Loading...

Fakte nga Ago Nezha – Nuk do ta besoni, Dukati eshte sa 1/5 e rrethit te Vlores dhe ka 260 . . .

Një nga zonat më të bukura në  rivierën e vendit tonë është padyshim edhe Dukati, i cili mban brenda vetes një shumësi rrethinash të vogla.

Po si qëndron historia e këtij fshati që mban brenda vetes histori e legjenda të shumta.

Ka shumë historian e studiues që Dukatin e përshkruajnë si vendin ku kalonin vendin “Dukët” për shkak të bukurive natyrore.

Po t’i referohemi fakteve që sjell profesor Eqerem Çabej të gjitha vendbanimet që kanë në emrin e tyre prapashtesën “at” kanë rrënjë qartazi, Ilire.

Ndoshta për këtë arsye, hapësira e madhe që përfshin fshati Dukat përmbledh edhe disa qytete antike, si për të treguar historinë fort të mistershme dhe mjaft të vjetër të këtij vendi.

Nëse përfshijmë banorët e Dukatit të vjetër atij të ri dhe Okrikumit, numri i banorëve mund të shkojë më shumë se 7 mijë banorë, ndërkohë që 3 a 4 mijë të tjerë janë shpërndarë në qytetet më të mëdha të vendit.

Ago Nezha, kryetari i shoqatës “Labëria” thotë se Dukati është një fshat, nëse mund ta konsiderojmë si të tillë, me përmasa të gjera gjeografike dhe është një fshat për ta pasur zili jo vetëm për gjerësinë gjeografike, po edhe për resurset që ka ai brenda vetes.

Dukati ka 260 kilometra katrorë sipërfaqe, që është 1/5 e rrethit të Vlorës dhe 1/100 e gjithë Shqipërisë.

Fshati fillon tek Kepi i gjuhës dhe në vijë lienare dhe bregdetare është 91 km që përshkon malet Akrokeraune, që sot banorët i quajnë “Malet e vetëtimës”, shkon në Llogara, zbret në Palasë dhe harkon në malet e tjera në Çikë, në Tërbaç, në Vranisht, zbret në Tragjas më e më pas në Rradhimë.

Pra është një amfiteatër natyror që përveç madhësisë ka edhe një diversitet natyror të admirushëm.

Gjurmët më të hershme në këtë krahinë, i gjejmë padyshim në qytetin e lashtë të Orikut. Ai përmendet në fundin e shekullit të VI si një koloni e krijuar edhe më parë nga Eubeasit.

Megjithatë siç në rastin e Dyrrahut apo Apollonisë edhe Oriku u vendos në një qendër të banuar më parë. Vendbanimi shtrihej në gjirin e Dukatit ku u krijua edhe laguna nën të cilën ndodhen edhe rrënojat e pjesës tjetër të qytetit.

Banori i Dukatit Sofo Kuteli thotë se Dukati është një trevë me shumë vendbanime të hershme.

“Unë mund të numëroj 8-9 vendbanime, që po të bësh disa gërmime gjen vlera të mëdha. Brisani, Ravena, Kanali, Maruka, Gjyrati, Erihoi e disa të tjerë”.

Kanë qenë shumë kronikan që kanë kaluar në këto anë dhe Dukatin e kanë përshkruar me nota shumë romantike duke filluar që nga Evlia Çelebia, i cili në kujtimet e tija shkruan që “Kalova nëpër Dukat dhe Dukati kishte brenda vetes së tij 100 fshatra”.

Çelebia i përshkruan dukatasit si njerëz shumë të veçantë, me një trimëri të rrallë e që nuk e njihnin tërheqjen.

Legjendat anë të shumta në këto anë dhe një prej tyre është që në Malin e Vetëtimës ka lindur Zeusi dhe këtë e mbështesin edhe shumë studiues, e një prej tyre është edhe ai anglez, Hamond.

“Këto quhen ‘Malet e vetëtimës’, vetëtima ka zot Zeusin dhe kjo është shtëpia e Zeusit”, kështu shprehet një nga banorët.

Më vitin 48 pas Krishtit, në Palasë zbarkoi Jul Çezari për t’iu ngjitur Llogarasë e për të shkuar në atë vend që edhe sot quhet qafa e Qezarit. Pikërisht aty, Jul Cezari kërkoi ndihmë për të sulmuar dhe shpartalluar Pompeun.

Më 29 maj 1920 në Dukat u mbajt Kuvendi i Barçallasë që vendosi për të filluar luftën kundër pushtuesve italianë.

Thuhet se Emrin “Dukat” ky fshat e gëzon nga viti 220 para erës sonë. Aty është zbuluar një varrezë ilire e mijëvjeçarit III para Krishtit.

Sipas Mulla Isa Hasko, emri i këtij fshati duhet të ketë prejardhjen nga një monedhë e vjetër dhe me vlerë. Edhe Evilja Celebiu në librin “Shqipëria para dyqind vjetëve”, i përkthyer nga Sali Vuçiterni, hedh dritë mbi emrin e Dukatit.

Ndërsa Dukati i Ri ose siç quhet ndryshe Dukat-Fushë u ndërtua pas vitit 1945 në të zbritur të grykës së Shën Thanasit, në të majtë të lumit të Dukatit e të rrugës automobilistike Vlorë – Himarë, nën këmbët e maleve të vetëtimës ose siç quhet sot mali i Rimit.

Në Dukat ndodhet edhe Kulla e Dervish Aliut. Në afërsi të fshatit Dukat ndodhet një kompleks ndërtimor me vlera historike.

I ndërtuar në fillim të shek. XIX ky kompleks mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator i revoltave fshtare kundër reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848. Banesa është ndërtuar në tokën e tij nga mjeshtrat vendas.

Ajo përfaqëson banesë të tipit Kullë me tipare mbrojtëse nga më të arrirat në të gjithë Shqipërinë e Jugut.

Si pjesë më të rëndësishme të këtij ndërtimi përmendim kullën e vrojtimit, kullën mbrojtëse, divani me kollona guri e harqe, shtëpinë e bukës, odën e miqve e banesa të tjera ndihmëse.

Në banesën e ngritur mbi një truall kulmor janë hapur frengji (vende ku gjuanin luftëtarët) nga ku kontrollohet i gjithë territori përreth.

Kjo e shndërron këtë ndërtim në një kështjellëz të fortifikuar.

Kompleksi është shpallur monument kulture në vitin 1979. Si të shkojmë tek Kullat e Dervish Aliut? Për të vizituar këtë monument kulture ndiqet rruga që të çon në qendër të Dukatit të Vjetër.

Pasi arrihet në qendër të fshatit merr rrugën që të çon në lagjen “Mazo”. Rruga që të çon deri në qendër të fshatit përshkruhet nga makina, më tej rreth 1 km ecet në këmbë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com