Loading...

Balluku:“Brenda këtij mandati përfundon Unaza e Madhe, Porti i Durrësit, aeroporti i Vlorës”

Ka nisur faza e dytë e seancës maratonë në Kuvend, ku po zhvillohet pjesa e pyetje-përgjigjeve nga ministrat dhe deputetët. Kjo pjesë është hapur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, e cila i është përgjigjur pyetjes lidhur me investimet që kanë nisur dhe ato që do të përfundohen brenda mandatit të tretë.

Nga foltorja e Kuvendit, ministrja Balluku renditi projektet e rrugëve, porteve dhe aeroporteve, që sipas saj, do të mbyllen brenda këtij mandati 4-vjeçar, duke përfshirë këtu Portin e Durrësit, të Sarandës, aeroportin e Vlorës, etj. Ndërsa, sipas ministres, brenda këtij mandati nuk mund të përfundojë projekti i korridorit blu, ndonëse do të nisë puna muajt në vijim.

“Do të ndaloja fillimisht te portet, që janë pjesë e paketës së zhvillimit infrastrukturor, kanë nisur. Tani jemi në fazën e garës për projektin e detajuar të Durrësit, që përfundon në muajin tetor. Pastaj do të nisim garën ndërkombëtare për ndërtimin e Portit të Durrësit. Ky port i ri ndërkombëtar do të dorëzohet brenda këtij mandati. Porti i Vlorës, ashtu siç edhe e kemi thënë, ndryshon destinacionin për t’u lidhur me vazhdimin e Lungomares dhe kthehet në një triport. Krijohet aty një port i integruar, që mbulon shërbimet integrale, por edhe ato të peshkimit. Si ndërtimi i triportit, ashtu edhe porti në Porto Romano, do të shoqërohen me nënstacionet elektrike, për të përballuar kapacitetet e shtuara në të dyja këto pole.

Jemi të përgatitur për të nisur shumë shpejt, brenda muajit nëntor, kantierin në aeroportin e Vlorës. Po përmbushen të gjitha paketat, që duhet të jenë të gatshme para nisjes së kantierit dhe më pas ngritjen e tij. Ky do të jetë aeroporti ndërkombëtar më i madh në vend me një pistë 3.2 km. Aty do të jetë dhe shërbimi për mirëmbajtjen e avionëve, gjë që deri më tani nuk e kemi pasur. Kjo hap një industri të re në këtë fushë. Aeroporti do të jetë gati brenda mandatit 4-vjeçar. Kemi hapur garën për aeroportin e Sarandës. Ky i fundit do të jetë një aeroport turistik sezonal. Do duhen 24 muaj për ndërtimin e këtij aeroporti. Parashikohet që edhe ky aeroport të dorëzohet në pranverën e vitit 2025, pra në përfundim të mandatit të tretë.

Sa i përket infrastrukturës, dua të qëndroj te korridori blu, korridori adriatiko-jonian, për të cilin jemi përgatitur prej kohësh. Me fillimin e punës në muajt në vazhdim, do të rihapet gara në vazhdim, por nuk pritet të përfundojë brenda këtij mandati. Për të plotësuar këtë korridor, një element i rëndësishëm është by-pass i Gjirokastrës, për të cilin kemi aplikuar dhe shpresojmë ta marrim.

Projekte të tjera, që do të përfundojnë, është Unaza e Madhe e Tiranës, që është drejt përfundimit. Tashmë gara është e hapur për të vazhduar me pjesën nga lidhja e Shqiponjës deri në zonën e Shkozës. Mbyllim brenda 24 muajsh të gjithë Unazën e Tiranës, një vepër kjo që do ju shërbejë të gjithë shqiptarëve, pasi bën lidhjen me autostradat në hyrjet e Tiranës.

Do doja të ndalesha edhe te një pjesë tjetër e rëndësishme, që do ta quaja si një nga komponentët më të rëndësishëm të këtij mandati. Ne kemi nisur punën prej kohës, por tani ka ardhur koha për të marrë rezultate. Bëhet fjalë për sektorin hekurudhor, ku kemi arritur të përmbyllim fazën përgatitore të projektit të parë, që është hekurudha Tiranë-Durrës. Jemi në negociata për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit, që është projekti më i madh në këtë sektor. Ky projekt do të dorëzohet brenda këtij mandati.

Në javën e ardhshme në Tiranë do të kemi një delegacion të Bankës Evropiane të Investimeve, që do të na mbështesë për pjesën e segmentit Durrës-Pogradec, e më pas Lin-Maqedonia e Veriut apo Lin-Greqi. BEI do na mbështesë për nisjen e segmentit të parë Durrës-Rrogozhinë”, tha ministrja Balluku.

(BalkanWeb)

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com