Një grindje me të birin, i kushtoi jetën një 74–vjeçari në zonën e Farkës, në Tiranë.
Fejzi Aliaj u vra në oborrin e shtëpisë së tij mbrëmjen e të premtes, rreth orës 20:00.
I biri, Selman Aliaj 28-vjeç e qëlloi disa herë me çekiç në kokë. Pa e vënë re askush, në mes të natës, e mori trupin e të atit në makinën e tij tip Volsvagen dhe e çoi në liqenin e Farkës, ku e hodhi për të fshehur krimin.
Ai njihet si person me probleme mendore.
Të nesërmen, djali tjetër i viktimës, që ishte kthyer për festa nga emigracioni në Angli, telefonoi policinë për të denoncuar zhdukjen e babait. Efektivët e rendit nisën të hetojnë mbi pistën e vrasjes pasi panë njolla gjaku në oborrin e shtëpisë.
Të parët që u pyeten ishin familjarët.
28–vjeçari u ndalua në Kamëz, teksa po udhëtonte me makinën që kishte transportuar trupin. Policia gjeti gjurmë të krimit në mjetin e tij dhe u prangos menjëherë.
Selman Aliaj u ka tha hetuesve se e vrau pas një konflikti. Sipas tij, babai donte ta martonte dhe i kishte thënë se gruan do ta ndanin të dy.
Kjo dëshmi, sipas hetuesve, tregon dhe më shumë problemet mendore që ka autori.
Aliaj i tregoi policisë dhe vendin ku kishte hedhur trupin. Viktima u gjet i mbështjellë me një qilim dhe u nxorr nga liqeni në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Familja Aliaj është me origjinë nga Kukësi dhe prej vitesh ishte vendosur në zonën e Shkozës. Viktima ishte baba i katër fëmijëve, tre prej të cilëve punojnë në emigracion dhe ai jetonte në banesë vetëm më Selmanin.