Ideja e të ngrënit kërmill mund të mos ju pëlqejë, por kur vjen për të bërë biznes me to, gjërat ndryshojnë. Në Shqipëri biznesi i kërmijve është një ndër më të suksesshmit.
Që nga viti 2000 gjithnjë e më shumë fermerë kanë nisur të hapin ferma kërmijsh. Kthimi i shpejtë i investimit e bën këtë biznes shumë fitimprurës në një kohë shumë të shkurtër.
Me një investim fillestar shumë të ulët, me pak shpenzime, krah të ulët pune dhe të ardhura të larta, biznesi i kërmillit mund të bëhet me kohë të plotë ose të pjesshme.
Robert Themeli, është nga ata fermerë që tregëtimit të kërmillit i ka dedikuar plot 17 vite. Ai arrin të eksportojë në vit afro 450 ton kërmij që rriten në të egër në pyje dhe buzë lumenjve nëpër Shqipëri.
“Nëse është një biznes që unë vazhdoj ta bëj prej 17 vjetësh, atëherë do të thotë që është një biznes i sukseshëm”, thotë Themeli i cili mbledh kërmij nga i gjithë vendi dhe i eksporton në Greqi, Francë, Bosnje dhe Herzegovinë.
Kërmijtë kërkohen shumë në tregun evropian dhe shumë fermerë kanë nisur t’i kultivojnë ato.
Njëri prej tyre është Stavri Lala, i cili nisi të merret me kultivimin e kërmillit në vitin 2007. Familja e tij u çudit kur mësoi për biznesin që do të merrte, por pas gjithë këtyre viteve e kanë kuptuar se biznesi i kërmijve ishte i qëlluar. “Unë e dua këtë punë, nuk kërkon shumë mund dhe ka një kthim të mirë të investimit”, vë re Lala.
Për të kultivimi i kërmillit është një minierë ari, që shumë shqiptarë ende nuk e njohin. Përveçse janë një burim shumë i mirë me proteina, kërmijtë mbeten një produkt i vlefshëm për tu konsumuar.
Mishi i kërmillit ka pak kolesterol, sodë dhe dhjam, që e bën të shkëlqyer për njerëzit që vuajnë nga presioni i lartë i gjakut. Disa njerëz e përdorin mukusin e kërmillit për të trajtuar të ftohurën dhe për të pregatitur substanca të ndryshme shëruese.
Por përveçse përdoret për arsye shëndetësore, shumë njerëz e konsumojnë për të parandaluar artereosklerozën dhe konstipacionin.
Gjithashtu ndihmon në kurimin e anemisë tek pacientët duke qenë se është i pasur në hekur, kalcium, amino acide, fosfor dhe proteina. Ndaj dhe nuk është çudi që gratë shtatëzëna e zgjedhin si ushqim.
Kërmijtë në Shqipëri
Në Shqipëri, kërmilli më i njohur është Helix lucorum, ose kërmilli Turk.
“Ky është kërmilli më i përhapur në Shqipëri dhe gjendet kudo, por ai që është cilësisht më i mirë gjendet në veri të vendit”, thotë Themeli. Shumë nga kërmijtë që mbushin tregun evropian gjenden në shkurre, pyje dhe buzë lumenjve.
Për shkak se kërmijtë janë në gjumë gjatë sezonit të thatë, ata bëhen gjithnjë e më të paktë gjatë kësaj periudhe dhe tregu është i uritur për furnizim me kërmij deri në sezonin e ardhshëm të lagësht.
Si pasojë, kërmijtë mund të arrijnë çmime shumë të larta gjatë verës, për disa lloje duke arritur deri në 20 Euro kilogrami, pasi kërkesa është më e lartë se oferta.
Ndërkohë që në Evropë, vihet re rritje një rritje e kërkesës për kërmijtë shqiptarë.
Edhe shumë nga restorantet dhe hotelet me zë në vend kanë nisur ta kërkojnë këtë produkt delikat duke e përfshirë në menutë e tyre, ndaj dhe bën sens që të përfitohet sa më shumë nga etja që ka tregu vendas dhe i huaj për kërmillin shqiptar.
Gjëra që duhet të dini para se të kultivoni kërmij
• Ruajini kërmijtë nga gjarpërinjtë, zogjtë, bretkosat, madje edhe nga lloje të tjera kërmijsh
• Njihuni me llojet e kërmijve dhe me atë që është më i përshtatshëm për tu kultivuar , pasi jo të gjithë kërmijtë janë të ngrënshëm. Dhe bëhuni gati të lexoni shumë për kërmijtë dhe trajtimin e tyre.
• Evitoni përdorimin e pesticideve në barin afër shtëpisë tuaj në rast se keni afër kërmij, pasi mund të jetë një rrezik për ta.
• Prijeni barin dhe shkurret, por mos i digjni. Lërini të thahen vetë, pasi ato janë ushqim për kërmijtë.
• Kushtojini vëmendje kërmijve kur mbyllen.
• Vendosni një limit që të mos largohen shumë, duke i kufizuar hapësirën me materiale që e pengojnë largimin e tyre.
• Kërkoni për tregje ku mund t’i eksportoni dhe ruajeni sasinë e pashitur duke e mbajtur të freskët