Përfaqësuesja e Rusisë nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2022 dhe si rrjedhojë, nuk do të jetë pjesë e ndeshjeve të play-off të saj në muajin mars. Ky është vendimi që pritet të zyrtarizohet shumë shpejt nga FIFA dhe UEFA pas një mbledhje prej rreth 4 orësh të përfaqësuesve të të dy organizatave.
FIFA kishte paralajmëruar përjashtimin e mundshëm të Rusisë gjatë komunikatës së djeshme, ku kishte marrë masat e para ndaj saj. Ajo kishte kërkuar të shihte një herë reagimin ndërkombëtar, dhe pasi të gjithë iu vunë kundër për “përkëdheljen” që i bëri Rusisë duke i ndryshuar emrin dhe duke i mohuar flamurin, praktikisht u detyrua që ta përjashtonte atë.
Kështu, Rusia nuk do të zbresë në fushë përballë Polonisë në ndeshjet play-off të muajit mars, ndërsa edhe UEFA pritet të zyrtarizojë bashkërisht vendimin që Spartak i Moskës të përjashtohet nga ky edicion i Ligës së Europës, ku javën e ardhshme duhej të përballej me RB Lajpcig.