Izabel, deri 10 vite më parë, as e kisha ditur, as e kisha imagjinuar trazimin emocional që mund të shkaktonte ardhja në jetë e një vajze. Nuk e di çfarë është, nuk jam mësuar ende sepse çdo ditë do të ishte e trazuar nëse nuk do të shihja buzëqeshjen tënde.
Buzëqeshjen që t’u shkrua në sy, që ditët e para që të pash. Lumturia që njohëm me ardhjen në jetë të vëllait tënd, ishte e para, por ishte e ndryshme. Vetëdijshëm ose jo, të qarat e para të një djali, shoqërohen gjithmonë me sigurinë që nesër ka për t’ia dalë vetë!
Sot, e di, e vogla ime, që edhe ti do t’ia dalësh, në çdo zgjedhje që do të bësh! Mbase nuk do të të mbesë e paprekur, ëmbëlsia që të njohin të gjithë, dashuria që pres gjithë ditën të përqafoj, i vetmi mendim që më largon nga punët, prej dyshimit që mund të të ketë zënë gjumi. Megjithatë, do të ngelet i paprekur përkushtimi dhe mbështetja ime për të të treguar çdo herë që rruga nuk është e lehtë, për askënd, por mund të fitohet me durim e besim. Disa zgjedhje do të të zhgënjejnë, do të lëndojnë, mua edhe më shumë sado që nuk do të ta them gjithmonë, por, shpesh, kjo është përgjigjja që të jep jeta kur je ushqyer e rritur me të drejtën!
Do të të mërzis duke ta përsëritur këtë, por nuk ka mënyrë tjetër për të mos ngatërruar rrugën! Izabel, nuk doja të shkoja në punë sot! I kam rënë kaq në qafë kohës tënde sa sot doja vetëm të rrija duke të parë, për të shijuar, pa numëruar, lumturinë që na ke dhuruar që kur erdhe në jetë.
Jo se ka gjë më të rëndësishme se ty, por edhe përgjegjshmëria është e rëndësishme. Sot do të vij herët në shtëpi, e vogla ime, sepse nuk do të jem në gjendje të mendoj gjë tjetër veç përqafimit tënd! Gëzuar ditëlindjen! Të dua shumë!