Loading...

Krahina e Dukatit priti dhe ndihmoi fisnikërisht çamët, por edhe ata janë po aq fisnikë sa kjo krahine – Nga Laureta Petoshati

Ata e quajtën Dukatin, që i priti, fshat fisnik, por mirënjohja që treguan ndaj tij dhe Tragjasit, si pjesë përbërëse e krahinës së Dukatit, tregoi se edhe çamët janë po aq fisnikë sa kjo krahinë. Në rrugën kombëtare Vlorë-Sarandë, që kalon mes përmes Dukatit, në Qafën e Shën Thanasit të lagjes Gjyrat të këtij fshati, pikërisht atje, ku 65 vjet më parë, shumë çamë, viktima të gjenocidit famëkeq të shovinizmit grek, u pritën nga dukatasit dhe u shpërndanë në shtëpitë e tyre dhe në Tragjas, komuniteti çam i Vlorës, ndërtoi një Memorial Mirënjohjeje.

Ata që do të shkojnë në Llogorain e Dukatit, patjetër do ta shikojnë këtë stoli që i bëhet vlerave të larta njerëzore, dhembshurisë dhe njeridashjes, përurimi i të cilit u bë ditën e dielë më 7 qershor. Për të pritur si dikur, por tashmë në kushte të tjera, vëllezërit çamë, kishin dalë Kryetari i Shoqatës Atdhetare Dukati zoti Mustafa Dedenika, Kryeplaku i fshatit Dukat-fushë zoti Mitat Berdo, Kryeplaku i fshatit Dukat-mal zoti Thanas Kapo, anëtari i pleqësisë Hajri Miftari, Kryetari i Këshillit Bashkiak të Orikumit zoti Selaudin Nelaj, si dhe nënkryetari i po këtij këshilli zoti Esat Ymeri, si dhe mjaft intelektualë e banorë të Dukatit. Ai gji fushe, ku frynte era me parfum pishash të Llogorait, e këndonte bilbili, kënga e të cilit përzihej me atë të gjinkallës nëpër rrafshinat e mbjella me grurë e misër, u mbush plot me çamë të ardhur nga Vlora, Fieri e nga shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Në sytë e më të moshuarve kishte lot…Ishin lot malli, kujtimesh të hidhura për atë rrugë të mundimshme shpërnguljeje gjakësore…

Por andartët e Zervës nuk u ngopën vetëm me shpërnguljen, ata donin zhdukjen e çdo gjurme krimi, zhdukjen e popullsisë çame duke dërguar nëpër burimet ku ata kalonin njerëz të armatosur që të mos i linin të pinin as ujë. Për këtë mizori u ndihmuan edhe nga ithtarët e kishës greke, të cilët i quanin çamët të paudhë e të pafe. Por ja, erdhi dhe Dukati, të cilit Zoti i pat falur shumë gjëra, edhe fushën, edhe malin, edhe lumin, edhe Llogorain, edhe dy dete :Jonin dhe Adriatikun, por mbi të gjitha mikpritjen bujare si virtyti më i lartë i shqiptarisë. “Jemi mbledhur sot këtu, për të kujtuar ato ditë që janë gdhendur në memorien tonë, kur populli dukatas priti dhe futi në gjirin e tij popullsinë çame të masakruar, të uritur, të zhveshur, të zbathur, dëbuar me forcë e dhunë nga shovinistët grekë. Këtë veprim sa human, aq dhe atdhetar e bën vetëm një popull fisnik, trim dhe i mençur.

I tillë njihet dhe do të mbetet në histori populli i Dukatit”-tha Halim Halimi, Kryetar i Shoqatës Atdhetare “Çamëria”-dega Vlorë, në hapjen e ceremonisë së përurimit të Memorialit të Mirënjohjes, kushtuar mikpritjes vëllazërore të banorëve të Dukatit dhe Tragjasit, ndaj popullsisë martire çame të larguar nga shovinistët grekë në vitin 1944, i cili më tej vijoi duke thënë se “lidhjet e Çamërisë me Labërinë janë të vjetra e historike. Le të kujtojmë Luftën e Janinës ku çamë e labë luftuan në një llogore, momentin e ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vlorë më 1912, ku krahina e Çamërisë u përfaqësua nga burrat e saj më të ndritur, apo Luftën Nacionalçlirimtare ku ranë në luftë kundër nazi-fashizmit djemtë e vajzat më të mirë të Çamërisë.

