Viti 2018 pritet të sjellë arrestimet e para në nivele të lartë në Shqipëri. Ambasadori Donald Lu e paralajmëroi diçka të tillë në fund të nëntorit dhe fillimi i 2018 pritet të jetë mjaft i vështirë për shumë gjyqtarë, prokurorë, deputetë, ministra e ish-ministra. Ndërkombëtarët i kishin shpresat te SPAK, por vonesat me të kanë bërë që t’u soset durimi dhe tani me largimin e Llallës do të nisë goditja e korrupsionit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas burimeve të sigurta të gazetës, në organin e akuzës po bëhet gati arrestimi i një politikani shqiptar. Burimet thanë se prokuroria është informuar nga shërbimet partnere se një politikan ka arritur të fshehë rreth 80 milionë euro në Londër, para që dyshohet të jenë vënë në mënyrë korruptive.
Të dhënat e para kanë mbërritur në vendin tonë dhe janë duke u kryer një sërë hetimesh e verifikimesh për të zbuluar se për kë emër bëhet fjalë dhe cilat janë mënyrat që janë vënë kaq shumë para. Pritet që rreth muajit shkurt të zbardhet dosja e plotë, ku pritet që të ketë dhe arrestime. Të dhënat për personin në fjalë janë zbuluar në kuadër të një sërë verifikimesh që janë duke kryer amerikanët për politikanët shqiptarë.
Gazeta Sot deklaroi pak ditë më parë se FBI në Tiranë dhe përfaqësues të SHBA kanë kërkuar nga Drejtoria e Pastrimit të Parave të dhëna për të gjithë politikanët, përfshirë deputetë, ministra e ish-ministra. Për të gjithë ata që ka pasur indicie se mund të kenë bërë transferta të dyshimta apo kanë llogari jashtë vendit, janë bërë verifikime. Një burim i rëndësishëm nga Prokuroria e Përgjithshme i tha gazetës se për politikanin në fjalë ka qenë SHBA që ka iniciuar verifikimet dhe gjurmimet i kanë çuar ata në Londër, ku më pas janë vënë në lëvizje autoritetet vendase dhe është zbuluar se bëhet fjalë për 80 milionë euro. Në fund të janarit ose në shkurt, pritet të zbulohet dhe emri si dhe të nisin zyrtarisht hetimet për të, ku nuk përjashtohet arrestimi dhe sekuestrimi i pasurisë.
Asnjë prej politikanëve shqiptarë nuk e ka të sigurt postin. Burime nga Drejtoria e Pastrimit të Parave i thanë gazetës se ndërkombëtarët janë duke i verifikuar një e nga një të gjithë zyrtarët kryesorë të shtetit dhe janë të shumtë ata që pritet të përfundojnë pas hekurave. Dihet tashmë se janë shumë emra që i kanë dërguar jashtë vendit paratë e korrupsionit. Që nga vitit 2011 e deri më sot nga vendi ynë kanë dalë plot rreth 2 miliardë dollarë. Shifrat janë bërë publike nga një raport i “Global Financial Integrity” dhe të dhënat e siguruar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Sipas raportit, që nga vitit 2011-2015 janë transferuar rreth 1.3 miliardë dollarë. Por nëse bëhet një kërkim në faqen zyrtare të ILDKP, transferta ka pasur dhe vitet e fundit. ILDKP ka paditur në prokurori disa gjyqtarë, deputetë, ish-deputetë dhe ish-ministra për fshehje pasurie dhe transferta jashtë vendit të dyshimta. Po ashtu Drejtoria e Pastrimit të Parave ka bllokuar shumë llogari me qindra mijëra euro. Sa i takon rrugëve që janë ndjekur, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka treguar se paratë dalin në mënyrë tokësore dhe përmes transfertave, ndërsa sipas një raporti të Byrosë së Sigurisë Diplomatike, pjesë e Departamenti Amerikan të Shtetit, paratë fshihen kryesisht në Zvicër dhe vende si Malta, Ishujt Kajman dhe parajsa fiskale. Ndërsa vetë DASH në portin e 2016 thekson se një pjesë e madhe e parave të korrupsionit janë investuar në bregdet.