Penalltia e shkaktuar ndaj Sampdorias ka kthyer Elseid Hysajn në një prej lojtarëve më të kritikuar javën e fundit në radhët e Napolit, edhe pse kjo skuadër fitoi ndeshjen duke vazhduar kryesimin në Serinë A. Në “San Paolo” ka pasur kritika kundër tij nga tifozët, por me sa duket, disa prej tyre e kanë kaluar cakun.
Portali “Il Napolista”, i cili i kushtohet skuadrës së Hysajt dhe shkruan vetëm për ecurinë e saj, ka tërhequr vëmendjen ndaj fyerjeve kundër mbrojtësit shqiptar që u dëgjuan në ndeshjen e fundit.
“Na ktheu gati 30 vite në kohë personi i cili në një moment të veçantë thirri ‘merr një gomone dhe kthehu në Shqipëri’ për Hysajn”, theksohet në këtë portal.
“I kujtojmë personit në fjalë se me 7 mars 1999, në Brindizi arritën brenda natës 30 mijë shqiptarë. Me anije tët cilat hynë në histori si “Vlora”. Sigurisht, ishin edhe gomonet në një pikë të caktuar. Por shumë më vonë se ato anije që transferuan dhjetra mijëra të dëshpëruar”, shkruan ky portal sa i përket fyerjeve që u dëgjuan nga tribunat e stadiumit në fundjavë.