Dashuria, mikpritja dhe bujaria dukatase deri dje kujtohej nga banorët e Çamërisë nëpërmjet bisedave të gjyshërve e prindërve tanë, ku jo vetëm i hapi dyert e shtëpisë, por i ftoi dhe iu dha tokë për të banuar e jetuar bashkërisht, ndërsa sot e kemi të përjetësuar nga skulptori i talentuar çam Zeqir Alizoti, i cili nuk bëri gjë tjetër veçse e mishëroi në art këtë akt mikpritës të banorëve të krahinës së Dukatit, i cili do të kujtohet në vite e shekuj, brez pas brezi.” Ndërsa Ruhi Xhani, anëtar i Kryesisë së Shoqatës Atdhetare “Çamëria”-dega Vlorë, u shpreh në fjalën e tij se “Është bërë traditë që të përkujtohen data historike që lidhen me luftëra dhe të rënët në to. Por ky përurim që bëjmë sot është krejt i veçantë. Në këtë memorial që përurojmë sot, janë të shprehura dy nga vlerat që Zoti i ka dhënë njeriut: humanizmi dhe mirënjohja, që aq bukur i ka paraqitur artisti në këtë reliev . Këtu tregohet humanizmi i lartë i banorëve të Dukatit dhe Tragjasit, që bënë të pamundurën që çamët, të cilët u strehuan në shtëpitë e tyre, ta ndienin veten sa më mirë dhe nga ana tjetër tregohet populli çam që për 65 vjet me radhë, nuk e harroi asnjëherë, por e la në tregimet e tij brez pas brezi bukën që i dha Dukati dhe Tragjasi”.

“Këtu në Dukatin tënë /
ju nuk erdhët si të huaj /
një kafshatë në paçi ngrënë /
kini ngrënë kafshatën tuaj !/
Ta kujtojnë brezat tanë /
ta kujtojnë brezat që vijnë /
ç’bën vëllai për vëllanë /
ç’bën njeriu për njerinë ! ”- këndoi grupi polifonik i Dukatit vargjet e Hysni Kapo-Dukatit, me marrës Fatosh Likaj dhe këto vargje drithëruan të pranishmit. Studiuesi dhe historiani Sherif Tava nga Dukati, midis të tjerash tha: “Po e nis fjalën time me atë që shkruhet në historikun e Kuçit: “Në këto vite të vështira lufte, populli i Dukatit, u tregua mikpritës e vëlla i dashur, duke strehuar kurveleshas e kuçiotë me gjithë bagëtitë e tyre gjatë kohës së luftës me grekun 1912-1914.” Pra, siç thotë fjala e urtë : “Dardha nën dardhë bie , soja më sojë të shpie”, një mikpritje bujare u bënë prindërit tanë edhe vëllezërve çamë. Drama çame është e rrallë nga përmasat dhe egërsia. Edhe bishat janë më të mëshirshme se sa bandat gjakatare të Napolon Zervës.

