Situata e përmbytjeve paraqitet e rëndë në Kurbin, ku sipas raportimeve nga terreni, mësohet se qindra hektarë tokë janë përmbytur në fshatin Gotull.
Përmbytjet kanë shkaktuar ngordhjen e bagëtive që nuk janë larguar nga zona.
Po kështu bëhet e ditur se nga reshjet është shembur një urë që lidhte fshatin Gotull me qendrën e Kurbinit, duke izoluar banorët. Sipas tyre, gjendja është e jashtëzakonshme dhe kanë bërë thirrje për ndihmë.
Ndërkaq sipas raportimeve të fundit në Shijak janë shembur tre ura duke bllokuar tre fshatra, Gjepalaj, Çizmel dhe Shetel.
Deri tani raportohet se janë përmbytur 50 banesa, 40 familje janë evakuuar, vijon operacioni nga Emergjencat Civile për shpëtimin e banorëve të tjerë që janë në rrezik.