CEREMONIA E VARRIMIT
Përcjellja e të vdekurit për në shtëpinë e përjetëshme, për në botën tjetër
konsiderohej si ndarja përfundimtare me të, prandaj pjesëmarrja në varrim
ishte një detyrim i çdo bashkëfshatari ndaj të vdekurit. Kjo traditë duhet të
jetë shumë e vjetër, aq më tepër për një fshat të vogël si Radhima… Edhe
nqse ndonjë nga të afërmit e të vdekurit si vëlla, motër, djalë a vajzë, etj, që
për arsye të ndryshme nuk arrinte dot kohën e caktuar për varrim, ceremonia
nuk mund të shtyhej, pasi ishte gjynah…
Kur vinte koha e përcjelljes, i vdekuri ngrihej nga katër burra dhe vendosej
në tabut. Koha e nxjerrjes nga shtëpia konsiderohej si një nga kulmet e të
qarit. Gjatë rrugës burrat shpesh ndërronin njëri-tjetrin në mbajtjen e tabutit,
ndërsa gratë nuk shkonin në varrim. Vetëm në shek. XX ky zakon ndryshoi,
duke qenë edhe ato prezent në përcjellje, por përsëri bashkëshortja nuk
duhej të shkonte. Ndërsa pas mesit të këtij shekulli gratë mund të ishin të
gjitha të pranishme në varrim, por asnjëherë shtëpia nuk duhej të mbetej
bosh, pa njerëz…
Nga vet zbulimet arkeologjike në nekropojt e shumtë të lashtësisë, duket
qartë se banorët e kësaj treve ndër shekuj i kanë kushtuar rëndësi banesës
së fundit. Ai përgatitej duke u veshur e mbuluar me tulla të mëdha dhe i
vdekuri vendosej me gjithë orenditë zbukuruese; ato të luftës si shpata,
heshta, mburoja, etj. si dhe një iventar të pasur enësh balte, që sipas besimit
pagan do t’i nevojiteshin në jetën tjetër.
Me lindjen e krishterimit edhe autoktonët në vendin e quajtur Radhimë
duhet të kenë zbatuar si kudo ritet fetare të krishtere në përcjelljen dhe
varrimin e të vdekurve. Në këtë konkluzion mund të arrihet, pasi vërehet se
kudo ku ka shenja jete të kohës se krishtërimit afër vendbanimit janë edhe
shenjat, themelet ose të paktën emri i një kishe… Ndërsa kur feja ndryshoi
edhe zakonet e mënyra e përcjelljes ju përshtatën myslimanizmit, e cila është
tradita e fundit e trashëguar në fshat.
Vet rrënimi ekonomik i vazhdueshëm nga pushtuesit osmanë varfëroi
ndjeshëm edhe ritet e kushtet gjatë varrimit… Kështu që në shek. XX tek ne
162
Bota Radhimjote
ka arritur zakoni mysliman, duke e mbështjellë mehitin me qefin. Orientimi i
trupit në varr bëhej në drejtimin L-P, me kryet të kthyera nga Qabea.* Pasi ai
vendosej poshtë, mbi të vendoseshin drurë të drejtë si ullishte, valanidh, etj,
që quheshin stranica. Ato puthiteshin mirë në mënyrë që dheu të mos binte
mbi trup. Nga ana e sipërme drurët dilnin jashtë buzës së varrit e mbi to’
hidhej kashtë gruri ose misri për mbulimin e boshllëqeve. Fillimisht më të
afërmit hidhnin nga një grusht dhe’, pastaj të gjithë e kryenin këtë rit; me dorë
ose me vegla bujqësore. Mbulimi duhej të ishte sa më i shpejtë e më në fund
dy gurë shërbenin si kufizuese të varrit, që quheshin qivure (një nga koka e
një nga këmbët). E po aty afër qivurëve nguleshin dy shkopinj nga 30-40 cm.
të gjatë, duke lidhur në to fjongo të bardha e të kuqe nga qefini. Sipas besimit
fetar, varri i femrave duhej të bëhej më i thellë…
Sipas riteve myslimane, pas ceremonisë së varrimit, afër vendvarrimit për
shpirt të të vdekurit ndahej hasyde (lloj embelsire e bere me nisheshte).
Secili pjesëmarrës duhej të merrte një copë, duke ngushëlluar “Allahu me
rahmet!…” Pastaj të gjithë së bashku duhej të ktheheshin në shtëpinë ku
kishte ndodhur vakia, për të ngushëlluar pjesëtarët e familjes.
Ndërkohë shtrohej buka ose dreka siç quhej, ku pjesëmarrësit uleshin
nëpër sofra në shesh. Ata duhej të hanin, qoftë edhe të fusnin diçka në gojë,
pasi ngrënia e bukës quhej sevap për të vdekurin. Si zakon, në drekë servirej
mish i zier me lëng e në fund revani ose hasyde, kurse me rritjen e nivelit
ekonomik, filluan të serviren edhe supë, mish i zier me oriz, byrek, etj., duke
u shoqëruar me pak raki për të ngushëlluar. Të gjithë pjesëmarrësit hanin
bukë në qetësi, duke e përfunduar drekën përsëri me ngushëllim.
Në Radhimë, si kudo në trevë, banorët, varret i kanë vendosur në hyrje të
vendbanimeve të tyre. Nga zbulimet arkeologjike, ky fenomen verëhet qysh
në shek. V-III p.K. Duke e konsideruar vendbanimin e quajtur sot Radhimë
shumë të vjetër, ata pra autoktonët, të vdekurit i kanë varrosur në nekropojt e
majës së Bregut dhe në Gropë; pra në dy hyrjet e vendbanimit si dhe në
afërsi të vendbanimeve të tjera si Grabo, Dremicë, Katohori’, etj Më vonë, me
lindjen e fesë, zakonisht varrimi bëhej pranë kishave si në majë të Bregut,
Katohori’ (kisha e Zoit), Mavrenerua (kisha e Shën Kollit), etj. Ndërsa pas
rrënimit të kishave dhe ndryshimit të fesë, në Lëmënjë dhe në oborr të
xhamisë, por duke mos hequr dorë asnjëherë nga varrimi në hyrje të
vendbanimit si në Ramec, si edhe pranë pronave. E veçantë për Radhimën
është se për vet konfliktet kufitare që ka patur, për t’i bërë ato të
padiskutueshme, në kufi me Kaninën është parabërë varri i Av. Mehmet
Halilit, kurse në kufi me Tragjasin janë varrosur Myftar Musai e Maze Mejdiu.
Në shek. XIX në Radhimë filloi rrethimi i varreve me mur guri, si varri me
kanjulla pranë xhamisë, në Ramec, në majë të Çukës, etj, kurse në vitet e
socializmit kemi një evolim të ndjeshëm. Varret filluan të vishen me pllaka të
gatshme betoni, të mbulohen po me pllaka të tilla; trupi filloi të futet në arkivol
të përgatitur me dërrasa e kompesatë, të veshur me beze të zezë për të
moshuar e me të kuqe për të rinj. Njëkohësisht mehiti vishej me rroba të reja,
kostum, etj, kurse këpucët i vendoseshin pranë këmbëve. Filloi bërja masive
e varreve me mermer, duke u caktuar si nekropol për fshatin mesuni i Drizës.
Për të plotësuar ndonjë amanet janë varrosur në një varr edhe dy persona,
por në kohë të ndryshme…