Gratë dhe vajzat edhe më tutje janë të diskriminuara sa u përket pasurisë. Megjithëse edhe ligjet aktuale garantojnë të drejta të barabarta në pronë dhe në trashëgimi, shumë dispozita të këtyre ligjeve të vjetra, si ai për noterinë, procedurën jo-kontestimore dhe Ligji për Trashëgiminë në praktikë deri më tani nuk kanë garantuar që gratë t`i gëzojnë të drejtat e tyre të plota.
Të gjeturat nga terreni tregojnë se gjendja për sa i përket regjistrimit të pronave në emër të grave nuk ka ndryshuar shumë.
Statistikat e fundit të publikuara nga Agjencia Kadastrale, tregojnë se 76.2% e pronave janë në emër të burrave dhe vetëm 15.3% e pronave janë të regjistruara në emër të grave dhe vajzave.
100 kandidatë për kryetarë të komunave në 30 debate të Jeta në Komunë, janë pyetur nëse e kanë pronën të regjistruar në emër të tyre.
Nga përgjigjet që ata i kanë dhënë del se 42 prej kandidatëve janë përgjigjur se ende pasuria është e bashkësisë familjare, 16 prej kandidatëve kanë thënë se e kanë të regjistruar pasurinë si të përbashkët, ose kanë pasuri edhe në emër të bashkëshortes.
Dy prej tyre kanë deklaruar se nuk kanë pasuri të tyren dhe rrjedhimisht nuk mund ta regjistrojnë si të përbashkët dhe dy të tjerë kanë treguar se pasuria është në emër të fëmijëve të tyre.
Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, tregoi se gjendja nuk është e mirë as kur janë në pyetje zbatuesit e ligjit në vendin tonë.
Nga të dhënat e prezantuara doli se gjyqtarët dhe prokurorët nuk kanë konsideruar të rëndësishme që të tregojnë se a i kanë pronat dhe pasurinë e tyre të regjistruara ashtu siç e rregullojnë ligjet në fuqi.
Pra shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, nuk kanë treguar fare për statusin e pronave të tyre. Kurse, pjesa më e madhe e atyre pak gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë përgjigjur, del se pronat i kanë në emrin e tyre dhe jo edhe të grave të tyre ashtu siç e kërkon ligji.
Të dhënat e njëjta u kërkuan dhe nga prokurorët e shtetit. Mirëpo, ‘shembullin’ e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, i cili ka treguar se pronën e ka të regjistruar në emrin e tij nuk e kanë ndjekur gati të gjithë prokurorët.
Përveç prokurorit Sylë Hoxha dhe prokurores Shpresa Bakija dhe prokurorëve nga Peja, të tjerët nuk kanë treguar se në emër të kujt i kanë të regjistruara pronat.
Zvarritja e ligjeve
Tri ligje bazike që prekin në mënyre direkte të drejtat pronësore ai për trashëgiminë, procedurën jo-kontestimore dhe për noterinë, ka pothuajse një vit që janë zvarritur.
Ligji për Trashëgiminë, ai për Procedurën Jokontestimore dhe ai për Noterinë, dështuan të miratohen pas rënies së qeverisë dhe shpërbërjes së Kuvendit. Si rezultat i shpërbërjes së Kuvendit, këto tri ligje është dashur të riprocedohen nga fillimi.
Labinot Leposhtica nga Zyra Ligjore e BIRN dhe Internews Kosova tregon se kjo zvarritje e miratimit të pakos ligjore u ka kushtuar shumë atyre grave dhe vajzave që kanë kërkuar të drejtat e tyre.
“Rrëzimi i qeverisë dhe shpërbërja e Kuvendit e kanë ndërprerë në gjysmë dhe e kanë zvarritur shqyrtimin dhe miratimin e tri projektligjeve, atij për noterinë, procedurën jo-kontestimore dhe për trashëgiminë. Shumë gra dhe vajza të cilat kanë qenë në procedura për t`i fituar të drejtat e tyre pronësore kanë humbur shumë nga koha e tyre, pasi këto tri ligje mund të ishin miratuar para pothuajse 9 muajsh”, ka deklaruar Labinot Leposhtica.
Ai ka treguar se rekomandimet e BIRN dhe Internews Kosova që i kanë dhënë për pakon ligjore kanë gjetur mbështetjen e deputetëve, pasi sipas tij shumica e tyre kanë buruar nga praktika që kanë hasur në gjykata.
Donjeta Elshani nga organizata “Polis” thotë se shumë rekomandime që i kanë dhënë në legjislaturën e kaluar i kanë ripërsëritur edhe tani pas ri- procedimit të pakos së ligjeve.
Ajo thotë se presin që të njëjtat të shqyrtohen nga ana e deputetëve dhe të jenë pjesë integruese e këtyre ligjeve.
“I kemi ripërsëritur rekomandimet tona, pasi te tri ligjet janë ri-proceduar nga fillimi. Një nga rekomandimet tona është që trashëgimtarëve t`u hiqet e drejta e heqjes dorë nga trashëgimia, pra që me automatizëm t`u bartet pjesa që u takon. Por kemi rekomanduar që t`u lihet e drejta që ata që nuk e duan më vonë pjesën e tyre t`u njihet e drejta e dhurimit”, tha Donjeta Elshani për “Drejtësia në Kosovë”.
Ajo tregoi pse e kanë rekomanduar këtë gjë.
“Sepse ne kemi pare që shumica e atyre që heqin dorë nga e drejta në trashëgimi janë gratë dhe vajzat e të cilat në shumë raste heqja dorë nga e drejta e tyre ua rëndon edhe më shumë jetën e tyre socio-ekonomike”, ka thënë Elshani.
Deputeti Korab Sejdiu, thotë se në Komisionin për Legjislacion kanë kaluar në shqyrtimin e parë këto projektligje.
