Ermal Bregu, 30 vjeçari agjent policie ne Komisariatin numer 1 ne kryeqytet është qëlluar mbremjen e te martes me dy plumba në bark dhe në kofshë dhe sipas burimeve ndodhet jashtë rrezikut për jetën pas operacionit qe iu nenshtrua dje ne Spitalin e Traumes. Vetë i plagosuri nuk ka dhënë shumë detaje rreth ngjarjes, duke thënë se nuk i njihte autorët dhe nuk ka pasur ndonjë konflikt të mëparshëm.
Zyrtarisht, Policia tha dje se dyshohet për ndonjë konflikt të momentit por, nga ana tjetër, po hetohet edhe për ndonjë sherr të mëparshëm që polici 30- vjeçar mund të ketë pasur me personat që e qëlluan me armë zjarri. Kjo edhe për shkak të incidenteve të mëparshme që ai ka pasur gjatë 3 viteve të fundit.
30-vjeçari që u plagos mbrëmë në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë, prej disa vitesh është agjent krimesh në Komisariatin nr.1. Edhe babai i tij është punonjës i Policisë së Shtetit, me detyrë polic objektesh në Tiranë. Burime nga Policia thanë dje se efektivi i plagosur është përfshirë edhe në dy incidente të mëparshme gjatë 3 viteve të fundit.
Mësohet se rreth 3 vite më parë, persona që ende nuk janë identifikuar, i kanë djegur automjetin e tij tip “Hummer”. Kjo ngjarje ka ndodhur në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, aty ku ai banon, ku edhe ndodhi ngjarja mbrëmë. Ndërsa vitin e kaluar ai pati një tjetër incident, pasi u plagos aksidentalisht me armën e shërbimit, teksa ishte duke e pastruar. Nuk dihet ende nëse plagosja e djeshme ka lidhje apo jo me djegien e makinës së tij, megjithatë po verifikohet si pistë.