Ish-kryeministri Sali Berisha mesditën e sotme zhvilloi “Foltoren” me të rinjtë në Tiranë. Lëvizjes së Berishës iu bashkua edhe kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi.
Por duket se Lulzim Bashën e ka “braktisur” edhe ish-zëdhënësja e PD-së gjatë fushatës, Floriana Garo.
“Foltoja me të rinjtë! Më të bashkuar, më të fortë, më të hapur!’- shkruan ajo në ‘Instagram’.
Gjatë fjalës së tij, Sali Berisha akuzoi Lulzim Bashën për shpalljen e zgjedhjeve të reja për drejtuesit e forumit të të rinjve dhe grave.
“Është vërsulur ndaj organizatës suaj dhe të grave, në një hakmarrje të turpshme. Vendi i tij po të ishte burrë, duhet të ishte sot përpara jush. Këtu. Me Belindin, Rigersin, mua me një debat të hapur.
Por i kyçur në zyrën e tij dhe jep urdhra me telefon, si në kohërat më staliniste për uzurpimin e forumit rinor dhe të grave. Forumi juaj ka trashëgiminë e tij. Nuk është pronë e askujt. Ato janë kompetencë e juaja, do të jeni ju që do të zhvilloni procesin dhe zgjidhni drejtuesit.
Ju sugjeroj ta ftoni në një debat, mos fshihet, por të mësojë nga ju ABC e demokracisë” tha Berisha.