Në tre muajt e parë të vitit 2017, numërohen 388 aksidente rrugore, me 55 të vdekur. Shifrat janë marrë nga Instituti i Statistikave që ka publikuar sot të dhënat për aksidentet rrugore të muajit që lamë pas.
Sipas INSTAT: Në muajin Mars 2017, numërohen 152 aksidente rrugore, 10,9 % më shumë në krahasim me muajin Mars 2016. Numri i të aksidentuarve është 213 persona nga 183 që ishte në të njëjtin muaj të një viti më parë.
Në tremujorin e parë 2017, numri i të aksidentuarve është ulur me 4,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i personave të vdekur gjatë muajit Mars është 16. Krahasuar me mesataren e personave të vdekur gjatë vitit 2016, ky numër është ulur me 28,6 %. Në shkurt 2017, ishin 17 të vdekur nga aksidentet, ndërsa në Janar 2017, 22.
Aksidentet rrugore, në 78,9 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25 – 35 vjeç.
Në Mars 2017, numri të aksidentuarve (vdekur apo plagosur) për 100.000 banorë ishte afërsisht 7 persona. Krahasuar me mesataren e vitit 2016, ky numër u ul me 8,1 %. /Syri.net/