Loading...

A shkeli kontratën Panucci kur firmosi me FSHF? Reagon trajneri…

Christian Panucci firmosi më 19 korrik të këtij viti kontratën që e mban të lidhur me Federatën Shqiptare të Futbollit për 2 vjet e 4 muaj si trajner i Kombëtares shqiptare të futbollit. Por “Eduasportin” ka zbuluar ekskluzivisht se trajneri italian rrezikon të penalizohet për shkak të një kontrate që ai ka pasur me një kompani menaxhimi. Kontrata është firmosur më 1 qershor 2017 mes Christian Panucci-t dhe “Infinity Global Sports” dhe ka qenë e vlefshme deri më 30 shtator 2017.

Në bazë të kësaj kontrate të firmosur në Luksemburg (aty ku ka selinë edhe kompania në fjalë), tekniku italian u jep të drejtën përfaqësuesve të “Infinity Global Sports” që të negociojnë për transferimin e Panucci-t me çdo klub në Evropë, Zvicër (me Sionin konkretisht) dhe me çdo federatë futbolli.

Trajneri, megjithatë, ka hyrë në negociata personalisht me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe më pas ka firmosur një kontratë për të drejtuar Kombëtaren shqiptare pa përfshirë dhe pa vënë në dijeni kompaninë, gjë që përbën një shkelje të marrëveshjes në fakt.

“Eduasportin” ka mundur të sigurojë këtë kontratë, në një kohë që “Infinity Global Sports” i lind e drejta ta çojë çështjen në organet disiplinore të institucioneve më të rëndësishme të futbollit, por duhet thënë se ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap kundrejt Panucci-t.

Për të mësuar se si qëndron çështja, “Eduasportin” kontaktoi me trajnerin Panucci për ta pyetur nëse ai ka shkelur kontratë kur firmosi me FSHF-në pa vënë në dijeni kompaninë e menaxhimit.

Trajneri shprehet se nuk e ka shkelur kontratën dhe sipas tij nuk ka asnjë problem në këtë mes. “Po, ekziston kjo kontratë, por ishte e vlefshme vetëm për të negociuar me Sionin. Ju duhet ta dini që një trajner nuk mund të ketë menaxher, por mund të mandatojë dikë për të negociuar me klube apo federata. FSHF-ja më ka kontaktuar direkt dhe kështu nisën negociatat që u mbyllën me firmosjen e kontratës”, – shprehet trajneri, i cili shton: – “Gjithsesi, mos kini merak sepse unë jam sqaruar me kompaninë, kështu që nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”.

Por EDS ka mësuar se trajneri “nuk është sqaruar me kompaninë” dhe se çështja vazhdon të jetë e hapur. Njëkohësisht, Panucci nuk tregohet i sinqertë kur thotë se kontrata ishte e vlefshme vetëm për të negociuar me Sionin, pasi siç mund të shikohet në kopjen e publikuar, kompania ka të drejtë ekskluzive të negociojë me çdo klub në Evropë dhe kombëtare.

Tashmë mbetet për t’u parë se cilat do të jenë hapat ligjore të kompanisë, nëse do t’u drejtohet organeve kompetente apo do të arrijë një marrëveshje me ish-lojtarin e Realit të Madridit për të dëmshpërblyer shkeljen e kontratës. / EDS /

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com