këtë vatër familjare u rrit dhe u edukua Ibrahim Shyti, i cili mësimet e para i mori në shkollën turke të fshatit.
Që në moshë të mitur në vitin 1981 u largua nga fshati, së pari në Vlorë e më tej në disa qytete të vendit, duke përfunduar në Stamboll në 1908, ku në nëntor mori pjesë në pritjen që ju bë Ismail Qemalit, nga klubi “Bashkimi”. Në Stamboll krijoi lidhje të shumta me patriotë të kohës, sidomos me djalin e madh të Ismail Qemalit, Mahmudin, me të cilin punuan për fitoren e Ismail Qemalit, si deputet i Vlorës. Në këtë kohë ai ra në kontakt me shumë gazeta të kohës, që botoheshin në gjuhën shqipe, si: “Kombi” e Bostonit, “Dielli” e shqiptarëve të Amerikës, “Shqypja e Shqypnisë” e Sofjes, “Rryfeja” e Egjyptit, “Besa” dhe “Bashkimi” të Stambollit, “Liria” të Selanikut etj. Nëpërmjet shtypit krijoi lidhje me emra të rëndësishëm, si Shahin Kolonja, Kristo Floqi, Mitat Frashëri, e të tjerë, me të cilët pasqyronte në faqet e shtypit problemet e kohës.
Më 1909 u kthye në qytetin e Vlorës, ku u përfshi në një aktivitet të lartë patriotik si para dhe pas shpalljes së pavarësisë, periudhë në të cilën u bë qendër e shkëmbimeve të materialeve të gazetave dhe librave të patriotëvë më të mëdhënj të vendit, duke hapur librarinë “Shpresa” e cila sipas amanetit të tij, ju dhurua bashkisë së Vlorës, me nje volum prej mbi 5000 titujsh, si dhe shumë dokumenta të tjera me vlerë të madhe për historinë e vendit.
Për aktivitetin e lartë patriotik në shërbim të vendit, Bashkia e Vlorës, i ka dhënë titullin e lartë “Qytetar Nderi i Vlorës”, krahas shumë figurave të mëdha të kombit. Për luftën që bënte për ndriçimin e vendit, është burgosur dhe internuar disa herë, duke filluar nga turqit e deri tek internimi gjerman, nga i cili mundi të dilte gjallë më 1945, ku gjeti gjëmën për djalin e tij Hektorin, i cili kishte vdekur në kampin e Prishtinës.
Ja çfarë shkruan Petro Marko për patriotin Ibrahim Shyti.
“E njoha kur ishim nxënës në shkollën tregtare 1925-1931. Kur shkonim në librarinë e tij, na priste sikur t’ishim bijtë e tij. Na ndihmonte, edhe materjalisht. Libra, fletore, gazeta i merrnim sikur t’ishin tonat. Ai na jepte shtypin që botohej jashtë atdheut “Dielli”, “Shqipëria e Re” dhe disa herë edhe “Liria kombëtare”. Na porosiste të thelloheshim në parathëniet e përkthimeve të Nolit, duke na porositur se për ju më shumë vlen parathënia. Na porosiste si të ruheshim nga spiunët. Ai ishte anti feudal, antizogist, anti-italian dhe një nga propagandistët më të flaktë të ideve të rilindasve, të Avni Rustemit dhe Halim Xhelos.
Më vonë e kuptova se ai sintetizonte frymën patriotike të Vlorës. Ishte prototipi i shpirtit popullor, i patriotizmit vlonjat. Kur u rrita, u lidha me të. Kudo ku kam vajtur e kam kujtuar me dashuri dhe respekt këtë patriot që jepte gjithçka për popullin e për Shqipërinë dhe nuk kërkonte asgjë. Kur u ktheva nga Spanja në 1940, takimin e parë e bëra me Ibrahimin, i cili nuk më la të shkoja në hotel, por më mbajti në shtëpi. Mbas disa javësh, kur u ktheva nga fshati, Ibrahimi ishte shumë i shqetësuar se agjentët e Italisë, bënin propagandë për të rekrutuar ushtarë e milicië vlonjat për t’i hedhur në luftë kundër Greqisë. Na porositi që të mos rrinim të qetë e të luftonim me çdo kusht që të mos gënjehej asnjë shqiptar e të shkonte e të luftonte për armikun që i kish zënë derën. Përpiluam një trakt dhe e daktilograoi Luteri, djali i madh i tij. Ai e shumëfishoi, dhe një grup të rinjsh, shumica, të Shkollës Tregtare. U arrestua Ibrahim Shyti, djali i tij, Luteri, e shoqja dhe nja dyzet veta të tjerë. U mbyll dyqani i Ibrahimit, ku u shtyp trakti i parë anti italian, që bënte thirrje për të mos marrë pjesë në luftën italo-greke.
Ishte e para familje shqiptare që persekutohej barbarisht nga fashizmi Italian. Ishte pranvera e vitit 1940, një vit pas okupimit fashist të shtatë prillit. Këtë meritë historike të Ibrahim Shytit dhe të familjes së tij, nuk duhet ta harrojmë kurrë. (shkruan Petro Marko)
Në burgje dhe internime me Ibrahimin, kam jetuar si me një vëllain tim të madh. Shumë herë i kërkoja ndjesë për gjëmën që i suallmë familjes së tij, por ai më buzëqeshte.
Në burgje e internime, sjellja e tij korrekte, me karakter, me bujari, me krenari, ndillte respekt jo vetëm tek ne, që e deshëm dhe e respektonim, se ishte i thyer në moshë dhe vuajtjet fizike qenë të rënda, po ndillte adhurim edhe tek shokët e huaj: grekë, italianë, jugosllavë, me të cilët vuanim dënimet kolektivisht, të bashkuar kundër të njëjtit armik.
Ibrahim Shyti, në burgje, në internime, ka qëndruar si burrë duke dhënë kurajo dhe shpresa të tjerëvë, që nga vuajtjet dhe torturat, dobësoheshin e nga ndonjëherë dëshpëroheshin. Ai me shakara, me anektoda, me filozofinë e shqiptarit optimist, na mbante me kurajo, tallej me ata që frikësoheshin. Urrente ata që u përuleshin fashistëve. Nga grupet e shumta që kishte në burgje dhe në internime – Ai qëndronte besnikë me ne… Të gjithë habiteshin me qetësinë e tij, me buzëqeshjen e tij edhe në çastet më të vështira e më kritike. Ishte shëmbull i qëndrueshmërisë, i guximit, i solidaritetit, i konspiracionit.
Gjatë rrugës së gjatë të jetës sime, ku njoha me mijra shokë shqiptarë e të huaj, për mua një nga më të dashurit mbetet në zemër e në mendje Ibrahim Shyti, njeri i thjeshtë, patriot, përparimtar, që i dha çdo gjë Shqipërisë dhe që nuk i kërkoi asgjë. Një figurë e ndritur, e denjë për t’u marrë si shëmbull për edukimin e brezave që vijnë.” – përfundon rrëfimin e tij, i madhi Petro Marko, Tiranë Korrik, 1981
*Nga “Epistolari i Ibrahim Shytit, Vlorë”. (Përgatiti Arben Shytaj sekretar i shoqatës “Tragjasi”)