Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka publikuar në rrjetet sociale një foto nga takimi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Takimi i tyre është mbajtur në prag të Samitit të Shkupit, ku tre liderët pritet të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi mes tyre.
“Ky është një hap i madh për të ardhmen. Bashkëpunimi politik dhe mes njerëzve sjell stabilitet dhe shumë gjëra të rëndësishme për të ardhmen e rajonit”, shprehet Vuçiç.
Me tej, Presidenti serb thotë se marrëveshjet do të kenë të bëjnë me “agjendën jeshile” në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të tërheqin më shumë investime dhe të krijojnë një treg të përbashkët.