Ato banda gjakatare therën e grinë pleq e plaka, gra e fëmijë të pafajshëm. Me bajoneta grave shtatzëna u hapnin barkun dhe u nxirrnin foshnjat. Një vepër të tillë makabre u krye nga ithtarët e Megallo-idhesë dhe bëri që një popull i pambrojtur të linte trojet stërgjyshore e të kthehej në muhaxhir duke u futur në kufijtë e cunguar shqiptar të 1913. Erdhi këtu në Dukatin tonë, i cili pati luftuar me heroizëm kundër andartëve, të cilët kryen edhe vepra kriminale me popullin e Dukatit, siç ishte ajo me të birin e patriotit Hamit Selmani, që e zunë në befasi në stanin e tij dhe e masakruan duke i nxjerrë sytë e prerë kokën për tu hakmarrë për disfatën që pësuan në Llogora.” Më tej historiani Sherif Tava përmendi me radhë familjet dukatase që mikpritën çamët si : Mëhillaj, Xhelilaj, Hundaj, Kapo Murati, Laçe Havari, Avdul Kuteli, Isa e Ali Bozhani, Alem Mehmeti, Axhem Ymeri, Ali Miftari, fisi Likaj, Musa Bena, Çapoj, Alushaj, Belo Zeqiri, Haxhi Hasko, Veli Elmazi, etj. Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Orikumit zoti Esat Ymeri, një nga pinjollët e familjeve mikpritëse tha se “Dukati nuk bëri asgjë më shumë se ç’bën një shqiptar i vërtetë, por pret me bukë, me kripë dhe me zemër !” Dukatasi Xhelo Bega, që edhe pse ishte fëmijë në vitin 1944, u bë një nga dëshmitarët okularë të eksodit biblik të çamëve dhe ka regjistruar në kujtesën e tij në hollësi ato ditë të vështira, duke treguar se : “Në fillim populli i Dukatit dhe pastaj edhe ai i Tragjas-Radhimës, në vitin 1944, i ka pritur çamët këtu, në këtë vend, në Shën Thanas, afër shtëpive të Mëhillajve dhe i kanë marrë nga dy apo tre familje në shtëpitë e tyre dhe kanë ngrënë e qëndruar së bashku për ditët e para dhe muajt e parë të eksodit kur ishte nevoja më e madhe. Populli çam, me pleq, fëmijë, burra e gra kishin udhëtuar më këmbë me ditë të tëra, nga vendi i tyre përgjatë bregdetit, më Qafë të Llogorait dhe zbritën në fushë të Dukatit ku jemi sot.

Unë isha i vogël dhe kur shkoja tek halla ime, tek vendi i quajtur “Varri me fik”, takoja karvanë të tëra grupe-grupe, që kishin kafshë të ngarkuara me rroba e orendi. Në mes të kafshëve ishin pleq e fëmijë, të tjerët më këmbë, shumë të rraskapitur. Fëmijët e vegjël kishin në duar kokrra murrizi që i hanin për të thyer urinë disaditore.” Të tilla kujtime patën shumë fshatarë të Dukatit. Ish mësuesi Elmaz Rodaku, madje, tregoi se ai qysh fëmijë e deri tani, njihte tre breza çamësh : “ Në brezin e parë ishte një burrë që i thërrisnin xha Sulejmëni, i cili nuk la më opinga të krahinës së Dukatit pa ndrequr. Brezi i dytë ishte ai që erdhi fëmijë, u shkollua apo punoi në fermën e Orikumit dhe brezi i tretë është ai i lindur këtu. Po çamët janë aq fisnikë dhe aq bukëdhënë sa edhe ne dukatasve, po të na ndodhte ajo gjëmë që u ndodhi atyre, ata do të kishin bërë të njëjtën gjë. Jemi vëllezër të një gjaku se jemi shqiptarë, do ta ndihmonim njëri-tjetrin se ne kemi ndihmuar dhe të huajt sipas zakonit shqiptar.” Mjaft prekëse ishin dhe fjalët e çamit 83 vjeçar Rexhep Daut Habibi, i cili pa mbushur 18 vjeç la fshatin e tij Volë në Çamëri dhe erdhi në Dukat. Ai, me sytë e mbushur me lot, me buzën që i dridhej tha : “Ecëm ditë e natë, të rraskapitur, na u tha shpirti dhe buza për një pikë ujë, por shpëtuam se u futëm në Dukat, në këtë vend të shenjtë. Lamë vatanë, gjetëm vatanë! Edhe këta të djegur nga lufta ishin, por ndanë copën e bukës me ne! Ju fëmijët tanë të dashur mos e harroni këtë vend të shenjtë, se ky vend na ka shpëtuar, se ne çamët që nga 1939 e deri në 1945 kemi hequr të zitë e ullirit. U lë amanet: Mos e harroni Dukatin! As Tragjasin mos e harroni, se atje kam punuar dhe ushqyer fëmijët! E kam akoma ndër dhëmbë bukën që kam ngrënë këtu! Populli ynë çam duhet të jetë i bashkuar me këtë krahinë!” Ndërsa zoti Gaço Baco, nga Tragjasi tha: “Në emër të popullit të Tragjasit, falënderoj ata që dhanë këtë copë tokë për këtë memorial.