Ai tregon se nga mosfunksionimi i legjislaturës së kaluar tani në komision kanë shumë projektligje. Kjo sipas tij po ua pamundëson deputetëve që të shqyrtojnë në detaje secilin projektligj, e sidomos rekomandimet që i kanë dhënë shoqëria civile.
“Aktualisht jemi të ballafaquar me një numër shumë të madh të projektligjeve- një pjesë e madhe e këtyre projektligjeve prekin sfera që janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Dhe neve si deputetë edhe brenda komisioneve po na e pamundëson që t`i adresojmë në përmbajte të gjitha këto ligje. Dhe unë personalisht kam kërkuar komente si për ligjin e noterisë, por edhe për ligjet tjera. Njëkohësisht kam kërkuar komentet edhe nga qytetarët dhe nga shoqëria civile”, ka thënë deputeti Sejdiu.
Në vijim lexoni se si janë përgjigjur gjyqtarët dhe prokurorët në lidhje me atë se kush e ka mbi vete pasurinë në familjet e tyre.
Enver Peci, kryetar: Prona/ pasuria në emrin e tij.
Gyltene Sylejmani, gjyqtare: Prona/pasuria në emrin e saj
Emine Kaçiku, gjyqtare: Pasurinë/prona e regjistruar ne emër të saj dhe burrit ½
Emine Mustafa, gjyqtare: Prona/pasuria e regjistruar në emër të saj dhe burrit ½
Erdogan Haxhibeqiri, gjyqtar: Trashëgiminë e pazgjidhur
Beshir Islami, gjyqtar: Trashëgimia e pazgjidhur
Muhamet Rexha, gjyqtar: Trashëgimia e pazgjidhur
Shukri Sylejmani, gjyqtar: Prona në proces të legalizimit
Katër gjyqtarët tjerë për shkak të angazhimeve të tyre nuk kanë kthyer përgjigje.
Gjykata e Apelit ka 35 gjyqtarë, asnjëri prej tyre nuk ka treguar se a e kanë të regjistruar pronën/pasurinë siç parashihet me ligjet në fuqi.
Nga 85 gjyqtarët e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe Degëve të sajë, vetëm 19 prej tyre kanë treguar si i kanë të regjistruara pronat dhe pasurinë e tyre.
Xhevat Begolli, gjyqtar: Shtëpia në emrin e tij
Faton Bajrami, gjyqtar: Prona/pasuria e regjistruar në emrin e tij
Daut Behrami, gjyqtar: Prona/pasuria e regjistruara në emrin e tij
Mustafë Selimi, gjytar: Prona/pasuria e regjistruar në emrin e tij.
Selman Sahiti, gjyqtar: Prona/pasuria e regjistruar në emrin e tij
Shefshet Baleci, gyqytar: Prona/pasuria e regjistruar në emrin e tij
Rrustem Begolli, gjyqtar: Prona/pasuri e regjistruar në emrin e tij
Valbona Halimaj, gjyqtare: Prona/pasuria në emër të burrit
Salihe Ahmetaj, gjyqtar: Prona/pasuria e regjistruar në emrin e burrit
Avni Syla, gjyqtar: Trashëgimia e pazgjidhur
Binak Duqi, gjyqtar: Trashëgimia e pazgjidhur
Vesel Gorani, gjyqtar: Trashëgimia e pazgjidhur
Bujar Muzaqi, gjyqtar: Trashëgimia e pazgjidhur
Latif Xhemajli, gjyqtar: Trashëgimia e pazgjidhur
Gazmend Bahtiri, gjyqtar: Prona/pasuria e regjistruar në emër të dy bashkëshortëve
Drita Rexhaj, gjyqtare: S`ka krijuar pasuri gjatë jetës bashkëshortore
Adnan Isufi, gjyqtar: Në proces të legalizimit
Rexhep Gashi, gjyqtar: Pasuria/Prona Në proces të legalizimit
Minir Hoti gjyqtar: Trashëgimia e pazgjidhur, shtëpia në emrin e tij, disa prona ende në proces të regjistrimit.
Asnjë nga gjyqtarët e Prizrenit nuk ka kthyer përgjigje, njëjtë kanë vepruar edhe kolegët e tyre nga Prizreni, Gjakova, Peja dhe Mitrovica.
Ndërsa nga Ferizaj, nga 33 gjyqtarët, vetëm tre prej tyre janë përgjigjur pozitivisht.
Burhan Berisha, gjyqtar: Prona e regjistruar në emrin e tij
Zajrete Muhaxheri, gjyqtare: Prona/pasuria në emrin e burrit
Nazife Beqiri, gjyqtare: Pasuria e përbashkët e regjistruar një pjesë në emrin e saj, tjetra të burrit
Nga Gjilani i vetmi që ka treguar për pasurinë e tij është gjyqtari Berat Spahiu, të gjitha pronat e krijuara pas martesës i ka të regjistruara në emrin e tij dhe të bashkëshortes, për këtë ka ofruar edhe dëshmi.
Të dhënat e njëjta i kemi kërkuar dhe nga prokurorët e shtetit. Mirëpo, ‘shembullin’ e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, i cili ka treguar se pronën e ka të regjistruar në emrin e tij nuk e kanë ndjekur gati të gjithë prokurorët.
Përveç prokurorit Sylë Hoxha dhe prokurores Shpresa Bakija dhe prokurorëve nga Peja, të tjerët nuk kanë treguar se në emër të kujt i kanë të regjistruara pronat.
Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i shtetit: Prona e regjistruar në emrin e tij
Sylë Hoxha, prokuror: Prona e regjistruar në emrin e tij
Shpresa Bakija, prokurore: Pasuria e regjistruar në emrin e burrit