Dy ditë më parë, Besart Imeri, një shqiptar nga Maqedonia vrau të birin në Ankona të Italisë. Ngjarja e rëndë tronditi opinionin publik dhe shkaktoi një plagë të madhe në familjen Imeri.
Vetë babai i të voglit, Besarti, i lindur në vitin 1991, ka pranuar në polici se e ka kryer ai krimin e rëndë, i ndodhur në kushte aspak të mira mendore dhe psikike.
Ai ka thënë para policëve:
Unë jam keq. Jam në depresion. Marr ilaçe prej një viti. E vrava unë…”.
Deri para gjashtë muajsh ai punonte si saldator në një kompani, por më pas ngeli pa punë dhe situata e tij ekonomike u përkeqësua. Duke folur për vrasjen e të birit nuk derdhi asnjë kokërr loti, por shprehu pendesë të thellë.
Babai i Besartit dhe gjyshi i viktimës, Hamidit, 58-vjeçari Bajram, thotë:
Ai nuk ka qenë kurrë i dhunshëm, por ka pasur herë pas here luhatje humori. I erreshin sytë, i ziheshin si me një perde”.
Të enjten pasdite, rreth orës 18:00, Besarti ndodhej në shtëpi bashkë me të shoqen 24-vjeçare, Sevimen, e cila është në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe pret fëmijën e tretë.
Në banesë ndodhej edhe Hamidi si dhe vëllai tjetër i tij, i moshës 3-vjeçare. Besarti i kishte thënë të shoqes se do të nxirrte Hamidin për të bërë një shëtitje jashtë, edhe pse moti i ishte i keq, bënte shumë ftohtë dhe kishte rënë dëborë.
Babë e bir hipën në automjetin tip Toyota Yaris, të parkuar pranë shtëpisë, por nuk kaloi shumë kohë dhe ndodhi ajo që nuk pritej. Menjëherë pasi vrau të birin, Besarti zbriti nga makina dhe nisi të bërtasë me sa zë kishte në kokë.
Jashtë banesës dolën menjëherë prindërit e tij, ndërsa gjysh Bajrami telefonoi ambulancën për të shpëtuar të voglin.
Gjithçka kishte qenë e kot. E ëma e Hamidit të vogël, pasi kishte marrë vesh lajmin, i kishte rënë të fikët dhe ndodhet ende në spitalin e Jesit.