Ne jemi popull, do ta ndihmojmë njëri-tjetrin, por për çamët ka ardhur koha që të punojë edhe qeveria.” Në mes të lotëve, u hoq pëlhura që mbulonte memorialin. Të gdhendura me mjeshtëri shfaqeshin së largu tumanet e çameve që vinin dhe të labeve dukatase që i prisnin, qylafët që mbanin mijëra halle e mendime. Shoh Hajri Miftarin, dukatasin që qante e, pak më tutje tij, i përlotur vështronte çami Ibrahim Omeri. Dikur fëmijë, kur ndiznin zjarre, mësuan dhe këngët e njëri-tjetrit, po tashmë iu kujtua një këngëz që vinte nga Çamëria : “Ndezu, ndezu, karkagjon, / se vjen plaka të kërkon, / me një dorëzë rigon. / Ndezu, ndezu, karkagjon, / sa të vijë plaka, / me një barrë osaka.” Por, kur u shfaq ai memorial madhështor, i skulptorit të mirënjohur çam, Zeqir Alizoti, gjithçka, më vonë, u kthye në këngë. Grupi i Dukatit dhe grupi “Çamëria” u bënë bashkë. Fustanellat zbardhën Qafën e Thanasit si bora mbi Majën e Paliskës. Gryka e Berdo Berdajt gjëmonte një këngë që e kthente era në jehonë: “Çamëri, tokë e bekuar / O gurët që rrini zgjuar / S’pushon rënga, s’thahet loti / Pa vajt haka tek i zoti.” Plaku Ali Mëhilli, teksa rrinte me familjarët e tij, vëllezërit Qemal e Fatosh Mëhilli, të cilët dhuruan tokën e të parëve të tyre për Memorialin e Mirënjohjes, i thotë Dashamir Tahirit, financuesit të memorialit : “Biro, i dhe Qafës së Shën Thanasit në Dukat, një gjerdan të xhevahirtë, ndaj djemtë, të xhevahirtët si ty i dua, atje, në Kuvend të Shqipërisë, që të na zbukuroni vendin!” “Është një ndjenjë mirënjohjeje dhe dashurie kjo, që ne tregojmë për krahinën e Dukatit, që u ka bërë të mira gjyshërve e prindërve tanë, duke i pritur këtu dhe më vonë duke i shpërndarë nëpër shtëpitë e tyre. Tani është ndryshe, tani të gjithë kemi plot dhe mund të bëjmë të mira, por atëherë kur ndodhi përzënia me dhunë e çamëve, ishin kohë tepër të vështira edhe për Dukatin.

Ai na e bëri nderin në kohën që nuk ka pasur as bukë për vete, ndau bukën dhe vatrën me ne. Është amaneti i të parëve tanë që të mos e harrojmë Dukatin, as lidhjet me të. Unë këtë gjë bëra, vura në vend amanetin e tyre, ashtu si do të punoj deri sa të kem frymë që ne të kthehemi në tokat tona në Çamëri.”- thotë Dashamir Tahiri, sipërmarrësi çam që ka sponsorizuar Memorialin e Mirënjohjes, këshilltar i PDI në Këshillin Bashkiak të Vlorës dhe kandidat për deputet në Kuvendin e Shqipërisë i kësaj force politike. Tej, kënga dhe vallja, shpërndaheshin si për të kaluar bashkë me makinat, Qafën e Llogorait e për të shkuar në Çamëri, si për tu thënë, ato vargje të rënda polifonie: “Gjyshërve iu këput syri / Nuk u tretën nga meraku / Thonë për trojet kurrë mos flini /Për ju ndezur rri oxhaku!” Publié par Dardan Leka à l’adresse 7/06/2009 09:32:00 PD Libellés : dukati, qameria, shqiperia, çamerija

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com