Dy gola mes shiut, Flamurtari ngjitet i dyti ne Kategorine Superirore
Ishte një ndeshje delikate dhe me shumë rëndësi për të dyja palët, por në fund fitoi skuadra më e fortë dhe më e kompletuar, Flamurtari. Kuqezinjtë e Shpëtim Duros mposhtën Vllazninë 2-0, në një ndeshje ku shiu dhe era ishin protagoniste.
Në një stadium thuajse bosh, por me shumë femra e të rinj në tribunën qendrore, Flamurtari luajti ndeshjen perfekte në aspektin e rezultatit: gol në fillim me Mustën, pas një gabimi në grushtim të portierit shkodran Alen Sherri dhe aty u vendosën fatet e takimit.
Vllaznia humbi sulmuesin kryesor Atsina, Flamurtari humbi kapitenin Bushiç për dëmtim dhe loja nuk pati ritëm, për shkak të erës së fortë, që prishi çdo skemë.
Edhe në pjesën e dytë pak lojë e raste dhe një Vllazni në rritje konstante, por pa e rrezikuar asnjëherë portën vlonjate.
Shpëtim Duro bëri zëvendësime dhe kuqezinjtë pritën me qetësi rastin për të mbyllur ndeshjen, duke ia dalë në minutën e 88-të me Kamaranë, i cili gjen golin e parë në kampionat.
Fitore e artë për vlonjatët, humbje e hidhur për Vllazninë, që realisht nuk luajti aspak keq.