Sherebela është pjesë e familjes botanike ku bën pjesë edhe nenexhiku.
Të gjithë përbërësit e kuzhinës, që përputhen mirë me vajrat janë kombinimi ideal për çdo gatim të preferuar.
Sherebela është një prej këtyre përbërësve, që krijon një partneritet ideal me ushqimet e pasura me yndyrna dhe vaj.
Sherebela e pazëvendësueshme në kuzhinë.
Ngjyra e gjetheve të sherebelës dhe shija e tyre është e ndryshme, megjithatë sherebela shqiptare është një bimë me aromë të ndezur dhe me shije pakëz të thartë.
Ajo ia del të rezistojë edhe në gatimet me temperaturë të lartë, duke mos dorëzuar shijen dhe aromën.
Problemi me sherebelën është se shqiptarët më shumë e përdorin për çaj.
Në kuzhinën shqiptare sherebela ka një profil të kufizuar, në krahasim me erëzat dhe barishtet e tjera, siç janë borziloku dhe rigoni.
Nësë bëjmë një listë të përdorimeve në kuzhinë të të gjitha erëzave të çdo stine, kemi tendencën ta rradhisim sherebelën në mesin e bimëve aromatike kryesisht të përshtatshme për mbushje ose shoqërim të gatimeve me pulë dhe gjel.
Por shija pakëz pikante dhe me nuanca të rozmarinës që ka sherebela e freskët e bën atë lehtësisht të përdorshme gjatë gjithë vitit.
Mjafton të dini mënyrën e duhur për ruajtjen dhe përdorimin e sherebelës.
Sherebela shqiptare është një nga bimët më të eksportuara në tregjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës, ku përdoret kryesisht për gatim.
Sherebela shitet në tre forma të ndryshme: e njomë, e thatë dhe e grirë.
Nëse jeni në kërkim të sherebelës së njomë, përpiquni të blini bimën me gjethe të forta të veshura me push të hollë dhe pa njolla kafe.
Sherebela e grirë përftohet nga gjethet e thata të cilat janë janë këputur nga kërcenjtë.
Ajo është e butë dhe me një nivel të lartë arome. Sherebela e thatë ka një shije më të përmbajtur dhe reziston mirë në kuzhinë.
Recetat e sherebelës janë të panumërta.
Përdorimet e saj në kuzhinat ndërkombëtare po ashtu.
Sherebela kombinohet shumë mirë me produktet e bulmetit ndaj britanikët prodhojnë një djathë me grimca sherebele të quajtur Derby me sherebelë.
Ju mund ta huazoni këtë kombinim çdo herë që përgatisni panine me djathë të pjekur në zgarë, duke shtuar fletë sherebele tek djathi.
Shumë shefa ndërkombëtare të kuzhinës e përdorin sherebelën me qepët e kavërdisura, të cilat më pas përdoren për mbushje.
Qepët e karamelizuara apo pica me djathë guda janë ideale për t’u kombinuar me sherebelë.
Qepët e karamelizuara të kavërdisura me sherebelë mund të hidhen edhe mbi perime për t’ju dhënë një shije unike.
Në Gjermani, sherebela përdoret tek salçicet, e në disa raste edhe tek birra.
Sherebela ka një shije dhe aromë të fortë, ndaj nuk duhet të jeni dorëlëshuar.
Ajo kombinohet mirë me mishin e kuq dhe atë të shpendëve si të patës dhe pulës.
Në Itali, e përdorin duke e shtuar tek gjalpi që shkrihet para se të hidhet në makarona ose njoki.
Gjethet e skuqura të sherebelës mund të përdoren si barishte edhe në garnitura ose ushqime të shpejta.