Vrau kolegun rrugës duke u kthyer në Dibër pas nje sherri te castit, zbulohen te tjera detaje per te shkuaren e autorit.
Efektivi ka kryer një tjetër krim shtatë vite më parë, po me armën e shërbimit. Viktima dhe autori ishin edhe miq te ngushte me njeri-tjetrin.
Por, asokohe, kolegët e tij e ndihmuan dhe e fshehën ngjarjen duke e kaluar gjithçka në heshtje. Shtatë vite më pas, punonjësi i Policisë Naim Muliu vrau me dy plumba pas qafe specialistin e IT-së, Ardian Roçi, i cili ishte punonjës civil në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër. Mësohet se krimi i rëndë po hetohet nga ekspertë të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme në Tiranë.
Në prani edhe të Policisë së Peshkopisë, efektivi është marrë në pyetje fillimisht menjëherë pas ngjarjes, e më tej edhe ditën e djeshme. Sipas të dhënave, ai ka qenë në gjendje të dehur e për rrjedhojë dy dëshmitë e dhëna janë të ndryshme nga njëra- tjetra.
Ai ka pohuar se sapo kanë kaluar qytezën e Maqellarës dhe po udhëtonin drejt Peshkopisë, viktima Roçi ka nisur ta fyejë duke i përmendur nënën, gruan dhe të afërm të tjerë. Sipas pohimeve të Muliut në Polici, ai disa herë i është lutur të ndalte zhargonin fyes, sepse kurrë nuk i kishte ndodhur ta fyenin në këtë mënyrë.
“Ardiani lëshoi ndaj meje një fjalor që nuk e kisha dëgjuar kurrë në jetë. I thashë: Të lutem, mos fol me këtë gjuhë. Unë nuk duroj të shahem në këtë mënyrë. Ju e dini se nuk kam duruar askënd të më fyejë kaq rëndë. Ai u bë agresiv dhe për një moment m’u errën sytë. Nxora pistoletën dhe e qëllova dy herë. Ra mbi timon. E nxora nga makina dhe e vura në vendin ku isha unë. Lëviza me shpejtësi drejt spitalit. Pasi e çova në urgjencë, zbrita në një pikë karburanti dhe i tregova dikujt çfarë bëra. Prej këtu shkova në Komisariat dhe u dorëzova”, është shprehur Muliu për grupin hetimor.
Në deklaratën e dytë të dhënë, ai është shprehur se “ishim të pirë të dy, jam penduar për vrasjen e shokut të ngushtë”. Burime nga Policia bënë të ditur se viktima dhe autori njiheshin si persona që e tejkalonin dozën e alkoolit.
Madje, në gjendje të dehur dyshohet se efektivi kreu edhe krimin shtatë vite më parë, por fatmirësisht i plagosuri shpëtoi me një plumb në këmbë. Ngjarja ndodhi në një pikë servisi elektroshtëpiakesh në pronësi të tij. Klienti i është ankuar se nuk ia kishte rregulluar një defekt në televizor, ndonëse e kishte paguar.
Pas debatit mes tyre, punonjësi i Policisë ka nxjerrë armën duke e qëlluar atë. Fatmirësisht, i plagosuri shpëtoi, ndërsa sipas të dhënave, kolegët e tij të Peshkopisë e fshehën krimin dhe Muliu nuk u arrestua.