Loading...

Pse prokuroria duhet të nisë hetim ndaj “Peshkaqenit” të futbollit

Futbolli është i kapur. Ai vuan mungesën e vizionit, të projekteve serioze dhe, natyrisht, kryesorja mungesa e një strategjie kombëtare për përmirësimin e cilësisë së kampionatit duke investuar tek ekipet e reja. Në pamje të parë jepen ca të dhëna që duken interesante dhe që FSHF nën drejtimin e Armando Dukës i ka reklamuar fort. Për shembull, kualifikimi i Shqipërisë në Europian, afrimi i shumë lojtarëve me origjinë shqiptare që luajnë në Europë etj. Por asnjëra nga këto nuk e zgjidh hallin që ka sot futbolli ynë. Ai është monstruoz në përmbajtje. Ka dhunë në shumicën e ndeshjeve, ka gjykime skandaloze, ka cilësi të munguar dhe me përjashtim të disa skuadrave elitare gjithë pjesa tjetër është një amatorizëm i gjallë. Prej shumë e shumë vitesh Shqipëria mbyll listat e vendeve europiane në cilësinë sportive dhe futbolli nuk bën përjashtim.

Po ku kanë shkuar milionat që janë derdhur në futboll? Përtej reklamës që ofron në mënyrë false FSHF, duhet pranuar se futbolli ynë “vidhet”. Prej kohësh është ngritur zëri për të pasur një hetim të gjithanshëm për veprimtarinë e FSHF-së dhe presidentit Armando Duka. UEFA ka dhënë shumë para për Shqipërinë, por askush nuk di të thotë se ku kanë përfunduar këto para. “Pamfleti” sjell në vëmendje faktet për të cilat Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet ndaj FSHF-së dhe kreut të saj, Duka.

Së pari duhet hetuar ku kanë shkuar fondet e Solideritetit që UEFA jep për klubet e kampionateve elitare dhe për Shqipërinë ky fond ka qenë mbi 500 mijë euro në vit. Secilës skuadër të Kategorisë Superiore i takojnë 50 mijë euro, shumë që në shumicën e herës nuk u është dhënë klubeve. Hetimi në këtë pikë duhet të jetë intensiv pasi para pak kohësh Partizani nxori blof federatën duke thënë se nga ky fond nuk kishte përfituar asnjëherë asgjë. FSHF e gjendur e “zbuluar” nga skandali nxitoi të dilte me një deklaratë ku thoshte se të gjitha paratë ua kishte shpërndarë klubeve në forma të ndryshme (fusha etj), ndërsa për pjesën që “nuk dilte”, arsyetohej se u është mbajtur klubeve për shkak të gjobave që klubet kishin pa paguar. Justifikimi I FSHF-së nuk ishte bindës dhe indirekt fajësohej Duka, i cili ishte në dijeni dhe kishte ekskluzivitet mbi Fondin e Solidaritetit. Duke pasur parasysh se fondi në fjalë ka hyrë në fuqi prej afro 15 vjetësh, i bie që klubet e Superiores tonë të kenë përfituar nga UEFA në total në harkun e këtyre viteve, një shumë mbi 7 mln euro. Nga kjo shumë nuk dihet praktikisht nëse ndonjë përqindje ka përfunduar në arkat e klubeve. Prandaj Prokluroria duhet të zbardhë se ku kanë shkuar këto para, si janë përdorur, kush i ka përdorur.

Një tjetër element që kërkon hetimin e Prokurorisë është përfitimi nga e drejta televizive, shitja e biletave të ekipit kombëtar dhe përfitimet financiare të ardhura nga Europiani i Francës. Sipas parashikimeve të vetë FSHF-së, pjesëmarrja në Europianin e Francës do t’i sillte federatës të ardhura që shkonin nga 70-100 mln euro. Këto para do të vinin nga pjesëmarrja e drejtëpërdrejtë në Europian, nga shitja e fanellave, reklamimi, e drjeta televizive, imazhi etj, pra kryesisht nga marketingu. Ende një vit e gjysmë pas mbylljes së Europianit, askush nuk di të thotë se sa ishte shuma e përfituar dhe ku kanë shkuar gjithë këto para. Sigurisht, FSHF ka ndihmuar qeverinë të rikonstruktojë stadiumet në Elbasan e Shkodër, si dhe në ndërtimin e impiantit kombëtar në Tiranë. Por në të tre rastet FSHF nuk është palë kryesore (është qeveria), prandaj shumat e dhëna për ndërtimin e impianteve nuk justifikohen me përfitimet hyrëse. Mungon transparenca dhe këtë transparencë mund ta bëjë vetëm Prokuroria.

Elementi i tretë dhe shumë i rëndësishëm janë bastet e paligjshme. Nën zë thuhet se kreut i federatës është palë me drejtuesit e klubit të Skënderbeut. Ky klub u dënua një vit nga UEFA për shkak të trukimit të rezultateve të ndeshjeve. Madje në argumentimet e UEFA-s dhe akuzat që ata transmetonin, përfshiheshin edhe politikanë të majtë e të djathtë. Vetë Duka pranoi se një nga arsyet pse nuk u zgjodh anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s kishte të bënte me ndëshkimin e Skënderbeut, por edhe me “letrat anonime” që i kishin cuar (sipas tij “dashakeqët”) në UEFA. Cështja e ndeshjeve të trukuara prek drejtpërdrejt Dukën, si i pari i futbollit në vend, për më tepër që zërat për rezultate të dyshimta nuk kanë munguar as në ekipin kombëtar. Edhe këtu ka material për Prokurorinë. Këto janë pra tre elementët kryesorë që duhet të hetohen. Kur futbolli shqiptar po zien nga brenda, për shkak se në fillim të vitit të ardhshëm do të ketë zgjedhje për presidencën, duhet së pari Prokuroria të thotë fjalën e saj, sepse në futboll ka abuzime miliardashe dhe këto abuzime nuk e lejojnë fubtollin shqiptar të ecë përpara.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com