AFP, agjencia e njohur franceze e lajmeve ne nje shkrim botuar ne faqen e saj online, shkruan se hetimet për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i kanë dhënë një goditje shpresave të Shqipërisë për anëtarësim në BE.“Një hetim ndaj ish-ministrit të Brendshëm shqiptar dhe lidhjeve të dyshuara të tij me trafikun ndërkombëtar të kanabisit, vjen në kohën më të papërshtatshme për vendin ballkanik, që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Vend kandidat që prej vitit 2014, Shqipëria synon që të bindë Brukselin që të hapë negociatat për anëtarësim në fillim të vitit që vjen. Por skandali ku përfshihet Saimir Tahiri, 38 vjeç, ministër i Brendshëm deri në mars dhe një aleat i ngushtë i socialistit Edi Rama, ka detyruar vendin që të mbrojë historinë me trafikun e drogës,” thuhet në shkrim.
Sipas autorëve të shkrimit, Rama është më i dobësuar.“Gjashtë muaj pas triumfit elektoral në zgjedhjet parlamentare, kryeministri duket i dobësuar. Skandali shpërtheu në mes të tetorit, pas arrestimit të një trafikanti shqiptar në Itali. Mediat lokale publikuan përgjimet telefonike ku duket se komprometohet edhe Tahiri”.
“Gjithashtu skandali i Tahirit përkeqëson situatën. Saimir Tahiri 38 vjeç, ministër i Brendshëm deri në pranverën e 2017, është i afërt me Kryeministrin socialist Edi Rama. Në një vend kur debati politik rrallëherë është i dhunshëm, ambasadori i SHBA Donald Lu pothuajse u ka dhënë të drejtë të dy kapmeve: ‘Shqipëria ka probleme me lidhjet midis trafikantëve dhe politikanëve. Ky nuk është problem i një partie të vetme’. Kjo deklaratë është në kontrast me heshtjen e kujdesshme të kancelarive europiane, të cilat i kanë dhënë mbështetje Edi Ramës që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2013”, shkruan AFP.
Në shkrim theksohet se për vite të tëra, Shqipëria ka qenë eksportuesi më i madh i kanabisit në Europë. Burimet diplomatike perëndimore përllogarisin se tregtia e kanabisit përbën një të tretën e Prodhimit të Brendshëm.“Aktakuza ndaj ish-ministrit të Brendshëm në trafikun ndërkombëtar të kanabisit minon pozicionin e Shqipërisë për afrimin e saj me Bashkimin Europian. Zyrtarisht kandidat prej vitit 2014, Tirana zyrtare synon të bindë BE-në që të hapë negociatat me BE-në në fillim të vitit të ardhshëm.